Kryesore

Përse kjo protestë është në të vërtetë ‘lëvizja e memeve’






               Publikuar në : 10:02 - 10/12/18 |
mapo.al

Shqetësimi i vërtetë lidhet me të ardhmen. Ajo ofron ankth dhe pasiguri. Që të lexosh krizën, duhet të kishe lexuar memet


Nga Enton Palushi

“Pranoni kushtet se na mbaruan memet”. Kështu thuhej në një nga pankartat e studentëve të mbledhur për ditë me radhë përpara Ministrisë së Arsimit në një protestë që ka futur shumë njerëz në garë për të kuptuar se nga erdhi. Por nëse do u referohesh parullave që ata kanë hedhur gjatë kësaj kohe, e kupton se nuk duhet shumë punë për të kuptuar se origjinën e saj duhet ta kërkojmë në rrjetet sociale, madje te një fenomen pak i diskutuar, por tejet i përhapur dhe me shumë ndikim, i quajtur meme.

***

Në vitin 1976, biologu Richard Dawkins shkroi një libër me ndikim të jashtëzakonshëm në botë, të titulluar “The Selfish Gene”. Në përpjekje për të shpjeguar se si përhapen informacionet kulturore, ai përdori termin meme. Sipas tij, memet janë një ide, sjellje ose stil që përhapet nga një person te një tjetër brenda një kulture. Një meme është një njësi që mban ide kulturore, simbole apo praktika, që transmetohen nga një mendje te tjetra përmes të shkruarës, fjalimeve, gjesteve, ritualeve ose fenomeneve të tjera. Nëse e pyet sot, Dawkins, që jo pak herë ka përfunduar si personazh memesh në rrjet, thotë se ideja e tij fillestare ka pësuar mutacion. Konceptin e memeve në internet e përdori i pari Mike Godwin teksa shkruante për revistën ‘Wired’. Sot memet janë një medium me ndikim shumë të madh, aq sa përllogaritet se efekti i tyre te një marrës është thuajse tre herë më i madh se ai i një shkrimi të mirë gazete. Nuk është e vështirë që ta kuptosh këtë, kur sheh se një meme e mirë në rrjet mund të bëhet virale dhe të shpërndahet me mijëra herë. E megjithatë, deri në vitin 2007, memet ishin thjesht disa copëza humori kryesisht me kafshë, pa ndonjë ndikim të madh.

U desh ardhja e vitit 2008, që memet të shpërthejnë në rrjetet sociale dhe të bëhen një forcë e madhe. Çfarë kishte ndodhur? Në botë kishte pllakosur kriza financiare.

***

Robert Allam, 32 vjeç, ishte një nga ata që u prek nga kriza financiare. Ndërsa ishte në kërkim të punës në Londër pas diplomimit për arkitekturë, ai e kuptonte se terreni ishte bërë i vështirë edhe për një profesion si i tij. Teksa kërkonte për punë, ai nisi që të postonte meme të shumta në rrjetin social Reddit, që sot është faqja e 18-të më e njohur në botë. Nën pseudonimin Galloëboob, ai u bë një nga postuesit më të ndjekur në rrjet, duke krijuar meme që bëheshin menjëherë virale në faqen, e cila ishte kthyer në një destinacion të rëndësishëm për të gjithë të rinjtë që kërkonin të shprehnin frustrimin me papunësinë dhe mungesën e shpresës.

Për Brian O’Connor të BBC, memet u kthyen në ngushëllim për të rinjtë e dëshpëruar nga kriza. Ato nisën të njihen edhe si memet e krizës dhe të tilla kanë mbetur edhe sot.

“Gjatë krizës financiare, memet ishin një mundësi për të shprehur pasiguritë në lidhje me të ardhmen dhe brezi i internetit mund t’i diskutonte çështjet në kohë reale”, shkruan O’Connor.

“Ndërsa bota po përballej me një prej recesioneve më të vështira në dekada, përdoruesit e internetit gjetën sistemin e tyre global të komunikimit, duke shprehur frustrimet dhe opinionet jashtë kornizës së mediave konvencionale”.

E në kohë krizash është e lehtë që të kesh një opinion ekstrem, që mund ta shprehësh përmes memeve. Dhe siç e kërkon vetë mënyra se si operojnë rrjetet sociale, nëse je ekstrem, tërheq kollaj vëmendjen.

Për vendet e zhvilluara, kriza duket se është lënë pas, por memet vazhdojnë të mbeten një mjet i mirë për të treguar solidaritet për një gjeneratë të disavantazhuar siç është ajo e milenialëve.

***

Milenialët? Gjenerata X? Gjenerata e humbur? I keni dëgjuar ndonjëherë këto terma në median shqiptare? Nuk ka shans. Ndërkohë që për të huajt, brezi i ri, ata që kanë dalë në rrugë sot, shihen si të dizavantazhuar. Vërtet bota është shumë më e mirë se ç’ka qenë më parë, por a e keni menduar ndonjëherë se sa e vështirë po bëhet për këtë gjeneratë që të gjejë një punë të mirë? Që të sigurojë një banesë siç duhet? Që të ndjekë karrierën? Këto janë shqetësime që i sheh vazhdimisht të shtruara në median e vendeve të zhvilluara. Por këto janë edhe problemet e gjeneratave X dhe milenialëve shqiptarë. Punët e mira janë të kufizuara dhe numri i të diplomuarve është më i lartë se tregu. “Në 30 vitet e ardhshme më shumë njerëz në të gjithë botën do të diplomohen falë edukimit sesa ndonjëherë, që nga fillimi i historisë. Më shumë njerëz, dhe ky është kombinimi i të gjithë gjërave për të cilat folëm – teknologjia dhe efekti i saj transformues në punë, demografia dhe shpërthimi gjigant në popullsi. Papritur, diplomat nuk vlejnë më. A nuk është kjo e vërtetë? Kur unë isha student, nëse ti kishe një diplome, ti kishe një pune. Nëse ti nuk kishe një punë, kjo vinte prej faktit se ti nuk e doje një të tillë”, thotë Sir Ken Robinson, një ekspert i edukimit.

Të blesh një shtëpi dhe të nisësh jetën po bëhet gjithmonë e më e vështirë edhe në Tiranë. E po ashtu taksat mbeten një problem i madh. Mjafton të shohësh se sa qesharake tregohet qeveria kur flet pa të keq për karburantet, që i ka ngarkuar me taksa, sikur të mos ishte nafta ajo që njihet ndryshe edhe si ‘gjaku i ekonomisë’.

Dhe ata që kanë dalë në rrugë para ministrisë, vërtet do ishte mirë që të luftonin korrupsionin nëpër universitete dhe të kërkonin arsim më të mirë dhe konkurrues në një botë që bëhet gjithmonë e më globale dhe kompetitive. Por ata kanë në mendje të ardhmen dhe ajo nuk u duket premtuese.

***

E ardhmja është ajo që shqetëson këdo. Qasja frojdiste, se problemet e një njeriu duhen kërkuar tek shqetësimet e së shkuarës, ka vdekur me kohë. Sipas Martin Seligman, themelues dhe drejtues i shoqatës së psikologëve amerikanë, njerëzit nuk e kanë shqetësimin me të shkuarën, por me të ardhmen. “Ne jemi ‘homo prospectus’”. Kjo ishte koha kur memet dolën nga ekranet e celularëve dhe kompjuterave në rrugë. Duhej ta kishim parashikuar.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas