Kryesore, Politika

Patozi: Na duhet modeli politik i Olldashit në vend të atij të Berishës

patozi olldashiIsh-nënkryetari i PD shprehet se Berisha si politikan ka një bilanc suksesi për përmbushjen e komunizmit dhe mbajtjen në pushtet të PD, por tashmë duhet një model tjetër si djathtas dhe majtas. “Nuk e kuptoj pse ende ka njerëz që ndjekin Sali Berishën për ta imituar atë, madje duke qenë edhe kundërshtarë të tij. Kujtimi më i mirë për Olldashin është që t’i rikthesh modelin, ai ishte për kolegjialitetin. Për sa kohë partitë politike po bunkerizohen, atëherë duhet që të fillojë nga PD-ja kjo hapje

 



Ish-nënkryetari i PD-së dhe një nga njerëzit më me eksperiencë politike tek e djathta, Astrit Patozi, është i mendimit se modeli “Berisha” nuk i nevojitet më politikës e shoqërisë.

Në emisionin “E diell” në TCH, Patozi ka dhënë një intervistë për mikun e tij, deputetin e ndjerë Sokol Olldashi, duke sqaruar se sot është e nevojshme që të ndiqet një tjetër model, “Olldashi”.

“Kujtimi më i mirë për Olldashin është që t’i rikthesh modelin,  pra që ky model të fitojë terren, të fitojë qytetari, sepse është e nevojshme jo për të rikrijuar Sokol Olldashin absolutisht, por sepse ka një etje zhuritëse kjo shoqëri që të ndahet nga një model tjetër, kjo edhe për faktin se nuk mund të zgjasë pafund tranzicioni”, – tha Patozi duke saktësuar qëndrimin e tij.

“Ta themi shkoqur. Sali Berisha hyn tek politikanët karizmatikë, tek politikanët patetikë, në njëfarë mënyre për stilin e tij të të bërit politik. Kjo është deri diku e justifikueshme sepse së pari, Berisha ishte brenda natyrës së tij dhe e ka pa asnjë lloj sforcimi këtë gjë dhe së dyti, i shkonte në kontekstin e kohës, sepse në njëfarë mënyre u perceptua si udhëheqësi i një lëvizjeje apo revolucioni në tentativë që përmbysi një sistem dhe solli një sistem tjetër dhe ndoshta kjo shoqëri kishte nevojë për këtë lloj antikomunizmi, ndërsa sot kjo nevojë nuk është më dhe nuk e kuptoj pse ende ka njerëz që ndjekin Sali Berishën për ta imituar atë, madje duke qenë edhe kundërshtar të tij. Nuk shkon kjo. Nuk ka asnjë arsye për mua.

Tek e fundit, ai ishte një model suksesi jo vetëm se ishte udhëheqësi i opozitës ditën që u përmbys komunizmi, por sepse pati edhe bilancin e tillë, në 23 vjet PD ishte 13 vjet në pushtet. Por ne tashmë na duhet një model tjetër dhe Olldashi kishte shumë karakteristika të këtij modeli që i duhet kësaj shoqërie. Unë shpresoj shumë që kjo të ndodhë sa më shpejt, mundësisht tek PD-ja apo tek e djathta në përgjithësi, sepse aty do të më pëlqente më shumë. Madje edhe sikur ta donte edhe e majta këtë model, pra të mos mbesim në vendnumëro tek ky lloj modeli që nuk të çon gjëkundi”, – tha ai.

Por pse sot është e nevojshme që të aplikohet modeli “Olldashi” dhe çfarë nënkuptonte ky model?

“Kur theksoj që kemi nevojë për një model si Olldashi, kam parasysh që njerëzit besoj e ndjejnë dhe janë të lodhur me hipokrizinë politike, e cila manifestohet sidomos me patetizmin e politikanëve që pretendojnë se janë për të hyrë në histori dhe janë për t’i ndryshuar vetëm gjërat…Olldashi ishte për kolegjialitetin, për vendimmarrjen sa më kolegjiale…Për sa kohë partitë politike po bunkerizohen dhe kjo është e vërtetë, atëherë duhet që të fillojë nga PD-ja kjo hapje. Edhe Olldashi këtë donte, që ta fillonte që nga PD për ta hapur më gjerë”, – shtoi ai.

Patozi tha gjithashtu se gara për kryetarin e PD-së ku Olldashi ishte kandidat, është një plagë ende e pambyllur, duke u shprehur se shpresonte që një ditë “kjo plagë të zërë kore” sepse edhe goditja, sipas tij, ishte e ekzagjeruar dhe e panevojshme.

Patozi sqaroi edhe raportimet e mediave, sipas të cilave, Berisha dhe Basha nuk morën ftesë në njëvjetorin e vdekjes së Olldashit. “…Takimi ishte simbolik, sepse ne donim thjesht që të jepnim një mesazh dhe bëmë një homazh për një njëri i cili nuk na përket vetëm ne. Ishte një organizim që është bërë me iniciativën e disa miqve të tij të afërt dhe kur përfshiheshin njerëz që, në njëfarë mënyre kanë pasur një afrimitet direkt dhe njerëzor me Olldashin, sepse ndryshe do të duhet të prenotonim stadiumin “Qemal Stafa” apo sheshin “Nënë Tereza”, tha ai.

PasPara

1 koment

  1. SOKOL OLLDASHI ishte politikani vizionar i koherave moderne. NJeriu i dashur, i drejtperdrejte, pamvaresisht reagimeve te ndryshme. Z Basha duhet ta kete model qe duhet ndjekur nqs do, qe te kete sukses ne jete dhe ne politike. Me shume se ne, e donte Zoti, ndaj dhe e mori. I paharuar qofte kujtimi dhe veprae tij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas