Kryesore

PD, negociata sekrete me aleatët, 15 mijë vota për 1 post ministri


TIRANË Korrektimi i sistemit aktual zgjedhor me proporcional kombëtar po shihet si karta e fundit që Partia Demokratike kërkon të hedhë në tryezën e bisedimeve për Kodin e ri Zgjedhor. Kundrejt pretendimeve të vazhdueshme të partive të vogla për të korrektuar sistemin, Partia Demokratike po sheh të tjera mundësi për të kënaqur të vegjlit përmes një formule të llogaritur mirë, që bazohet te votat që secila prej partive do të duhet të përfitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime pranë PD-së, por edhe partive të vogla, konfirmuan dje për gazetën “Mapo” se po zhvillohen negociata intensive mes përfaqësuesve demokratë dhe të vegjëlve, me qëllim gjetjen e një formule të përbashkët që do të kënaqte të dyja palët. Jo zyrtarisht, mësohet se objekti kryesor i diskutimeve mes tyre janë votat që secila prej partive aspiron të marrë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke marrë si referencë paraprake rezultatin që secila prej partive mori në zgjedhjet e 2009-ës. Më saktë, Partia Demokratike po synon të gjejë një zgjidhje të mesme mes partive të vogla lidhur me votat që ato do të marrin dhe në varësi të tyre të përcaktohet edhe përfaqësimi në qeveri. Burimet sqarojnë se aktualisht në tavolinë po hidhet një formulë e diskutueshme, ajo e limitit të votave që një parti e vogël duhet të fitojë me qëllim që të marrë një post ministror. Shifra prej 15 mijë votash duket se do të përcaktojë edhe kufirin që një parti do të duhet të marrë, me qëllim që të ketë një post ministror pas zgjedhjeve të ardhshme. Ndërsa për postin e zëvendësministrit po diskutohet kuota mbi 7000 vota. Megjithatë, kjo është vetëm njëra fazë e diskutimeve, pasi negociatorët shprehen se gjithçka do të jetë e ndërvarur edhe nga faktorë të tjerë. Me ketë formulë, më të favorizuar janë LSI dhe PDIU e diku afër edhe PDK, e cila mësohet se është në negociata të vazhdueshme me Partinë Demokratike. Pak kohë më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të negocionte me çdo parti të spektrit të djathtë që nuk është ende pjesë e koalicionit, duke shtuar se koalicioni i zgjedhjeve të 20013-ës do të jetë më i madhi i parë ndonjëherë. Sistemi aktual zgjedhor të imponon një koalicion të madh dhe me këtë përbërje aktuale ajo favorizon mbi të gjitha PD-në. Andaj ndryshimi i sistemit është mohuar kategorikisht nga kryeministri Berisha, ndërsa ka lënë evazive nëse do të ishte i gatshëm që të bënte ndërhyrje në të. Por në takimin e pak ditëve më parë me ekspertë të ODIHR-it, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e la qartazi të kuptohet se fokusi i partive në komisionin e reformës zgjedhore do të ishte pikërisht zbatimi i 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, rekomandime të cilat në asnjë paragraf të tyre nuk parashikojnë ndërhyrje në sistemin aktual. Ndryshimi i sistemit apo edhe korrektimi i saj nuk po shihen më me ngulm as nga opozita. Korrektimi i sistemit aktual zgjedhor  nuk është më një kusht për ecurinë e mëtejshme të reformës zgjedhore. Në takimin e tij të fundit me aleatët, kreu socialist Edi Rama duket se ka arritur t’i bindë ata se për këtë çështje vota që PS-ja ka në komisionin për Reformën Zgjedhore është jo detyruese që pala tjetër të pranojë një propozim të tillë. Andaj zgjidhja për të kënaqur të vegjlit po kërkohet gjetkë. Ndërkohë, komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka miratuar dy ditë më parë kapitullin e parë të draftit që do t’i paraqitet për miratim seancës plenare, me anë të të cilit do të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Ky kapitull i parë  tenton të rregullojë situatën e financimit të partive në zgjedhje.

 



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas