Mapo Format

Përse shtetasit shqiptarë i drejtohen Gjykatës së Strasburgut?

Duke marrë shkas nga numri i madh i personave që i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për shkelje të të drejtave të tyre nga ana e shtetit shqiptar, Erjona Ramaj shtron pyetjen përse shtetasit shqiptar i drejtohen Gjykatës së Strasburgut; por jo vetëm Shqipëria, ka edhe shumë raste të shteteve të ndryshme të Europës, si: Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar etj. Në lidhje me të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Nga Erjona Ramaj



Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe konkretisht nenit 5 të saj ku thuhet se Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të. Dhe në nenin 116 të Kushtetutës tonë është e theksuar hierarkia e normave ku direkt pas Kushtetutës vinë Marrëveshjet Ndërkombëtare të ratifikuara dhe më pas ligjet e vendit. Dhe pikërisht këtu flasim për vendin që zë Konventa Europiane e të Drejtave të njeriut dhe pikërisht për detyrimin që kemi për zbatimin e kësaj konvente në të cilën aderojmë.

Gjykimi i drejtë dhe i paanshëm, si rezultat i procesit të rregullt dhe të drejtë, është një çështje shumë e rëndësishme dhe mjaft e trajtuar. Në dhënien e vendimit gjykata duhet të vërë në qendër të të drejtave dhe detyrimeve civile ose të ndonjë akuze penale garantimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor Çështja e garancive në procesin civil dhe penal, apo parashikimet kushtetuese te këtyre garancive, janë trajtuar edhe më parë nga gjyqësori shqiptar (para viteve ‘90) por janë bërë kryesisht në këndvështrimin e një shtetit totalitar me gjykata që ishin shumë pasive. Pas viteve 90’, në Shqipëri me miratimin e ligjit “Për dispozitat kryesore kushtetuese” u tentua të korrigjoheshin të tilla mangësi, duke parashikuar elementë garantues për një proces të drejtë, në të cilat do të mbështetej ky i fundit, që për kohën ishin shumë të evoluuara. Në frymën e shtetit të ligjit dhe të së drejtës, edhe në Kushtetutën e RSH, të miratuar në 1998, kanë zënë vend një sërë garancish të rëndësishme procedurale. Por pavarësisht këtyre garancive, në praktikën tonë janë hasur raste të mungesës së respektimit të tyre, duke ndikuar drejtpërdrejtë në ligjshmërinë dhe drejtësinë e procesit gjyqësor.

Megjithatë shpesh herë këto shkelje kanë gjetur mundësi “korrigjimi” në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka përcaktuar më së miri se, vendime të tilla gjyqësore janë dhënë në kundërshtim me parimet kryesore kushtetuese, çfarë sjellë edhe antikushtetutshmërinë e tyre. Mosrespektimi i parimit të procesit të rregullt ligjor përbën edhe rastet më të shumta që paraqiten përpara Gjykatës së Strasburgut jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga shtete të tjera si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Zvicra, Rusia, Austria, Italia, Irlanda etj. Ndaj, GJED i është dashur që të bëjë vazhdimisht dhe gjerësisht një interpretim të së drejtës për procese të rregullt ligjor si një parim me rëndësi themelore për funksionimin e demokracisë. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese është shprehur dhe ne vendimin nr. 20 datë 01.06.2011,ajo thekson se respektimi i KEDNJ-së dhe standardeve kushtetuese është detyrim jo vetëm i saj, por edhe i gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, në mënyrë të veçantë Gjykatës së Lartë për shkak të kompetencave të veçanta të saj të natyrës rishikuese, por edhe në drejtim të unifikimit të praktikës gjyqësore. Në çështjen Delcourt kundër Belgjikës, GJED deklaroi se “Në një shoqëri demokratike brenda kuptimit të Konventës, e drejta për një ushtrim të drejtë të drejtësisë zë një vend kaq të rëndësishëm sa një interpretim i kufizuar i Nenit 6 (1) nuk do t’i korrespondonte synimit dhe qëllimit të asaj dispozite”. Pyetja që ngrihet është se përse numri më i madh i ankesave që i drejtohen Gjykatës së Strasburgut ka për objekt të drejtën e procesit të rregullt ligjor?

Në vendimet e saj Gjykata është shprehur se e drejta e procesit të rregullt ligjor duhet parë si një e drejtë dinamike e lidhur ngushtë thuajse me të gjitha të drejtat e tjera kushtetuese që gëzojnë subjektet e së drejtës. Ndaj ka një tendencë, shpesh edhe “pa dashje” për të mos respektuar këtë garanci kushtetuese. Shkeljet e bëra nga shtetet përfshijnë si fushën e çështjeve civile, shtyrjen e procesit gjyqësor duke lënë pezull rezultatet e një çështjeje tjetër, vonesa në drejtimin e seancës nga gjykata ose në prezantimin a nxjerrjen e provave nga ana e Shtetit; ashtu edhe fushën e çështjeve penale. Shtetet ratifikuese të Konventës kanë përgjegjësinë për të siguruar ekzekutimin e vendimeve. Nga praktika e Gjykatës së Strasburgut është parë se shteti shqiptar ka dalë me shumë dëme monetare, detyrime të cilat nëse nuk i shlyen do t’i dalin probleme serioze nëse në një të ardhme do të jetë anëtare e BE. Ky studim analizon nga këndvështrimi i një metodologjie cilësore rëndësinë dhe rolin që ka garantimi i të drejtës së një procesi të rregullt ligjor para, gjatë, dhe pas procesit gjyqësor.

 Qëllimi i zbatimit të nenit 6.

Qëllimi kryesor në këtë studim është të tregojë se si shteteve nënshkruese të Konventës u duhet të përballen me GJED kur shkelin garancinë kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Edhe me konkretisht Shteti Shqiptar në Kushtetutën e vitit 1998 ka të shprehura elementet që garantojnë drejtpërdrejt ligjshmërinë dhe drejtësinë e procesit gjyqësor, përsëri ka shkelje të të drejtave apo kapërcim të këtyre të drejtave nga gjyqësori shqiptarë.

Dhe kjo bënë që numri i personave që i drejtohen Strasburgut të vij në rritje. Kjo vjen edhe si pasojë e mosfunksionimit të elementeve strategjik në luftën kundër korrupsionit që sjell edhe devijimin e dhënies së drejtësisë në Shqipëri. Gjithashtu të mosfunksionimit të balancimit të pushteteve, ku njëri pushtet merr kompetencat e pushtetit tjetër, ku përgjithësisht ai legjislativ mban nen kontroll pushtetin gjyqësor. Gjykatës Europiane të Drejtësisë i është dashur që të bëjë vazhdimisht një interpretim të së drejtës për proces të rregullt ligjor si një parim me rëndësi themelore për funksionimin e demokracisë. Pyetja që shtrohet është, përse numër i madh i ankesave që i drejtohet Gjykatës së Strasburgut ka për objekt të drejtën për një proces të rregullt ligjor? Shtetet ratifikuese të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut kanë përgjegjësinë për të siguruar ekzekutimin e vendimeve. Posaçërisht për sa i përket vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për legjislativin lind nevoja për të marrë masa për të harmonizuar legjislacionin e brendshëm me dispozitat e Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nëse nuk ka harmonizim pra nëse jemi ne rastin e vakumit legjislativ ose kur parashikimet ligjore bien ne kundërshtim me dispozitat e Konventës, atëherë gjyqtarët e çdo niveli duhet të zbatojnë drejtpërsëdrejti vendimet e Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut. Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është një çështje fondamentale për një shoqëri demokratike dhe të sundimit të ligjit. Pra një nga këto të drejta mjaftë të rëndësishme është pikërisht e drejta për një proces të drejtë gjyqësor e cila është parashikuar ne nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Garancitë e parashikuara në nenin 6 zbatohen jo vetëm në proceset gjyqësore, por edhe në fazat që paraprijnë dhe pasojnë ato. Në çështjet penale garancitë përfshijnë hetimet paragjyqësore të kryera nga policia.

Ndërsa në çështjet civile garancitë fillojnë që në momentin që ngrihet padia. Për procedurat pas seancës gjyqësore të tilla si ekzekutimi i një vendimi. Në çështjen Qufaj kundër Shqipërisë gjykata u shpreh se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor që mbulohet nga neni 6 do të ishte i rremë nëse një sistem ligjor vendas i një shteti kontraktues do të lejonte që të mbetej mos veprues në dëm të një pale, një vendim përfundimtar dhe i detyrueshëm gjyqësor. Neni 6 nuk parashikon të drejtën për apelim, por kjo e drejtë parashikohet ne nenin 2 të Protokollit nr.7 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në nenin 6 i garantohet gjithsecilit e drejta për një proces të rregullt gjyqësor në përcaktimin e të drejtave dhe të detyrimeve civile. Duke u nisur nga formulimi i këtij neni është e qartë se ai nuk i mbulon të gjitha proceset gjyqësore ku një individ mund të jetë palë, por kufizohet në ato që kanë të bëjnë me të drejtat civile dhe detyrimet. Gjykata e ka bërë të qartë faktin se koncepti i të drejtave dhe detyrimeve civile është autonom dhe nuk mund të interpretohet vetëm duke ju referuar të drejtës vetjake të palës kundërshtuese. Në këtë nen jepet dhe koncepti se çfarë kuptohet me akuzë penale, Njoftimi zyrtar që i jepet një individi nga autoriteti kompetent për një pretendim se ai ka kryer një vepër penale ose kur masat ndikojnë konsiderueshëm mbi gjendjen e të dyshuarit. Nëse akuza konsiderohet penale në të drejtën e brendshme të shtetit palë në konventë, neni 6 do të zbatohet automatikisht në procedimet penale. Neni 6 numëron një sërë elementesh që përbëjnë administrimin e mirë të drejtësisë dhe pikërisht në paragrafin e parë të saj shprehet e drejta për një seancë të hapur. Ky nen i garanton çdokujt të drejtën për një seancë të hapur në përcaktimin e të drejtave të tij civile ose të ndonjë akuze penale të ngritur kundër tij.

E drejta për një seancë të hapur ku marrin pjesë publiku dhe media garanton palët në mos abuzimin e gjykatave në dhënien e drejtësisë dhe rrit përgjegjësinë e saj. Prania e publikut në seancë gjyqësore rrit besueshmërinë në gjykata pasi drejtësia e fshehtë mbart në vetvete rreziqe, por mund të kemi përjashtim të publikut dhe medias kur kemi të bëjmë me interes të moralit, rendit publik dhe sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, ku kërkohen që të mbrohen interesat e të miturve ose të jetës private të palëve.

Çfarë përfshin nocioni i një “procesi të drejtë”?

Neni 6 deklaron se çdokush ka te drejtën e një seance të drejtë gjyqësore Detyra e gjyqtarit është të sigurojë që të gjitha palët në një mosmarrëveshje të kenë një “seancë të drejtë gjyqësore” për të cilën Konventa i jep këtë të drejtë. Nuk ka një garantim të shprehur mbi të drejtën e aksesit në një gjykatë në tekstin e Nenit 6, por Gjykata Evropiane është shprehur se kjo dispozite siguron për këdo të drejtën për të bërë çdo lloj pretendimi në lidhje me të drejtat e tij/saj civile dhe detyrimet përpara një gjykate apo tribunali. Megjithatë, e drejta për akses në gjykatë nuk është një e drejtë absolute. Gjykata u shpreh ne Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar se Nëse Neni 6 (1) do të kuptohej se kishte lidhje ekskluzivisht me drejtimin e një veprimi të caktuar që ka filluar përpara një gjykate, një Shtet Kontraktues, pa vepruar në kundërshtim me atë dokument, duhet të eliminojnë gjykatat ose t’ia heqin juridiksionin atyre duke u kufizuar në marrjen e vendimeve për disa veprime civile dhe t’ia besojnë të tjerat organeve që varen nga qeveria…do të ishte e paimagjinueshme sipas mendimit të Gjykatës që Neni 6 (1) të përshkruajë në detaj garancitë procedurale që iu jepen palëve në një ndjekje gjyqësore.

Në precedentin e saj Gjykata është shprehur më tej se çdo lloj kufizimi do të jetë në pajtim me Nenin 6 nëse ndjek një synim legjitim dhe nëse ekziston një marrëdhënie e arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe synimit që kërkohet të përmbushet Çështja e Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar kishte të bënte me një të burgosur të cilit i ishte refuzuar leja për të kontaktuar me avokatin e tij për të paraqitur çështjen e tij civile për shpifje kundër një oficeri burgu. Gjykata u shpreh se kjo ishte shkelje e Nenit 6 – e drejta për akses në gjykatë nuk duhet vetëm të ekzistojë, por duhet të jetë gjithashtu efektive.

Gjykata u shpreh gjithashtu se pamundësia e një të burgosuri për të patur konsultime konfidenciale përveç seancës gjyqësore me një avokat e privonte atë nga e drejta për akses në gjykatë Në disa çështje aksesi në gjykatë refuzohet për shkak të natyrës se ndërgjyqësit. Gjykata ka njohur faktin se kufizimet për akses në gjykatë për të miturit, personat me probleme mendore, të falimentuarit dhe ndërgjyqësit shqetësues nuk ndjekin një synim legjitim Në çështjen e Canea Catholic Church kundër Greqisë një gjykatë vendosi që kisha aplikuese nuk kishte personalitet ligjor në të drejtën greke Dihet se në çështjet penale, gjyqtari duhet të sigurohet që i pandehuri të përfaqësohet në mënyrën e duhur dhe të përfitojë të gjitha mjetet e nevojshme dhe të barabarta ashtu sikundër kundërshtari i tij. Jo gjithmonë ndodh kështu kur flitet për gjykatat shqiptare, por jo vetëm. Në çështjen e Krcmar dhe te tjerë kundër Republikës Çeke Gjykata deklaroi se “Një palë në procesin gjyqësor duhet të ketë mundësinë për tu njohur me provat e paraqitura gjykatës, si dhe me mundësinë për të komentuar mbi ekzistencën e tyre, përmbajtjen dhe vërtetësinë në mënyrën e duhur dhe brenda një kohe të përshtatshme, e nëse nevojitet, me shkrim e më përpara”. Një problem që haset edhe në jurisprudencën shqiptare është fakti se mungon njoftimi i palës akuzuese për tu paraqitur në seancë gjyqësorë. Për pasojë mbrojtësi ligjor i kësaj pale nuk mund ketë dijeni për përmbajtjen e dosjes. Gjyqtari, shpesh nuk sigurohet që i pandehuri të vihet në dijeni në detaje për akuzën kundër tij /saj. Ai gjithashtu nuk vë në dijeni mbrojtjen mbi konkluzionet që ai/ajo ka nxjerrë nga dosja e akuzës Gjyqtari gjithashtu duhet të vërë në dijeni mbrojtjen mbi konkluzionet që ai/ajo ka nxjerrë nga dosja e akuzës. Kjo qëndron veçanërisht nëse ato janë kryesore për marrjen e vendimit.

Çështje të tjera lindin për sa i përket përgjegjësisë së gjyqtarit nëse i pandehuri duket se është keqtrajtuar kur ishte në paraburgim. Ky fenomen ndodh shpesh në burgjet apo dhomat e paraburgimit në Shqipëri. Në shumë raporte të tij K.SH.H ka shprehur shqetësim në lidhje me kushtet dhe mënyrat e trajtimit të personave të burgosur apo të paraburgosur, që bien në kundërshtim të hapur me KEDNJ. Ndërsa gjykata ka deklaruar se kur një individ ngre një pretendim mbi faktin se ai është keqtrajtuar rëndë nga policia ose agjentë të tjerë të Shtetit, Neni 3, interpretohet së bashku me detyrimin e përgjithshëm të Shtetit sipas Nenit 1. Hetimi duhet të jetë në gjendje të çojë në identifikimin dhe dënimin e personave që janë përgjegjës. Nëse kjo nuk ndodh, ndalimi themelor e i rëndësishëm i torturës do te ishte joefikas në praktikë e do të mundësohej që agjentët e Shtetit të vazhdonin të abuzonin me të drejtat e atyre që do te ishin brenda kontrollit te tyre pa u ndëshkuar efektivisht Kështu në Selmouni kundër Francës, Gjykata deklaroi se kur mbahet një individ në paraburgim në gjendje të mirë shëndetësore dhe konstatohet së është plagosur në kohën e lirimit, i përket shtetit që të sigurojë një shpjegim të besueshëm mbi faktin se si u shkaktuan këto plagë. Lidhur me garancitë në procesin penal Gjykata është shprehur se i akuzuari duhet të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore Një gjyq penal në mungesë të të akuzuarit apo të një pale mund të lejohet në disa rrethana përjashtuese nëse autoritetet kanë vepruar me kujdes, por nuk kanë mundur të vënë në dijeni dhe mund të lejohet në interesat e ushtrimit të drejtësisë në disa raste sëmundjesh Një palë mund të heqë dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm në një seancë dëgjimore, por vetëm nëse akt dorëheqja është e qartë dhe “që ndiqet nga një mbrojtje minimale e duhur për rëndësinë e saj”.

E drejta për një seancë të drejtë përfshin parimin e barazisë së mjeteve që nënkupton në parim mundësinë për palët në seancë civile apo penale që të kenë njohuri edhe mbi komentet mbi provat e nxjerra ose hetimet e arkivuara Në këtë kontekst një rëndësi e veçantë duhet t’i jepet shfaqjes së ushtrimit të drejtë të drejtësisë. Këto parime zbatohen si për procesin penal

ashtu edhe me atë civil. Në çështjet penale ato mbivendosen me disa garanci të veçanta të Nenit 6 (3) por nuk kufizohen me ato aspekte te procedimeve. Për shembull, Gjykata u shpreh ne çështjen e Bonisch kundër Austrisë se kur një eksperti për dëshmitarët i caktuar nga mbrojtja nuk i jepet lehtësia e njëjtë si atij të caktuar nga prokurori i gjykatës, atëherë kemi shkelje të Nenit 6 (1). Më pas Komisioni u shpreh në Jespers kundër Belgjikës se parim i barazisë në mjete i interpretuar së bashku me Nenin 6 (3) imponon një detyrim mbi autoritetet gjyqësore e hetuese për të nxjerrë ndonjë material që është në zotërim të tyre, ose për te cilat ata mund të marrin akses, që mund të asistojnë te akuzuarin për të dhënë prova pafajësie ose për të marrë reduktimin e dënimit. Në Foucher kundër Francës Gjykata u shpreh se kur të pandehurit që dëshironte të përfaqësohej iu mohua aksesi nga prokurori i çështjes dhe nuk iu lejuan kopje të dokumenteve qe përmban çështja, e si rrjedhim nuk ishte në gjendje të përgatiste një mbrojtje te duhur, kjo rezultoi ne shkelje te parimit të barazisë në mjete. Neni 6 kërkon që gjykatat vendase te japin arsye mbi vendimet e tyre si një ndjekjet civile, ashtu edhe në ato penale. Gjykatat nuk janë të detyruara të japin përgjigje të detajuara për çdo pyetje, por nëse një kërkesë është thelbësore për rezultatet e çështjes, gjykata atëherë duhet ta specifikosh atë. Në jurisprudencën kushtetuese shqiptare, e cila është në përputhje me qëndrimet e mbajtura nga Gjykata Europiane për të drejtat e Njeriut ka konkluduar se “pa ndihmën e një avokati, procesi nuk mund të kontribuojë në mënyrë të dobishme në shqyrtimin e çështjeve juridike që qëndrojnë në thelb të mosmarrëveshjeve”. Edhe në raste të tjera Gjykata Kushtetuese (vendim nr. 7 datë 19.02.2007) ka konstatuar që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke zhvilluar gjykimin pa praninë e të pandehurit, ka zhvilluar proces të parregullt ligjor, pasi ka shkelur parimin e barazisë së palëve në procesin gjyqësor.

Cili është kuptimi i garantimit të afatit kohor të arsyeshëm?

Neni 6 i garanton çdokujt një seance brenda një afati kohor të arsyeshëm. Gjykata ka deklaruar se qëllimi i këtij garantimi është që të mbrojë “të gjitha palët në procesin gjyqësor…kundrejt vonesave të gjata procedurale”. Ky garantim me tej “thekson rëndësinë e dhënies së gjykimit pa vonesë që mund të vërë në rrezik efikasitetin dhe besueshmërinë”. Kuptimi i kushtit të afatit kohor të arsyeshëm është bërë si rrjedhim për të garantuar që brenda një afati kohor të arsyeshëm dhe me anë të një vendimi gjyqësor t’i jepet fund pasigurisë që ka një person për sa i përket pozitës së tij /saj lidhur me një akuze penale. Koha që duhet marrë në konsideratë fillon me nisjen e procedimeve në çështjet civile dhe ne ato penale me akuzën Gjykata do të shqyrtoje kohëzgjatjen e procedimeve që nga data në të cilën një Shtet Kontraktues ka njohur të drejtën për peticion individual, por do të marrë parasysh situatën dhe progresin e çështjes në atë ditë. Gjykata ka përcaktuar në precedentin e saj se kur bëhet vlerësimi nëse kohëzgjatja mund të konsiderohet e arsyeshme, faktorët e mëposhtëm duhen marre parasysh: kompleksiteti i çështjes, sjellja e kërkuesit, sjellja e autoriteteve gjyqësore dhe administrative te Shtetit dhe ajo që përbën rrezik për kërkuesin. Gjykata ka parasysh rrethanat e veçanta të çështjes dhe nuk ka caktuar një afat përfundimtar kohor. Vetëm vonesat qe i atribuohen Shtetit mund të merren parasysh në përcaktimin nëse është përmbushur afati kohor i arsyeshëm. Megjithatë, Shteti është përgjegjës për vonesat e shkaktuara nga te gjitha autoritetet e veta administrative ose gjyqësore. Në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e procedurave Gjykata ka marrë në konsideratë parimin e ushtrimit të duhur të drejtësisë, pra faktin që gjykatat vendase kanë detyrimin për të trajtuar në mënyrën e duhur çështjet që i paraqiten.

Çfarë kërkohet nga një gjykatë për të qenë e pavarur dhe e paanshme?

Çdo gjykatë duhet që të ketë parasysh që në çdo rast të dhënies së drejtësisë duhet detyrimisht të jetë e pavarur dhe e paanshme, në mënyrë që të garantohet zbatueshmëria e legjislacionit vendas dhe atij ndërkombëtar që të kemi ekzistencën e një shteti demokratik. Gjykata duhet të ketë parasysh që ti marrë këto dy të drejta të ndara nga njëra-tjetra se shpesh këto konsiderohen si të jenë një e drejtë e vetme.

Neni 6 deklaron se çdokush ka të drejtën për një seancë gjyqësore nga një gjykatë e pavarur

dhe e paanshme e krijuar me ligj. Dy kushtet e pavarësisë dhe paanshmërisë janë të ndërlidhura dhe shpesh Gjykata i merr në konsideratë së bashku. GJED është shprehur se gjykata duhet të jetë e pavarur si nga ekzekutivi edhe nga palët. Dyshimet për sa i përket dukjes së pavarësisë në njëfarë mase duhet te justifikohen objektivisht. Ne çështjen e Belilos kundër Zvicrës një “Bord lokal i Policisë” i cili gjykoi disa shkelje të kryera nga të miturit ishte i përbërë vetëm nga një anëtar – një polic i cili vepronte në kapacitetin e tij personal.

Megjithëse ai nuk iu nënshtrua urdhrave, e bëri një betim që nuk mund ta linte atë, më vone iu kthye detyrave në rajonin e tij dhe tendenca ishte që ai të konsiderohej si anëtar i forcave të policisë që varej nga superioret dhe qe ishte besnik ndaj kolegeve të tij, e si rrjedhojë do të thyente konfidencën që një gjykatë duhet të nxisë. Ekzistonin dyshime legjitime për sa i përket pavarësisë dhe paanshmërisë organizuese ne Bordin e Policisë që nuk përmbushnin kushtet e Nenit 6 (1). Gjykata u shpreh ne Piersack kundër Belgjikës se Ndërsa normalisht paanshmëria nënkupton mungesën e paragjykimeve ose anshmërisë, ekzistenca e saj ose mos ekzistenca në mënyrë të dukshme në bazë të Nenit 6 (1) të Konventës do të testohet në mënyra të ndryshme. Mund të bëhet një dallim në këtë kontekst midis një mënyre subjektive që përbën përpjekjen për të siguruar dënimin personal të një gjyqtari te caktuar ne një çështje të caktuar, dhe një mënyre objektive që nënkupton përcaktimin nëse ai ofron garanci te mjaftueshme për të përjashtuar ndonjë dyshim legjitim në këtë kuadër. Për sa i përket paanshmërisë subjektive Gjykata kërkon prova të anshmërisë aktuale. Paanshmëria personale e një gjyqtari të duhur të emëruar prezumohet derisa të ketë prova për të kundërtën. Ky është një prezumim shumë i fortë dhe në praktike është mjaft e vështirë që të provohet anshmëria personale. Asnjë pretendim i tillë nuk ka qenë i suksesshëm në Strasburg pavarësisht nga ankimet e shpeshta. Për sa i përket testit të objektivitetit Gjykata deklaroi në Fey kundër Austrisë se Në bazë të testit të objektivitetit duhet të përcaktohet nëse, përveç faktit te sjelljes personale të gjyqtarit, ekzistojnë fakte të vërtetueshme që mund të ngrenë dyshime për sa i përket paanshmërisë së tij. Në këtë kuadër edhe dukja e pavarësisë objektive mund të ketë rëndësinë e vet. Ajo që është ne rrezik ka të bëjë me besueshmërinë që duhet të nxisin gjykatat në një shoqëri demokratike në publik dhe mbi të gjitha, për sa i përket ndjekjeve penale në të akuzuarin. Kjo nënkupton që në marrjen e vendimit nëse në një çështje të caktuar ekziston një arsye legjitime për të pasur frike se një gjyqtari të caktuar i mungon paanshmëria, këndvështrimi i të akuzuarit është i rëndësishëm por jo vendimtar. Ai që është vendimtar është fakti nëse kjo frikë mund të justifikohet në mënyrë objektive. Gjykata e ka bërë të qartë që cilido gjyqtar në lidhje me të cilin ekziston një arsye legjitime për të pasur frikë se i mungon paanshmëria duhet të tërhiqet. Ekzistenca e procedurave kombëtare për sigurimin e paanshmërisë janë gjithashtu me vend në këtë kuadër. Ndërsa Konventa nuk specifikon shprehimisht se duhet të ketë mekanizma me anë të të cilëve palët në procesin gjyqësor do të jenë në gjendje të sfidojnë paanshmërinë, shkeljet e Nenit 6 kanë më shumë të ngjarë të ndodhin kur ata mekanizma mungojnë. Nëse një i pandehur ngre problemin e paanshmërisë, ajo duhet të hetohet përveç kur është “haptazi pa vlerë një hetim i tillë”.

* Universiteti Europian i Tiranës, Fakulteti Juridik, Profili: Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ditët e Studimeve Shqiptare, 2016. Titulli është redaksional, origjinali: E drejta për një proces të rregullt ligjor.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *