Editorial, Kryesore

Përse Pandeli Majko vazhdon ende të jetë ministër i kësaj qeverie!?

Nga Ervis Iljazaj

U bë tashmë hera e dytë, që ministri Pandeli Majko, në mënyrë demonstrative, del kundra qeverisë së tij për prishjen e Teatrit. Edhe kësaj here, mungesa e tij në seancën parlamentare ra në sy. Deri këtu, nuk ka asnjë gjë të çuditshme. Ndodh që, një Ministër është kundër vullnetit të qeverisë apo politikave të saj. Shembuj ka pafund. Mirëpo, çudia në këtë rast është se, Pandeli Majko vazhdon ende të jetë Ministër, vazhdon ende të paguhet si i tillë nga një qeveri më të cilën është kundra në një nga çështjet më të nxehta politike dhe shoqërore të kohëve të fundit, si ajo e Teatrit Kombëtar.



Kjo është një sjellje e papranueshme nga ana e një ministri, që në fakt, nuk e ka për herë të parë një të tillë gjatë karrierës së tij politike. Do ishte i nderuar zoti Majko, nëse do të jepte dorëheqjen, do të braktiste mazhorancën dhe do t’iu bashkohej protestave për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Me aktin e tij, nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. Me përplasjen publike me Kryeministrin dhe me qeverinë e tij, nuk bëri asgjë tjetër veçse vuri në dyshim vullnetin e qeverisë ku bën pjesë. Nxori në një dritë të dyshimtë politikat e saj dhe të Kryeministrit të tij.

Ku e gjen të drejtën një Ministër të vërë në dyshim vullnetin e një qeverie?

Si është e mundur që një ministër të vërë në vështirësi punën e qeverisë ku bën pjesë dhe të vazhdojë të jetë në ekipin e saj ende?

Aq më tepër në një çështje kaq të ndjeshme si kjo, ku qeveria ka marrë përsipër gjithë barrën dhe përgjegjësinë të prishë Teatrin Kombëtar, sepse mendon që një i ri është më i përshtatshëm për kulturën shqiptare. Dhe për më tepër, të vazhdojë të jetë ende ministër i kësaj qeverie.

Përtej debatit nëse qeveria ka të drejtë apo jo, për sa i përket prishjes së Teatrit Kombëtar, që nuk është temë e këtij editoriali, veprimi i Pandeli Majkos, është një nga veprimet më absurde të politikës shqiptare. Dhe politika shqiptare, ka vuajtur shumë nga ata politikanë, që me demek janë të moralshëm dhe të ndjeshëm për çështjet e interesit publik, por ndërkohë, vazhdojnë e ushqehen nga pushteti ku bëjnë pjesë.

Në këtë kuptim, vazhdimi i tij në detyrë si Ministër në këtë qeveri, është thjesht i papranueshëm. Është një veprim jo politik, hipokrit dhe i pabesë politikisht.

Sepse, zoti Majko, as nuk e bëri aktin e tij të plotë në mbrojtje të teatrit duke protestuar kundër prishjes së tij dhe të jepte dorëheqjen, dhe as ishte pro politikave të qeverisë së tij duke iu bashkangjitur vullnetit të përgjithshëm të saj.

Para disa javësh, ministri i Jashtëm Boris Johnson dhe ai i Brexit David Davis, dhanë dorëheqjen pasi nuk ishin dakord me politikat e Kryeministres May për marrëdhëniet tregtare që kjo e fundit planifikonte të kishte me BE-në pas daljes. Ky po që është një veprim politik i qartë, i duhur dhe koherent. Totalisht i kundërt nga ai i ministrit Majko kundrejt qeverisë së tij. Prandaj, zoti Majko me këtë akt, nuk doli as i moralshëm, as i drejtë dhe as politikisht korrekt. Por, si shumë herë të tjera, mbajti një qëndrim “as mish dhe as peshk”, ashtu sikurse thotë një shprehje e urtë popullore.

PasPara

1 koment

  1. Rama e njeh Majkon, ia di aftësitë dhe integritetin, por i dha një ministri që mund ta drejtonte edhe një nëpunës i thjeshtë i gjendjes civile, ndoshta edhe Tomë Doshi. Ai ministrat i ka sa për numer, pasi ato i drejton vetë , siç bën shumë mirë policin , gjyqtarin dhe prokurorin. Majko, thonë se e ka kërkuar dorëheqjen, por Rama nuk ia pranoi. Le të rrijë aty, thotë Rama. Ai nuk ngre as nuk ulë. Votat, kur nuk i dalin tamam, i blen te tregu i parlamentit ose u bën shantazh, pasi shumë prej tyre vinë nga bota e errët e krimit. Jo vetëm Majko , por gati gjysma e deputeve të ripjerdhjes duhet të jepnin dorëheqjen , nëse u ka mbetur ndonjë gram ndershmëri. Krimi që kultivoi ky biçim shteti po destabilizon Evropën. Le ta mohojë Rama dhe Palla( Balla) sa të duan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas