Op Ed

Pavia, 10 herë më e vogël se Tirana dhe 100 herë më e bukur!

Nga Klementin Mile

Pavia është një qytet i vogël në Italinë veriore, ku para pak kohësh qëndrova për dy javë. Popullsia e qytetit është vetëm pak më shumë se 70 mijë banorë dhe, duke qenë qytet universitar, një pjesë të konsiderueshme e përbëjnë studentët. Me Tiranën, nga ana tjetër, kam një raport 20-vjeçar. Edhe ky është qytet universitar, por shumë më i madh. Popullsia e Tiranës është sa dhjetëfishi i popullsisë së Pavias dhe këtë raport ndjek edhe shtrirja hapësinore e qytetit. E megjithatë, dy javët në Pavia më bindën se ky qytet 10 herë më i vogël është 100 herë më i bukur se Tirana ku jetoj prej 20 vitesh.



Small is beautiful? (E vogla është e bukur?) Unë nuk u besoj klisheve të këtij lloji për të shpjeguar rezultatin e punës kulturore të njerëzve. Pavian nuk e bën të bukur vogëlsia dhe Tiranën nuk e bën të shëmtuar madhësia. Po të ishte kështu, Tirana do na dukej e bukur në krahasim me Parisin, Londrën, apo megapole të tjera të botës së zhvilluar. Nga ana tjetër, ata që thonë se shija është subjektive dhe prandaj gjykimi im për bukurinë e Pavias dhe shëmtinë e Tiranës është vetëm i imi, mjafton të bëjnë një vizitë në të dyja qytetet dhe të shohin nëse do të arrijnë në një gjykim të ndryshëm.

Në Pavia gjen pafundësisht shumë histori – ndërtesa, rrugë dhe sheshe që e lidhin të tashmen e qytetit me të shkuarën e tij. Pavia e sotme dialogon me Pavian e djeshme në përpjekjen për të përvijuar Pavian e nesërme. Koha rrjedh lirshëm nëpër qytet dhe qyteti merr frymë në kohë. Krahasimisht me të, Tirana është një qytet ku elementet e së shkuarës mezi arrin t’i shquash, të mbuluara nga pluhuri, zhurmat dhe kullat e së tashmes. Tirana është tipikisht një qytet pa kujtesë; sepse qyteti arrin të kujtojë vetëm atëherë kur përballet me ndërtesat e të shkuarës së tij. Tirana e sotme nuk do t’ia dijë fare se si ishte Tirana e djeshme dhe, natyrisht, nuk pranon asnjë udhëzim nga e shkuara për të projektuar Tiranën e nesërme. Koha në këtë qytet përjetohet vetëm në dimensionin e së tashmes, prandaj dhe nguti, alarmi, intensiteti frenetik, carpe diem. Prandaj të merret fryma në Tiranë, jo vetëm në vapën çnjerëzore të verës, por edhe gjatë dimrit.

Por, ndryshe nga ç’mund të mendohet, nuk është çështja vetëm se Tirana është një qytet relativisht i vonë dhe me pak histori, ndërkohë që Pavia vjen me një histori shumë të pasur. Fundja edhe në Tiranë ka gjëra që ia vlen t’i shohësh, ruash dhe ekspozosh; edhe Tirana është bekuar nga pozita gjeografike po aq sa Pavia; edhe në Tiranë ka universitete të afta për të diktuar ritmin e jetës dhe për t’i dhënë frymëmarrje kohore qytetit.

Por Tirana, fatkeqësisht, mund të lexohet si një eksperiment për t’u bërë si Pavia, i cili ka dështuar 10 herë. Nëse Pavia është sa një lagje e Tiranës, secila nga 10 lagjet e kësaj të fundit ka dështuar të bëhet një Pavia. Tiranës nuk i kanë munguar ndonjëherë të ardhurat për të investuar te vetja, për ta bërë dhe ribërë veten. Burimet ekonomike nuk e shpjegojnë dot bukurinë e Pavias dhe shëmtinë e Tiranës.

Ajo që i ka munguar gjithmonë Tiranës por asnjëherë Pavias është shpirti komunitar. Teksa ecën nëpër rrugët e Pavias dhe sheh dyqane, shtëpi banimi dhe objekte kulturore të integruara kaq përsosmërisht me njëra-tjetrën, duke i lejuar secilës të shprehë vetitë e veta, çdo gjë duket sikur të thotë ‘Ne’. Në Pavia bashkekzistojnë përsosmërisht shoferi dhe kalimtari, biçikletat dhe këmbësorët, objektet fetare dhe universiteti, lumi dhe pushuesit, të vjetrit dhe të rinjtë, tregtarët dhe artistët, zhurma dhe qetësia, materialja dhe shpirtërorja.

Në Tiranë, mjafton një shikim i shpejtë për të kuptuar se gjithçka thotë ‘Unë’. Këtë e vë re te mungesa e uniformitetit të ndërtesave, rrugëve, shesheve dhe trotuareve. E vë re sapo provon të kalosh rrugën te vijat e bardha dhe asnjë makinë nuk ndalon. E vë re kur kërkon të bësh një sy gjumë natën, ndërkohë që komshinjtë e kateve të para kanë vendosur të bëjnë festë. E vë re kur të marrin në telefon nga një bankë ku ti s’je fare klient për të të kërkuar me zë kanosës të paguash detyrimet dhe, kur u shpjegon se i kanë rënë numrit gabim, nuk denjojnë të të kërkojnë fare ndjesë për shqetësimin.

Tiranën nuk mund ta shpëtojë makijazhi, as zbukurimi i disa hapësirave të vogla të saj. Të gjitha këto nuk e fshehin dot shëmtinë. Ky qytet do të ndryshojë për mirë dhe do të bëhet i jetueshëm vetëm atëherë kur gjërat e tij të fillojnë të thonë ‘Ne’./Mapo.al/

/Klementin Mile, Pedagog në UET /Rubrika: Peripatos/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas