Dikur, Kryesore

Pesë dramat pas tragjedive

musine kokalariPasojat e përndjekjes komuniste për familjet Kasoruho, Xhagjika, Kokalari, Sejko e Çitaku

Nga Ilir Hashorva



 

Lexova një shkrim të Bashkim Dizdarit në gazetën “Panorama” më 8 tetor 2012, me titull “Zogu dhe mendimi enverist për të”. Në të ndodhej kjo pjesë: “Dënimet e skajshme më zhurmëmëdha dihet që Mbretëria e Zogut i ka bërë për shtypjen e kryengritjes së Fierit (1935) dhe asaj të Delvinës (1937)… Një prej kryengritësve të Delvinës është edhe djali i tezes së nënës sime, kapiten Smail Gjylbegu, qarkkomandant i xhandarmërisë së Gjirokastrës. Ai ra viktimë se Ethem Toto i kërkoi besën, të cilën kapiteni ia dha pa ditur se për çka po ia jepte. Dhe u bë me Toton, dhe gjykata i mori jetën. Zogu lejoi që trupin e këtij armiku të betuar të Mbretërisë, fisnikët e Gjirokastrës ta përcillnin me nderime! Ky qe regjimi gjakatar i Ahmet Zogut, që duan të na i krahasojnë me atë të Enver Hoxhës. Mendoni për një çast se a mund të ndodhte që trupat e qeveritarëve të pushkatuar të 1975-1982-shit të përcilleshin me nderime prej ndokujt për në familjet e tyre?”.

Po kështu, në kryengritje të armatosur kundër qeverisë u vra Bajram Curri. Një vit pas vrasjes, qeveria e Zogut i lidhi familjes së tij një pension prej 250 frangash në muaj për arsye të gradës së kolonelit që kishte pasur Bajram Curri në shtetin shqiptar.

Ali Kelmendin, të dërguarin e Kominternit për të përhapur komunizmin në Shqipëri, Zogu e kapi dhe dënoi me internim në Gjirokastër. Por, a e dini si qe internimi i tij? Prefektura e Gjirokastrës i caktoi atij një restorant ku të hante dhe një dhomë ku të banonte. I vetmi kusht që i vuri, ishte të paraqitej një herë në ditë në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Më pas, Ali Kelmendi u dëbua nga Shqipëria.

Këto pjesë më futën në mendime dhe më risollën në vëmendje ato që ndodhën në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës në raste të ngjashme.

Ishte tragjedi nëse dikush nga familja burgosej dhe dënohej në kohën e Enver Hoxhës, por tragjedia pillte më pas drama të pafundme e të përjetshme për të tjerët: për familjarët, por edhe për fisin e, mbase, edhe për fshatin apo zonën. Janë gati të përhershme rastet kur prindërit dënoheshin dhe fëmijët e tyre të martuar ndaheshin. Janë të shpeshta rastet kur i dënuari braktisej nga të gjithë të afërmit e tij, herë me ndërgjegje të vrarë e herë me inat e urrejtje që “u kishte prishur biografinë”, pra, të ardhmen. Nxitja e braktisjes së të dënuarit nga të afërmit e tij bëhej me qëllim frikësimin, depersonifikimin dhe dehumanizmin e njeriut, me qëllim shkatërrimin e karakterit të tij, shkatërrimin e familjes apo fisit, sepse ashtu pushteti mbahej më lehtë. Braktisja e të dënuarit nga të afërmit e tij ishte një nga punët më qëllimkëqija, më diabolike, por edhe më të suksesshme të komunizmit ndaj popullit shqiptar. Thuhet se në Indinë e lashtë, detyra e udhëheqësit ishte t’i bënte subjektet e tij trima. Te ne ndodhi e kundërta: detyra e udhëheqësit te ne ishte frikësimi deri në palcë i popullit. Sjellja e pushtetit ndaj atyre që nuk e braktisnin të dënuarin ishte mizore. Madje pushteti nuk hakmerrej vetëm me njerëzit e të dënuarit, por edhe me kafshët dhe sendet e tij. Në këto raste krimi merrte pamje absurde dhe groteske. Pas revoltës së burgut të Qafë Barit, krahas të burgosurve që dënuan me vdekje, dënuan me vdekje edhe qenin e burgut, i cili mori haptazi anën e të burgosurve, pasi u lehte policëve kur ata sulmonin të burgosurit, madje u hidhej edhe te këmbët dhe tentonte edhe t’i kafshonte. Kalin racë të Petrit Dumes e dënuan me internim në Kukës, me detyrë tërheqjen e karrocës së plehrave. Edhe pse e kërkoi Kinostudioja për të xhiruar filma, kali mbeti në Kukës se ishte me “biografi të keqe”. Makinën e mirë të Beqir Ballukut e internuan në Ersekë. Ia prenë gjysmën dhe i salduan një kazan të madh në vend të saj. E shndërruan në furgon për zarzavate. Shoferi nuk e lau kurrë atë makinë. Kishte frikë.

Trupat të pushkatuarve apo të vrarëve nga regjimi, jo vetëm nuk u jepeshin familjarëve, të cilët, ose do të bënin sikur nuk u kishte ndodhur gjë, ose do t’i qanin në heshtje, por dhe vendet e varrosjes mbaheshin tepër sekret, aq sa edhe sot pasardhësit e tyre nuk i gjejnë dot dhe, ç’është më e keqja, ata nuk i ndihmon as shteti i sotëm për t’i gjetur.

Të shohim në disa raste, se ç’farë ndodhte gjatë regjimit komunist pas dënimit që merrte një person dhe se si vepronin familjarët në varësi edhe nga karakteri i tyre:

 

Na mbyti frika: Amik Kasoruho

Pas vdekjes së përkthyesit Amik Kasoruho, kushërira e tij e parë tregon se si ia dha Amikut në burg lajmin e pushkatimit të babait të tij, Qemalit, të pushkatuar pa asnjë faj, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, me rastin e shpërthimit të dinamitit në Legatën Sovjetike në vitin 1951.

Pyet gazetarja: Znj. Sanie, ju jeni bashkëvuajtëse e tij, por edhe një prej njerëzve më të afërt. Cili është ai kujtim që nuk ju hiqet nga mendja?

Përgjigje: Ishin kohë ferri. Kishte pak ditë që babanë e Amikut, dajën tim, e kishin pushkatuar. Amiku gjendej në burgun e Tiranës. I shkova në burg, por, si do t’i thosha që ia kishin vrarë babanë? I rrotulloja fjalët nëpër gojë e nëpër mendje. I kisha në kokë e dot s’i nxirrja. Si t’i thosha që, ‘babanë ta pushkatuan e nuk e kemi qarë dot’? U bëra burrë, se unë me të isha motër e vëlla, moshatarë, të rritur bashkë. Poshtë isha veshur me të zeza dhe lart një xhaketë ngjyrë hiri. Ai e kuptoi. I thashë që, ‘babai vdiq’. E mori sikur kishte vdekur babai im. ‘Të rroni vetë e të jeni të fortë’, më tha. Unë u mbyta nga lotët, se nuk i flisja dot.

Pyet gazetarja: Si arrite t’ia jepje lajmin që ia kishin pushkatuar babanë?

Përgjigjet: Asokohe isha studente, e re fare, me dhimbje të madhe. Nuk flisja dot, se na rrinin policët si xhandarë e nuk i thosha dot që e kanë pushkatuar. I thashë ‘dajë Qemali na la’. I thashë që, ‘vdiq nga sëmundja e Enver Sazanit’.

Pyet gazetarja: Si reagoi?

Përgjigjet: Enver Sazani ishte miku ynë familjar, deputet që e kishte pushkatuar pa gjyq Enver Hoxha. Ai e kuptoi menjëherë që babanë ia kishin pushkatuar. M’u hodh në qafë e qau pa pushim. As për të folur nuk na linin. Nuk i kishte bërë akoma 20 vjeç. 10 vjet e dënuan për agjitacion e propagandë, duke e arrestuar nga bankat e shkollës. (Gazeta Shqiptare 7.5.2014).

Shënim: Dr. Enver Sazani, shok i Enver Hoxhës, u pushkatua në vitin 1947 si pjesëtar i grupit të deputetëve.

 

Nuk ke frikë? Do ta shohim: Ylli Xhagjika

Trifon Xhagjikën, ushtarak, e dënuan me vdekje në vitin 1963.

U hapën fjalë se po zhvillohej një gjyq interesant dhe unë me disa shokë lamë leksionet në universitet dhe shkuam për ta ndjekur. Ishte seanca e fundit kur do të jepej pretenca e prokurorit për  vëllanë e tij, mjekun Ylli  Xhagjika. Ai u akuzua sipas ligjit të agjitacion-propagandës, dhe u kërkua dënimi i tij (në mos gaboj) me dhjetë vjet burg nga prokurori, vetëm se pak kohë më parë, kishte pasur kurajën që, pasi ia kishin dënuar vëllanë me vdekje dhe po e nxirrnin nga gjykata, t’i thoshte: “Mbaju, mbaje kokën lartë, Trifon!” Sa turp e, njëkohësisht, çfarë krimi! Ylli edhe në gjyqin e tij mbajti një qëndrim shumë kurajoz e dinjitoz. Mbaj mend kur, pasi prokurori kërkoi dënimin e tij, ai iu drejtua gjykatësit, pak a shumë, me këto fjalë: “Zoti Gjykatës, ne mburremi me trimërinë dhe ndershmërinë e të parëve tanë. Por, ç’do të thonë pasardhësit tanë kur të lexojnë dokumentet e këtij procesi gjyqësor, të një procesi që dënoi një njeri vetëm se i foli vëllait para vdekjes? Ju lutem Z. Gjykatës, shpëtojeni prokurorin nga ky turp”. Nuk ishte e lehtë në atë kohë të mbaje një qëndrim si ky.

Një shoku im mjek, më tregoi këtë ndodhi për Ylli Xhagjikën, për kohën që ai ishte pedagog në fakultetin e mjekësisë: “Gjatë një ore mësimi praktik të radiologjisë, pasi u fikën dritat, studentët filluan të ngacmonin njëri-tjetrin dhe e prishën orën e mësimit. Ylli, pedagogu, kërkoi nga studentët me këmbëngulje që të tregonin se kush e kishte nisur shamatën. Studentët nuk treguan. Pas shumë përpjekjeve për të gjetur shkaktarin dhe pas heshtjes së studentëve, Ylli u tha: Ju bëtë një gjë shumë të keqe që prishët orën e mësimit, por bëtë edhe një gjë shumë të mirë që nuk e treguat shokun”.

Ishte dëshmi e një njeriu me karakter.

 

Sadizëm ekstrem: Teme Sejko

Teme Sejkon e dënuan me vdekje, me pushkatim, në vitin 1961 me akuzën e tradhtisë, por atë nuk e pushkatuan, atë e mbytën. Kriminelët e ministrisë së Punëve të Brendshme, Llambi Ziçishti, Rexhep Kolli (Hero i Popullit), Nevzat Haznedari, të ndihmuar nga katër oficerë të asaj ministrie dhe nën mbikëqyrjen e vetë ministrit, Kadri Hazbiu, e morën Temen nga burgu dhe e çuan në fshatin Maminas, pranë Tiranës për ta pushkatuar. Aty me duar të lidhura nga prapa, pasi e rrahën mirë e mirë me hunj dhe e lanë të mbytur nga gjaku, gjysmë të vdekur, i lidhën një litar në fyt dhe, dy kriminelë nga njëra anë e dy të tjerë nga ana tjetër, e mbytën. Ashtu të mbytur, e mbështollën në një batanije, e hipën në makinë,dhe e çuan në fshatin Linzë për ta varrosur. Kur e futën në gropë për ta mbuluar me dhe, një nga oficerët kriminelë ia çau kokën me kazmë në mënyrë që vdekja e tij të ishte e sigurt. Ndofta ishte vrasja më makabër që ka ndodhur nga regjimi komunist për një prej njerëzve të tij. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim midis ekzekutimeve me prerje koke nga fanatikët islamistë të ISIS-it dhe vrasjes së Teme Sejkos me mbytje me litar nga kriminelët komunistë.

Djali i mbetur gjallë i Teme Sejkos, tregon se ç’ndodhi më tej:

“Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas pushkatimit të Teme Sejkos?”, pyet gazetari:
Të thuash një dramë, është pak. Në qershor të vitit 73, arrestuan vëllanë e vogël, Sokolin. Në janar 74, e dënuan me vdekje si armik. Në shkurt të vitit më 75, më arrestuan mua dhe më dënuan tetë vjet burg për agjitacion e propagandë. Në shtëpinë e Teme Sejkos mbeti vetëm mamaja, Shpresa. Ajo, disa orë pas arrestimit tim, vrau veten. E varrosi vetëm gjyshja me punonjësit e komunales… Një tragjedi të tillë ka përjetuar edhe xhaxhai…
Njërin nga xhaxhallarët e pushkatuan së bashkë me babanë. Xhaxhai tjetër përfundoi në vetëvrasje. Me dhjetëra të afërm e miq të familjes u dënuan e internuan për vite të tëra. (Gazeta Panorama 23.6.2010)

Edhe familja e Mehmet Shehut pati një fat tragjik pas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut, por për të nuk do të flas, pasi vetë Mehmet Shehu ishte një kriminel në mos më i madh, aq sa Enver Hoxha, vetëm se nuk qe aq i djallëzuar sa ai.

 

Triumfi i së keqes: Zyhdi Çitaku dhe vajza e tij

Në një tregim jo vetëm të braktisjes së plotë të një personi por edhe e urrejtjes për të,  tregohet në librin e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”. Zyhdi Çitaku ishte një bashkë i burgosur i At Zefit të cilit nuk i shkonte asnjë ta shihte në burg dhe nuk merrte kurrë asnjë ushqim nga jashtë. Një ditë ai i kërkoi At Zefit një letër dhe një zarf për të shkruar një letër. Mesa dukej, kishte vendosur të komunikonte me dikë. Letrën e shkroi dhe e nisi. Pas disa ditësh Zyhdiu, i mbytur në vaj dhe në lot, i lëshoi në dorë At Zefit një zarf që sapo e kishte marrë, brenda të cilit ishte një letër si dhe një zarf krejt i pahapur. Ishte zarfi që i kishte dhënë At Zefi brenda të cilit ishte letra që kishte nisur Zyhdiu. Në letrën brenda zarfit të madh shkruhej:

“Ore qen, armik i Partisë dhe i popullit, si guxon të më shkruash mua! Unë nuk jam bija jote, por e Partisë dhe nuk dua të të njoh kurrë. Në rast se e përsërit, unë do të të hedh në gjyq dhe do të shohësh ti, or qen armik se ç’do të bëhet me ty.”

Në zarfin e pahapur ishte adresa e një vajze në Berat. At Zefi e hapi atë letër dhe lexoi letrën që kishte shkruar Zyhdiu me dorën e vet:

“Shumë e dashura bija ime N.N.

“Të kam lanë të vogël, pesë vjeçe, por jam i sigurt se do më mbajsh mend. Jam i djegun për ty, sepse ti je i vetmi ngushëllim i jetës sime dhe mendje më rrin vetem te ti. Si je me shëndet, si shkon në shkollë. E vetmja dëshirë e imja asht që të jesh e lumtur. Më shkruaj e më qetëso! Babai yt i dashtun, Zyhdi Çitaku.”

“Mbeta i tronditun, – thotë At Zefi. Nuk dijshem ç’ti thojshem, por as pa fol nuk mund të rrijshem.

“Ndigjo Zyhdi, mos u dëshpro, sepse ti e din se nji e treta e të burgosurve janë braktisun nga fëmijët se kështu i ka detyrue partia.”

 

Shembull i kurajës dhe i sfidimit të pushtetit të së keqes: Musine Kokalari

Musine Kokalari është ikona e qëndresës së njeriut të pafuqishëm, por me karakter, ndaj një sistemi imoral dhe sadist shumë të fuqishëm. Ajo është pinjolle e një prej familjeve më intelektuale dhe më fisnike shqiptare. Është folur shumë për të si intelektuale, si shkrimtare, si politikane, por ka me qindra e me mijëra intelektualë, shkrimtarë apo politikanë të tjerë si ajo, apo më të zotë se ajo, por Musineja është e ndryshme prej tyre për karakterin e saj, për guximin e saj, për qëndrueshmërinë ndaj parimeve dhe idealeve të saj. Ajo nuk ishte nga ata që, midis alternativës mbijetesë, apo ndërgjegje të zgjidhte mbijetesën, ajo me vendosmëri dhe pa u lëkundur zgjodhi ndërgjegjen dhe kjo është merita më e madhe dhe më e padiskutueshme e saj, e pakrahasueshme me atë të shumë të tjerëve. Pasi i kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit, Muntaz e Vesim Kokalari, në nëntor të vitit 1944, gjatë periudhës që u quajt “çlirimi i Tiranës” (deshën të merrnin edhe vëllanë e tretë për ta pushkatuar, Hamitin, por ky, për fat, ishte i sëmurë me tifo dhe nuk e morën dot), si dhe disa kushërinj, Enver Hoxha, ndonëse kishte lidhje gjaku me ta, arrestoi dhe e dënoi edhe Musinenë, këtë vajzë të re, me 20 vjet burg. Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.

Pasi bëri 16 vjet  burg, e liruan, por e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit, e braktisur nga qytetarët e Rrësheni, por dhe nga familja. Qëndrimi i kësaj gruaje në gjyq, e cila doli e veshur me të zeza në shenjë zije për dy vëllezërit e  pushkatuar pak kohë më parë dhe ku tha se të mos ishe komunist nuk ishte krim, si dhe qëndrimi në burg dhe në internim, ishte modeli i një qëndrestareje gandiste që nuk i përkulej asnjë fuqie sado të fuqishme. Gandi thotë: “Nuk ka trimëri më të madhe sesa një refuzim i vendosur për t’iu gjunjëzuar një fuqie tokësore, pavarësisht se sa e madhe është ajo”. Dhe kjo grua ndjek me përpikëri udhëzimin e Gandit, ndonëse mund të mos e ketë njohur siç duhet atë.

Nga fundi i jetës, ajo sëmuret rëndë me kancer dhe vdes e vetmuar në internim, në Rrëshen.

Po perifrazoj tashti tregimin e Shaban Doçit, i cili u interesua për varrimin e saj:

“Unë isha në Lezhë. Atë ditë u ktheva në Rrëshen dhe mora vesh se një natë më parë, në orën 9 të darkës, kishte vdekur Musineja. Pasi shkova më parë në shtëpinë time, shkova tek ajo. Dera qe e mbyllur dhe çelësin e kishte kryetari i këshillit. I shkova kryetarit për t’i marrë çelësin, por ai fillimisht nuk ma dha. Iu  luta të ma jepte pasi i kisha premtuar asaj se do ta varrosja dhe se do të përgjigjesha për gjithçka. Më në fund, çelësin e mora. Shkova te shtëpia e Musinesë. Bashkë me gruan dhe kunatën, e nxorëm, e lamë, dhe shkuam te Komunalja për të bërë formalitetet e varrosjes. Komunalja nuk na dha as makinë, as ndonjë person për t’i hapur varrin.  Takova dhëndrin e Beqir Ballukut, Gjergji Gjergon (shënim: Gjergji Gjergo ishte shoku im i fëmijërisë, profesori i fizkulturës, nga të paktit, ndofta i vetmi, që shkoi në internim së bashku me gruan e tij, vajzën e Beqir Ballukut dhe nuk e ndau atë), i internuar edhe ai, dhe bashkë me një kosovar qe e quanin Ymer, hapem varrin. Kufomën e transportuam me makinën e zhavorrit. Gjithë lagjja u ngrit e na ka parë me urrejtje te jashtëzakonshme, sepse po varrosnim një të vdekur. Unë me gruan, kunatën dhe fëmijën tonë, bashke me Gjergjin e Ymerin, e kemi varrosur dhe kemi ngrëne dreken te varri i saj. Para vdekjes, Musineja i kishte thënë kunatës sime që të merrte ne telefon Platon Kokalarin, djalin e xhaxhait. Ai erdhi pas 2-3 ditësh dhe ne i dhamë gjithë materialet e Musinesë”. (Si e varrosa Musine Kokalarin, intervistë me Shaban Doçin, “Koha jonë”, 25 janar 2010).

Një rast tjetër të mohimit të saj nga të afërmit e kam dëgjuar të ketë ndodhur kur i vdiq e ëma në Tiranë. Mbas një kohe të gjatë burgimi dhe internimi, Musinesë  iu dha leje një ditore për të shkuar në Tiranë për të marrë pjesë në mortin e nënës. Me atë rast, do t’i krijohej mundësia për të parë, për t’u takuar dhe për t’u çmallur edhe me njerëzit e saj të afërm me të cilët ishte ndarë prej kohësh. Ajo shkoi në Tiranë për mortin e nënës, por njerëzit e saj të afërm u ndruajtën ta afronin. Ata e lanë atë mënjanë duke i dhënë të kuptonte se do të kishte bërë më mirë të mos kishte shkuar, sepse duke vajtur për t’u ndarë me nënën e vdekur, do të komprometonte e do të dëmtonte të gjallët. “Syri vigjilent” i partisë me siguri do të ishte edhe aty dhe do të vëzhgonte e do të raportonte se cili do të fliste me të. Sa keq! Ky është një shembull real i shëmtuar, ndonëse jo i vetmi, i sadizmit komunist, që synoi dhe arriti mjaft në zhburrësimin dhe në çfisnikërimin e shqiptarëve, në ndarjen e shqiptarëve, të këtij populli të vogël, që në njëfarë mënyre njihesh me njëri-tjetrin, në dy grupe armike të papajtueshme me njëri-tjetrin, gjë që vazhdon edhe sot. Ndonëse komunizmi shqiptar i paraqiste ngjarje të tilla si triumfe të politikës së tij, si dashuri e besnikëri e njerëzve për Partinë dhe urrejtje për armiqtë e saj, në të vërtetë ky ishte kulmi i imoralitetit të politikës së tij dhe të shoqërisë shqiptare, të “njeriut të ri” që kishte krijuar.

Duke cituar Martin Luter Kingun, po them fjalët e tij që i përshtaten më së miri Musine Kokalarit: “Yjet shndrisin më qartë në natën e errët”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas