Editorial

Përtej çdo debati, procesi i vettingut është historik për drejtësinë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Më në fund një lajm i mirë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i saj, Bashkim Dedja, kalon procesin e vettingut dhe konfirmohet në detyrë. Edhe pse duhet të presim ende që kjo Gjykatë të futet plotësisht në funksion. Por, këto janë efektet e një Reformë që ndryshon me themel drejtësinë shqiptare.



Sigurisht, debatet për suksesin ose jo të Reformës në Drejtësi mund të jenë të drejta, pasi skepticizmi në këto raste është i madh dhe i pashmangshëm. E megjithatë, Reforma në Drejtësi ka shënuar që tani një sukses të padiskutueshëm. Suksesin e procesit të vettingut që është duke u zhvilluar për trupën gjyqësore shqiptare.

Vettingu, është një proces, ku shpeshherë është anatemuar, ndonjëherë janë bërë edhe batuta me këtë proces të drejtësisë, duke u përpjekur që ta përqeshin apo ta konsiderojnë një absurditet, i cili nuk do të jepte asnjë nga rezultatet e dëshiruara.

Asnjëherë më parë, nuk e kishim menduar që e gjithë trupa gjyqësore shqiptare do të futej në një kontroll të tillë të pastërtisë të figurës së tyre, dhe kjo ndodhi falë Reformës në Drejtësi dhe procesit të vettingut që ajo parashikon. Në këtë kuptim, vettingu përbën padyshim një proces historik, dhe një precedent që po themelon nga e para të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare.

Efektet e tij janë të prekshme që në këto momente. Duke qenë se një nga problematikat më të mëdha të drejtësisë shqiptare ka qenë korrupsioni galopant në këtë pushtet, Reforma në Drejtësi ka arritur të bëjë pastërtinë e figurës së gjyqtarëve apo prokurorëve. Procesi i vettingut sapo ka filluar, shumë nga magjistratët shqiptarë kanë dhënë dorëheqjen dhe procesi duket në rrugë të mbarë.

Në këtë aspekt, ajo që mund të thuhet është fakti se hetimi pasuror i gjyqtarëve është marrë seriozisht. Jo vetëm kaq por, ka raste kur procesi nuk mjaftohet vetëm me vettingun, por edhe me hetimet penale që hapen kundër gjyqtarëve apo ish-gjyqtarëve të caktuar.

Në këtë drejtim, nuk mund të mohohet, kundrejt çfarëdo skepticizmi, që vettingu është një sukses i kësaj Reforme.

Reforma në Drejtësi, me gjithë diskutimet, më gjithë kritikat ndaj saj, ndonjëherë të drejta, tashmë është një proces i pakthyeshëm. Këtë gjë e përmendin sa herë që jepet rasti aleatët tanë ndërkombëtarë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Tashmë kjo Reformë është e shkruar në Kushtetutën tonë dhe, herët apo vonë, politika shqiptare do të jetë e detyruar ta zbatojë.

Ndoshta, suksesi i Reformës në Drejtësi matet shpesh në opinionin publik me arrestimet e pritshme për politikanë apo pushtetarë të rëndësishëm, por kjo është faza e fundit e kësaj reforme. Më së pari, duhen ndërtuar organet që parashikohen në drejtësinë e re, dhe të pastrohet pushteti gjyqësor nga figurat e korruptuara, duke ndërtuar kështu një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe të guximshme, që do të jetë në gjendje të kryejë hetime edhe ndaj pushtetarëve të rëndësishëm.

Nëse suksesi i Reformës matet me arrestimet e bujshme, jemi në rrugën e gabuar. Sepse nga uria e popullit shqiptar për drejtësinë e munguar në këto 27 vite, këtë gjë mund ta përdorë politika dhe hetimet të jenë tërësisht politike apo të ndikuara prej saj. Prandaj, faza e parë e Reformës në Drejtësi, nuk janë arrestimet e politikanëve, por ndërtimi i organeve të drejtësisë së re dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të pushtetit gjyqësor; më pas, vetëm një drejtësi e tillë ka kurajën të zhvillojë hetime të paanshme edhe për politikën. Çdo thirrje tjetër për drejtësi popullore, është vetëm në disavantazh të Reformës në Drejtësi.

 

PasPara

3 komente

  1. Nuk më duket se WETING-u është bërë objekt tallje e humori keqdashës për funksionin e tij.
    WETING-u u bë objekt kritikash nga opozita, vetëm kur kryeministri Rama filloi ta përmendë si një gjueti politike shtrigash ndaj opozitës.

  2. Gjykata Kushtetuese eshte bllokuar dhe qeveria merr vendime me ligje te posacshme, o idiot!

  3. Gjithçka që ka ndodhur deri tani në lidhje me vetingun është moszbatimi i tij, qoftë edhe si proces apo si rrugë e ndjekur. Punohet 7/7 ditë sipas parimit djallëzor: të ndryshojmë çdo gjë, për të mos ndryshuar asgjë ose për ta djallosur më keq. Mjafton të kujtojmë se kjo është inicuar e sponsorizuar nga miliarderi Soros. Pastaj , kjo po bëhet duke shkelur edhe mbi ato ligje të miratuara nga parlamenti ynë dhe të aprovuara nga Venecia etj. Kujto si u zgjodh Prokurorja e përgjithshme, gjoja e përkohëshme, duke shkelur mbi Kushtetutën dhe çdo lloj ligji që rregullon mbarëvajtjen e reformës. Emrimet apo shkarkimet e saj, duke shkelur me të katër këmbët mbi ligjet e njohura e të miratuara heret apo më vonë, pas të ashtuquajturit medemek “Weting.”Pra , asgjë historike, asgjë që t’i ngjajë sadopak Reformës në Drejtësi. Vetëm fasada, mashtrime, tymçe për popullin tonë dhe për nderkombëtarët se gjoja po bëjmë (djallosim ) reformën dhe kjo mjafton që bota të na thotë: Bravo! Institucionet e drejtësisë, tashmë, janë të bllokuara deri në shkallën më të lartë. Që kur ka filluar kjo zhurmë, ka pasur vetëm shkelje ligjesh për ekstradimet , arrestimet, me problemet e Tahirit dhe dëshmitarëve të tij, me Agronin apo Garonin e Xhafës dhe çdo lloj problemi të vogël apo të madh,duke filluar nga arrestimi i kuksianëve e duke përfunduar me qëndrimin ndaj xhafajve. Historike do të quhet dështimi i saj që në ngjizje, sepse ata që e trumbetojnë me daulle, që duan t’i veshin vetvetes meritat, janë pikërisht ata që, jo vetëm vetingu , por as spitali më modern nuk mund t’i shërojë, qoftë edhe një spital burg i merituar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas