Kryesore, Mapo Letrare

Pengu i mjedologut hiqet zvarrë dhe fati i studiuesit

Mentor Quku, është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë Kolanë ai na ka dhënë vit pas viti nga 2004-2013 çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë në trembëdhjetë vëllime

Nga Leonora Laçi



Në ecejaket me bashkudhëtarët e pandashëm çantën dhe biçikletën e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do shkruaj për karakterin e fortë, do shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës Dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku.

Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për ti bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha që ta vazhdonim të nesërmen punën.

I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë. U ndjeva në faj që nuk insistova për t’ia marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për të flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishëruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai qe ngulur në karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjeden” dhe marrë emrin Mjedolog. Jo pak merita i takojnë dhe bashkudhëtarit studiuesit Dom Nikë Ukgjinit që e kuptoi si duhet rëndësinë e Dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejes, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qeles së Mjedës, në vende për t’u vizituar si muze pa lënë mënjanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda. Te Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit. Në udhëtimet e shpeshta drejt Kukelit të Mjedës, nuk harronte të na tregonte me krenari që kishte punuar në shkollën e Barbullushit e pse jo të mos i vihet emri i tij shkollës edhe një bust t’ia vinin aty. Në ditët e Mjedës apo aktivitete të tjera të zhvilluara në Kukel, nga viti 2013 e në vazhdim, e shihje të heshtur duke u ndjerë i përmbushur që ëndrra për Kishën dhe Qelën e Mjedës në Kukel tashmë ishin të qenësishme dhe vende pelegrinazhi. Kishte realizuar ëndrrën në të gjallë të tij, e kishte prekur atë… realitet që vazhdon e do të vazhdojë. E kjo dëshirë e imja të mos ngelet thjesht dëshirë por të bëhet një realitet që atë që nisa të zezë mbi të bardhë ta realizoj një ditë.

 

Pak biografi

Mentor Quku ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Në vitet 1951-1955 mbaron shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, në vitet 1955- 1957 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, në vitet ‘60-‘63 diplomohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Punoi mësues në shkolla të ndryshme si në; Kukës, Lezhë, Shkodër. Ishte drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës në vitet 1992-2000, ku inicioi shumë aktivitete shkencore dhe botime të ndryshme. Ishte drejtor i revistës “Kumtari” dhe “Shkodra në shekuj” duke mbledhur studiues nga mbarë trevat shqiptare. Botimet e tij i gjejmë në shumë revista të kohës. Me ardhjen e demokracisë mori pjesë në krijimin e forcës politike “E djathta shkodrane” ku mblodhi rreth saj partitë nacionaliste Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Ishte për shumë vite Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Trojet e Arbrit me qendër në Kosovë, mbaj mend udhëtimin e fundit që ai përgatiti grupin për në Prizren me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar, ai më tha në prezencën e grupit të studiuesve:- “kjo vajzë shkodrane do e vazhdoj punën time”, kjo më ngjau si profeci pasi ashtu ndodhi dhe pak kohë më vonë, kryesia e kësaj Shoqate më emëroi në vendin e Mentor Qukut. Puna shkencore e tij ka kulmuar me botimet e kolanës “Mjeda”. Mentor Quku, është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë Kolanë ai na ka dhënë vit pas viti nga 2004-2013 çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë në trembëdhjetë vëllime: Mjeda 1 (1866-1888): Rinia, 2004; Mjeda 2 (1888-1899): Albanologu, 2006; Mjeda 3 (1899-1912), i përbërë nga dy libra: Alfabeti, 2007; Liria, 2008; Mjeda 4 (1912-1925): Identitet, 2009; Mjeda 5 (1925-1937): Gjuhëtari, 2010; Mjeda 6, i përbërë nga dy libra: Bibliografia (e Mjedës), 2012; Bibliografia (mbi Mjedën), 2012; Mjeda 7: Bashkëkohësit, Tiranë 2005; Mjeda 8: Album, 2010; Mjeda 9, Përmbledhje, 2013 dhe Proza e Mjedës vëll. 1, 2014, sado kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur me të. Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione e tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas