Sociale

Pesë kërkesa në ditë tek azili i të moshuarve, kostoja 52 mijë lekë

Kërkesa për t’u strehuar në azil, është shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Sipas drejtuesve të azilit të Tiranës, çdo ditë paraqiten 3 deri në 5 të moshuar për të marrë informacion në lidhje me procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për t’u regjistruar në këtë institucion përkujdesi. Duke qenë se kapacitetet e tij janë vetëm për 50 persona, koha e pritjes është shumë e gjatë.

72-vjeçarit Hashmet Koboçi i është dashur të presë dy vite për t’u strehuar në azilin e Tiranës. I moshuari,  ish-minator, tregon se u detyrua të vinte në azil për shkak se gruaja e braktisi. Ajo zgjodhi të jetonte në Itali me vajzën e saj që ka nga martesa e parë.



“Ajo tha do iki në Itali te goca. Do ikësh i thashë, po shumë mirë ik, e mos u kthe më”.

Ai tregon se u përpoq për disa vite të jetonte vetëm por nuk ja doli dot, ndaj dhe kërkonte me ngulm të strehohej në një shtëpi për të moshuarit. Pas një eksperiencë jo shumë të mirë në një institucion privat, ai prej 5 vitesh jeton në azilin e Tiranës.

“Lavatriçe kisha, po nuk dija ta përdorja. U thojha ndonjëherë komshinjve, por më vinte turp. Për të gatuar nuk dija. Këtu nuk kishte vend, prita nja 2 vjet para se të vija. Ndenja në një azil privat disa kohë, andej nga Dajti. Po ishte keq, mezi ngopeshim me bukë. Kjo këtu jam mirë, po është shtet këtu”.

Hashmeti tregon se për 30 vite ka punuar në minierë dhe kjo  gjë i ka sjell pasoja të mëdha në shëndët. Edhe pse ka dëshirë të vizitojë familjarët e tij, ai e ka të pamundur për shkak të problemeve në frymëmarrje. Gruaja dhe vajza e saj, të cilën e ka konsideruar të vetën pasi e ka rritur që kur ishte 3 vjeç, e kanë braktisur. Megjithatë atë e vizitojnë shpesh motrat, vëllezërit por edhe nipat.

“Kam bërë 8 kilometra tunelet e Turielës me makinën suedeze. Por kam probleme me mushkëritë. Kam bombul oksigjeni, ma ka sjellë nipi nga Italia. Vetë nuk shkoj dot t’i takoj, më zihet fryma, por vijnë më takojnë ata”.

Ai e konsderon fat faktin që ka mundur të jetojë në këtë institucion, pasi jo të gjithë ata që kërkojnë kanë mundësi të regjistrohen. Sipas drejtuesve të azilit, kosto mujore që përballon shteti për një të moshuar në azil është 52 mijë Lekë në muaj. Ndërkohë që të moshuarit si pagesë mujore lënë vetëm 40 % të pensionit të tyre.

Sistemi i përkujdesit social për të moshuarit përbëhet nga institucione rezidenciale publike dhe jo publike. Shtëpitë e të moshuarve publike janë në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër, Poliçan. Gjithashtu është Qendra Ditore Polivalente në Kamëz dhe disa qendra të trajtimit rezidencial të të moshuarve që janë jo publike.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror, në tërë sistemin e shërbimeve rezidenciale trajtohen gjithsej 480 të moshuar, nga të cilët 300 janë në qendrat publike dhe 180 në qendrat jo publike.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas