Editorial, Kryesore

Përse agjendën kulturore e vendos ende politika?

Nga Ervis Iljazaj

U desh një fjalim brilant i Kryeministrit Edi Rama me rastin e kthimit në atdhe të eshtrave të Mit’hat Frashëri, për të ndezur një debat të madh publik për rolin dhe figurën e tij. Aq më tepër kur, lartësimi i figurës së tij vjen nga një Kryeministër që përfaqëson të majtën shqiptare, atëherë, debatet janë edhe më të ndezura.



Për faktin se, shumë nga figurat historike të Shqipërisë, për fat të keq, janë vlerësuar shpeshherë ideologjikisht, dhe jo me një logjikë të ftohtë historike. Ky është problemi më i madh që ka historiografia shqiptare, e cila nuk po arrin dot të dali nga indoktrinimet politike për të shkruar një histori ashtu sikurse duhet të jetë.

Në fakt, nuk është vetëm ky problemi. Ka edhe një problem tjetër në të gjithë këtë histori. Politika shqiptare, vazhdon ende të përcaktojë agjendën kulturore dhe historike. Nëse për shembull Kryeministri i Shqipërisë nuk do të kishte mbajtur atë fjalim për Mit’hat Frashërin, është e sigurt se nuk do të kishim debate kaq të ndezura. Edhe për faktin se, shumë nga nostalgjikët e komunizmin ngelën të zhgënjyer nga fjalimi i Edi Ramës.

Ende nuk e kanë kuptuar se, Partia Socialiste e sotshme, ka pak ose aspak të ngjashme me partinë komuniste. Sigurisht prejardhjen e ka pres reformimit të Partisë së Punës, por, si çdo ideologji politike është tërësisht e transformuar. Edi Ramës mund t’i thuash shumë gjëra, por vetëm që është komunist nuk mund t’i thuash. Prandaj, shumica e nostalgjikëve të indoktrinuar nga ish-Partia Komuniste, ngelën të habitur, madje e akuzuan Ramën për varrosje të së majtës.

E megjithatë, debati për figurën e Mit’hat Frashërit nuk duhet të ishte një debat i lindur nga politika, por nga historianët, të cilët me studimet e tyre shkencore kanë për detyrë t’ia imponojnë agjendën kulturore politikës dhe jo anasjelltas. Edhe kësaj herë, ndodhi që politika e imponoi këtë agjendë.

Përse politika shqiptare, përtej çdo agjende tjetër tashmë, vazhdon ende të vendosë atë kulturore dhe historike?

Është faji i mungesës së imponimit të historianëve në jetën publike apo ndoshta e një regjimi partitokratik që tashmë kemi vendosur?

Përgjigjja është arsyeja e dytë. Përpjekjet e historianëve dhe njerëzve të kulturës nuk kanë munguar gjatë këtyre viteve, por më sa duket, forca e madhe e politikës dhe prezencës së saj në çdo sektor, është si një gravitet pushteti, e cila nuk lë hapësirë për asnjë fushë tjetër.

“Murtaja italiane”, titullohet një libër i botuar nga radikalët e majtë italianë në vitet ‘70-80.Që nga titulli kuptohet fare mirë që kemi të bëjmë me një sëmundje, të rëndë madje. Partitokracia, ishte sëmundja për të cilën fliste ky libër. Aty kritikohej ashpër jeta politike e Italisë në ato vite, për shkak të një kulturë politike, e cila bazohej te forca e madhe që partitë politike kishin në të gjitha sferat e shoqërisë. Këto të fundit kishin uzurpuar çdo gjë: ekonominë, shoqërinë, shtetin dhe jetën kulturore në një vend i cili ka mbijetuar vetëm në saj të kulturës. Forca e tyre e madhe ishte përhapur si një sëmundje infektive dhe kontaminuese, deri në zyrat më të parëndësishme të shtetit Italian. Një sistem partitokratik, që në pjesën më të madhe të funksionimit të shtetit ishte kthyer në një forcë arbitrare.

Shqipëria sot, ka të njëjtin problem, pikërisht si Italia e viteve ‘70-80. Përtej partive politike nuk ekziston asgjë. Ato janë kthyer pothuajse në institucione fetare. Nga liderët e tyre presim mrekullitë që s’do të arrijnë kurrë. Vetë ata, kanë marrë rolin e një profeti ku duhet me patjetër të besojmë. Duhet të përqafohet pa kusht dogma e tyre, në të kundërtën je duke kryer një herezi e cila ndëshkohet rëndë.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona. Tanimë vendos edhe për fatin historik të shumë figurave të kombit shqiptar.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas