Editorial

PD nuk duhet të dëgjojë kërkesat e aleatëve të saj të vegjël për sistemin zgjedhor

Nga Ervis Iljazaj

Ndërkohë që priten në Shtator të rifillojnë diskutimet për sistemin zgjedhor, Partia Demokratike duhet të bëjë llogaritë më aleatët e saj të vegjël në këtë drejtim. Para dy ditësh, disa kryetarë të partive vogla  në një prononcim për shtyp i bënin thirrje Kryetarit Lulzim Basha që mos të bënte marrëveshje të fshehta për sistemin zgjedhor me Ramën në kurriz  të përfaqësimit apo të partive të vogla. Këtë problem në fakt, Partia Socialiste nuk e ka pasi ajo qeveris e vetme.



Si duhet të sillet një kryetar i një partie të madhe në këto raste, kur sistemet zgjedhore janë të hartuara në mënyrë të tillë që, ose favorizojnë partitë e vogla ose ato të mëdha. ?

Në këtë kuptim, Lulzim Basha do të duhet të zgjedh në interes të Partisë Demokratike, ose në interes të të gjithë koalicionit. Nuk është një zgjedhje e lehtë por, nëse shohim kontekstin politik të momentit, apo rezultatet e fundit, Basha duhet të orientohet drejt një sistemi zgjedhor që mundëson rritjen e Partisë Demokratike. Këtë kërkon logjika politika normale, këtë kërkon pragmatizmi politik.

Sepse të kuptohemi, zgjedhja e një sistemi zgjedhor bëhet gjithmonë në interes të partive që vendosin për të. Kështu ndodh në të gjitha vendet, edhe në ato demokratike të zhvilluara.

Po të shtosh këtu fatin se, partitë e vogla në Shqipëri që nga zgjedhjet e kaluara nuk kanë më rëndësinë politike për krijimin e mazhorancave që kanë patur dikur, atëherë, zgjedhja e PD-së bëhet  e qartë.

Aq më tepër që zgjedhjet e 25 Qershorit treguan një dështim të plotë për të gjitha partitë e vogla. Një nga efektet që patën këto zgjedhje, ishte padyshim , nxjerrja jashtë ‘’loje’’ për formimin e mazhorancave të tyre. Një rol që e kanë luajtur deri para 25 Qershorit. Në këtë mënyrë sistemi politikë shqiptarë ka hyrë në një logjikë totalisht të ndryshëm.

Edhe pse nuk mund t’i fusim të gjitha në një kategori, për shkak të natyrës apo tematikave që përfaqësojnë, një gjë është e sigurt, që populli shqiptar, nuhatja politike e të cilit nuk është për t’u nënvlerësuar, nuk i besoi.

Ndoshta, lënia jashtë koalicioneve i cili me sistemin zgjedhor që kemi aktualisht i favorizonte, mund të jetë një justifikim që qëndron, por një parti politik nuk e bazon asnjëherë suksesin te koalicionet, por te vlerat, kauzat dhe njerëzit që përfaqëson.

Problemi qëndron se parti të tilla janë parti politike personale, të cilat më shumë se kauzat e tyre të gjitha energjitë dhe sforcot i harxhojnë për të siguruar fatin e kryetarit që i drejton. Në shumicën e rasteve, shumë nga këto parti nëse për një arsye apo tjetër kryetari i saj largohet, ato rrezikojnë shkrirjen si lëvizje politike.  Sa herë që i është dhënë mundësia për të përfaqësuar një kauzë të caktuar politike ,gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje, vendin e saj e kanë zënë llogari të mirëfillta pushteti.

Ndërsa, për sa i përket partive politike që u krijuan rishtazi, LIBRA apo SFIDA, të cilat tentuan të përfaqësojnë pjesën antisistem të politikës shqiptare, udhëheqësit e tyre vinin po ashtu nga sistemi politik. Në këtë kuptim beteja e tyre ishte pak e besueshme. Gjithashtu, në politikë nuk mjafton vetëm një projekt moral, por është e rëndësishme dhe një projekt konkret ekonomik dhe shoqëror. Projekt i cili u mungonte këtyre lëvizjeve politike.

Shqipëria ka komunitete të vogla, të cilat kanë nevojë të përfaqësohen, por nëse këto komunitetet shihen vetëm si vota dhe jo si një pjesë e shoqërisë e cila ka problematikat e saj specifike, atëherë ato do të drejtohen gjithmonë e më shumë nga forcat e mëdha.

Për të gjitha këto arsye kryetarët e partive politike të vogla , ndihen të rrezikuar për fatin e tyre si asnjëherë më parë. Dhe për këtë arsye, kërkojnë të shpëtojnë vetëm nëpërmjet mekanizmave  që mundësojnë modele të ndryshme zgjedhore.

PasPara

2 komente

  1. TE BASHKOHEN, SE PERTEJ IDEOLIZIMIT TE SHPREHJES “BASHKIMI BEN FUQINE”. DUKE SHPRESUAR QE SISTEMI QE U NGRIT PER TE GROPOSUR TE VOGLAT, TE BEHET VARRI I TE MEDHAJAVE, QE KUJTOJNE SE E KANE ME TAPI KETE VEND. ME MIRE ATO PAK VOTA QE KANE T’I SHKOJNE NJE TE VOGLI TJETER SE SA TE TE QUAJTURAVE “TE MEDHA”, QE JANE TE VOGLA NE SHPIRT DHE QE EDHE ATO JANE TE “KRYETARIT”, POR NE KETE RAST ESHTE KRYETAR I MADH (SI MAOJA)

  2. Nuk jane problem vetem partite e vogla, as eshte halli yne halli i tyre (kryetareve te tyre). Nese kane kredibilitet ne elektorat,bujrum le te votohen nga ai. Sistemi nuk i defaktorizon. Por nje nga problemet e medha qe ka sistemi aktual eshte gjetke. Sistemi zgjedhor aktual duhet t’u heqe monopolin kryetareve, te cilet duke qene absolut ne berjen e listave te deputeteve, kthehen ne ‘diktatore’ brenda partive te tyre. Ky difekt i madh i krijuar nga ndryshimet kushtetuese te prillit 2008, midis Rames dhe Berishes duhet rregulluar. Listat e hapura jane nje obsion, sepse rritet jo vetem konkurenca brenda partive, por rritet dhe perfaqesimi i deputeteve ne elektorat, qe sipas preferencave te tij dalin fitues ata qe marrin vota me shume. Keshtu edhe perfaqesimi eshte me real dhe demokracia e brendshme e partive zgjerohet. vete perfaqesimi i dobet qe ka parlamenti i sotem eshte argumenti me i mire qe ky sistem ka deshtuar ne rritjen e perfaqesimit cilesor ne organin me te larte perfaqesues te popullit dhe jo te kryetareve te partive. Kuvend me deputetë ‘dele’, per te mos thene anonime, vetem ne kemi. Shikoni sesi u sollen sot kongresmenet ne ShBA, ndaj takimit Tramp-Putin, pavaresisht se cilen parti perfaqesonin, Republikane apo Demokrate. Ka edhe probleme te tjera sistemi yne zgjedhor, qe shpresojme kesaj rradhe, me vullnet politik dhe me ndihmen e OSBE te zgjidhen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas