Kronika, Kryesore

Përmbytet Shqipëria, 3 viktima në Laç

permbytjeReshjet e mëdha të shiut të rëna gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm kanë sjellë përmbytje të mëdha në të gjithë Shqipërinë, por veçanërisht në Lezhë dhe Laç, ku kanë marrë edhe jetën e 3 personave.

Ngjarja më rëndë ndodhi në qytetin e Laçit, ku një masiv uji dhe dheu, morën përpara një makinë, ku udhëtonin dy persona, babë e bijë.



Gjon dhe Dorina Kola, 56 dhe 23 vjeç, kanë humbur jetën menjëherë. Trupi i Gjon Kolës u gjet në makinën e përmbytur, ndërsa i vajzës së re, u gjet 2 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Pak orë pas kësaj ngjarjeje, një tjetër tragjedi ndodhi, këtë herë në fshatin Skuraj. Dy të rinj që po udhëtonin me një motor janë marrë para nga uji, pasi ishin mbi një urë.

Liman Balluku, 22 vjeç, humbi jetën si pasojë e shembjes së urës, ndërsa një shok i tij ka mundur që të shpëtojë, duke dalë në breg. Trupi i të riut ende nuk është gjetur.

Ndërsa në Laç, reshjet sollën viktima, në Lezhë, është përmbytur i gjithë qyteti dhe fshatrat. Situata emergjente ka bërë që atje të shkojë gjithë kabineti ministror.

Në krye të shtabit të emergjencave janë vënë ministrat, Saimir Tahiri dhe Mimi Kodheli.

Qindra forca ushtrie, policie e zjarrëfikës, bashkë me mjetet e tyre ndodhen prej më shumë se 18 orësh në Lezhë.

Për shkak të ngritjes së nivelit të ujit, është ndërprerë edhe energjia elektrike, duke bërë që asnjë prej hidrovoreve të mos punojë për disa orë.

Në orët e drekës, ka nisur dhe puna për heqjen e ujit, ndërsa është duke u punuar me kapacitete maksimale.

Përmbytje ka pasur edhe në Tiranë, ku lumi i Lanës ka dalë nga shtrati në zonën e Pallatit me Shigjeta. Dhjetëra banesa e dyqane janë përmbytur, ndërsa dëmet janë të mëdha.

Edhe në zonën e Shkozës dhe Kodrës së Priftit ka pasur probleme, për shkak të daljes së lumit Lana nga shtrati.

Disa banesa kanë qenë për disa orë të bllokuara nga uji, ndërsa nuk ka pasur të lënduar, por dëme materiale.

Ndërkaq në të gjitha rrugët e kryeqytetit në orët e mbrëmjes së djeshme ka qenë e vështirë lëvizja, pasi uji kishte shkuar në disa vende edhe në 80 cm lartësi.

Në Shkodër, këtë rradhë nuk ka pasur probleme të mëdha, përveç bllokimit për disa orë të kanaleve kulluese, duke sjellë edhe vështirësi në lëvizje.

Edhe në Durrës ka pasur disa probleme në qarkullimin në rrugët e qytetit, ndërsa në Kodrën e Currilave dhe Shkozet kishte disa rrëshqitje të lehta.

Në Elbasan dhe Fier, kishte vështirësi lëvizjeje në disa rrugë rurale, ndërsa janë përmbytur edhe disa banesa në periferi. Kryesisht në Fier, lumi Gjanicë ka sjellë disa dëme materiale.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas