Kryesore

‘Perandoria’ Çilotaj: Historia e vrasjes së një prostitute dhe vila që po thyen rrjetin

Në nëntor të vitit të mbrapshtë 1997, Nurie Hoxha u largua nga Shqipëria me ëndrrën për të nisur një jetë të re në Athinë. Vajza ishte 24 vjeç e kapërceu për herë të parë pragun e qytezës së Patosit, në ndjekje të premtimit për martesë nga Muhamet Shpërdheja.

Në vend të martesës, 24-vjeçarja “u pagëzua” me emrin Katerina dhe u detyrua të punonte në një shtëpi publike. Tre muaj pas mbërritjes në Athinë, ajo vdiq nga dhuna barbare, e ndëshkuar se nuk mundi të fitonte më shumë para për të fejuarin e saj tutor.



“Ajo duhej të siguronte më shumë se 14 klientë në natë për të bërë shumën e parave që duhej,” ka dëshmuar për prokurorinë E.Sh, një tjetër ish-punëtore seksi dhe dëshmitare e natës së krimit të ndodhur më 13 shkurt 1998.

“Muhameti e goditi atë në pjesë të ndryshme të trupit, pas derës dhe mureve të dhomës. Më pas, i ka vënë duart në fyt dhe e ka mbytur,” thuhet në dëshminë e vajzës, ku implikohet si bashkëpunëtor edhe i vëllai tjetër, Shpëtim Shpërdheja.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dosjeve gjyqësore tregojnë se ndonëse u akuzuan nga drejtësia greke dhe ajo shqiptare për shfrytëzimin për prostitucion dhe vrasjen barbare të 24-vjeçares Nurie Hoxha, Muhamet dhe Shpëtim Shpërdheja i shpëtuan drejtësisë. Në të kundërt, ata u kthyen në Shqipëri, ndërruan identitetin dhe nisën të hidhnin themelet e perandorisë së tyre financiare, që sipas Prokurorisë së Fierit kap sot vlerën e dhjetra milionë eurove.

Sot rreth të 50-ave, Muhamet Shpërdheja është ende në arrati ndonëse mban mbi shpinë një dënim me 16 vjet burg për shfrytëzimin e Nurie Hoxhës për prostitucion dhe vrasjen e saj. Ndërsa vëllai i tij, Shpëtim Shpërdheja u dënua me 14 vjet burg nga Gjykata e Fierit për bashkëpunim në vrasje, por vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila i dha pafajësinë.

Të kthyer fillimisht në Shqipëri ditën kur viktima e tyre ndërroi jetë, vëllezërit Shpërdheja tentuan të fshijnë gjurmët e krimit përmes ndërrimit të identitetit. Në tetor 2011, me një vendim të këshillit bashkiak të Patosit, e gjithë familja e ndërroi mbiemrin në Çilotaj.

Një vendim i 31 majit 2018 i Gjykatës së Fierit identifikoi se familja Çilotaj zotëronte mbi 100 apartamente në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Sarandë, sipërfaqe të konsiderueshme toke si dhe dhjetra llogari bankare, të cilat dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale. Përveç aseteve në pasuri të patundshme, ata zotëronin gjithashtu kompani ndërtimi dhe hidrokarburesh, të cilat janë vendosur tashmë në sekuestro preventive nga Gjykata e Fierit.

Në të njëjtën ditë, gjykata vendosi masën e “arrestit me burg” për dy vëllezërit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj si dhe “detyrim paraqitje” për babanë e tyre, Agurin dhe vajzën e Vladimirit, Jonidën.

Sipas Prokurorisë së Fierit, vëllezërit Çilotaj akuzohen se janë përfshirë në një skemë pastrimi të parave, që dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale, në bashkëpunim me pronarin e një pike të këmbimit valutor.

Të enjten e 19 korrikut 2018 u njoftua se Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi sekuestro mbi pasuri të luajtshme/të paluajtshme të shtetasve Shpëtim Çilotaj, Vladimir Çilotaj, Agur Çilotaj dhe Jonida Çilotaj.

Procedimi për shtetasit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj nisi pas informacioneve se ata ishin të përfshirë në aktivitete kriminale, për të cilat janë dënuar në Shqipëri, Belgjikë dhe Greqi per disa vepra penale

Pasurite e sekuestruara janë si më poshtë:

Pasuritë e subjektit Agur Çilotaj:

-Në Fier, njësi (studio piktori), me sip.40 m2.

-Apartament banimi 91.25 metër katror në Sarandë.

-Apartament 89.29 metër katror.

-Tokë truall 2721 metër katror në Shkallnuar, Durrës dhe tre ndërtesa sociale 509 metër katror, total 1500 metër katror ndërtim.

Pasuritë e subjektit Vladimir Çilotaj:

-Apartament 98 metër katror.

-Truall 500 metër katror në Golem.

Pasuritë (ndërtim i paligjshëm) e shtetasit Vladimir Çilotaj, për të cilat ka aplikuar në zyrën e ALUIZNI-it Fier.

Pasuritë e shoqërise “Çilotaj Group ltd” shpk:

-Godinë 290.6 m2, në emër të “Çilotaj Group Ltd”.

-Godinë 290.6 m2.

-Truall 6134 m2 truall dhe 2460.2 m2 ndërtesë.

-Truall 3020 m2 në emër të “Çilotaj Group”.

-Truall 2000 m2, Golem.

-Apartament 98 m2.

-Prona e llojit apartament 64.60 m2.

-Prona e llojit apartament 98 metër katror

Pasuritë e shoqërisë “Ladi 2008” sha:

-Pasuria e llojit arë 6000 m2

-Pasuria godinë banimi dhe shërbimi 9 kate në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë.

Pasuritë e subjektit Jonida Çilotaj:

-Pasuria 82 metër katror, apartament.

Sekuestrimin e sendeve të luajtshme:

-Të gjithë asetet, kapitalet, të drejtat dhe çdo interes pasuror, përfshirë dhe llogaritë bankare aktive të subjektit tregtar “Çilotaj Group ltd”.

-Të gjithë asetet, kapitalet, të drejtat dhe çdo interes pasuror, përfshirë dhe llogaritë bankare aktive të subjektit tregtar “Ladi 2008”.

-Tre automjete në pronësi të Vladimir Çilotajt.

-Automjet në pronësi të Jonida Çilotajt.

-12 automjetete në pronësi të subjektit tregtar “Çilotaj” sh.p.k.

-15 automjete në pronësi të subjektit “Ladi 2008” sha.

Sekuestrimi i disa llogarive bankare në disa banka të subjekteve të mësipërm.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas