Kryesore, Op Ed

“Pasaktësitë” e Hollywood-it në filmat me shqiptarë

Nga Mustafa Nano

I dashur Zoran,



E kam parë filmin “antiserb” të Angeline Jolie-së, të cilin ti e përmendje në shkrimin tënd të fundit. Më ka ardhur edhe jehona e reagimit të shumë serbëve kundër saj. Dhe nuk është se jam kapur në befasi. E njoh mirë këtë lloj reagimi. Më kujtohet se në vitin 1994, kur doli filmi italian “L’America” i regjisorit Gianni Amelio, në të cilin jepej një pamje e vrazhdë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të asaj kohe, në Tiranë pati një trazim të pazakontë. Filmi na nxirrte ne shqiptarëve në një dritë të keqe, të mjerë e mashtrues, dhe ne nuk ishim mësuar të shihnim të tjerët të flisnin për ne në mënyrën e tyre. Sapo kishim lënë pas një gjysmë shekulli, në harkun e të cilit u ishim fshehur syve të botës, dhe se si na dukej që të tjerët të “na përqeshnin e poshtëronin”, duke na nxjerrë në tërë lakuriqësinë tonë. Ismail Kadare ishte ndër të parët që u kap nga zemërimi. “Ky film fyen një popull të tërë”, -tha ai në thelb. Pati edhe të tjerë, të huaj, që u solidarizuan me Kadarenë. Mes tyre ishte edhe shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa.

Kam qenë në Itali, emigrant, kur doli filmi, dhe më bëhej të besoja se Kadare ishte fyer jo ngaqë shqiptarët paraqiteshin tjetër për tjetër, por ngaqë, përkundrazi, paraqiteshin me fytyrën e tyre të vërtetë. Ai e njihte më mirë se të gjithë mjerimin shqiptar të atyre kohëve. Dhe si patriot që ishte (dhe është), do donte shumë që ky mjerim të kalonte pa u vënë re derisa të vinte një moment i dytë, në të cilin Shqipëria të fitonte një minimum hijeshie. Ndodh shpesh kështu, apo jo? Ne duam që të tjerët të na shohin në ditët tona më të mira, dhe për këtë arsye bëjmë çmos t’u fshihemi atyre kur jemi si mos më keq. Mbaj mend që në një gazetë italiane të kohës, teksa i bëhej jehonë përplasjes Kadare-Amelio, flitej edhe për një takim që shkrimtari shqiptar kishte patur me kolegun italian Alberto Moravia në shtëpinë e këtij të fundit, në Romë. Kishte qenë fillimi i vitit 1990. Moravia i paskësh folur Kadaresë mbi dëshirën e vet të hershme për të vizituar Shqipërinë. Kishte menduar disa variante zbarkimi në këtë dhé të huaj, e aq të afërt, si të ishte një detar që donte të shkelte një ishull të shkretë me brigje të thepisura. Por nuk ia kishte dalë dot. Dhe unë e kam të lehtë ta përfytyroj Kadarenë duke thënë me vete: “Sa mirë që nuk ka patur mundësi ta bëjë këtë vizitë, pasi do të ishte tmerruar nga ‘ishulli i shkretë’ që do zbulonte”. Por Shqipërinë e vizitoi Gianni Amelio në vend të tij. Dhe bëri filmin L’America.

Unë e kuptoja Kadarenë në zemërimin e vet (nuk di a ta kam thënë, i dashur Zoran, që Ismail Kadare është një gjë shumë e rëndësishme në jetën time; kanë qenë librat e tij që më futën pasionin për letërsinë e për të shkruarit; sikur të mos ekzistonte ai, ti do ishte duke shkëmbyer letra me dikë tjetër tani, por jo me Mustafa Nanon). E megjithatë, nuk hiqja shumë për të kuptuar se Amelio nuk kishte ndonjë faj, dhe se tek ai nuk kisha pse të kërkoja ndonjë dispozicion racist e antishqiptar. Shqipëria e vërtetë ishte ajo, për të cilën flitej në atë film. Unë, siç thashë, isha emigrant në Napoli, teksa Kadareja hahej faqe botës me regjisorin italian. Punoja në ndërtim. Dhe hiqja shumë për të kuptuar se si një njeri, si unë, që donte librat, që donte letërsinë e Kadaresë, dhe që nuk ia thoshte për punë fizike (në ka një gjë që e urrej në këtë botë, kjo është puna fizike; dhe prej këtej buron dhe një lloj admirimi që unë kam për ata që punën fizike e bëjnë pas asnjë problem), jeta e kishte detyruar të punonte në ndërtim. “Kjo ndodh sepse je shqiptar”, i thosha vetes, dhe ky mendim i imi më hynte menjëherë në konflikt me patriotizmin kadarean, dhe ma bënte disi të afërt filmin L’America. Evviva Amelio!

Prodhimi më i fundit Hollywood-ian që i mëshon një stereotipi të stërnjohur në Perëndim mbi “shqiptarët me dell të veçantë kriminal” është ai me titull “Taken”. Aktorit Liam John Neeson, në rolin e një agjenti të CIA-s në pension, i duhet të përballet me një bandë shqiptare që merret me trafikim vajzash të reja dhe me shfrytëzim prostitucioni. Anëtarëve të kësaj bande u atribuohet një mizori dhe egërsi e pazakontë. Dhe kjo ka mobilizuar shumë shqiptarë online që t’i vërsulen autorit të filmit, Luc Besson-it, e të mos i lënë gjë pa thënë. E sulmojnë në radhë të parë si racist, por e zhvleftësojnë edhe si profesionist. Dhe për këtë bazohen te fakti që ai ka shpikur si personazh një “Marko nga Tropoja”. Marko nuk është një emër tipik për Tropojën, për të mos thënë që është e pamundur të gjesh një emër të tillë në gjithë malësitë e Gjakovës. Në rastin më të mirë mund të gjendet ndonjë Mark, por jo Marko, me “o” në fund. Dhe Besson-it, në fakt, do t’i kishte mjaftuar një bisedë e shkurtër me një shqiptar dosido për të marrë vesh se ky emër nuk shkon. Të thuash Marko nga Tropoja është si të thuash Rodrigo nga Novi Sadi.

Edhe mua më vjen pak çudi se si në filmat e Hollywood-it, në kundërshtim me përsosmërinë që u asociohet atyre, gjen herë pas here lajthitje të tilla. Në një film tjetër, Inside Man, të regjisorit Spike Lee, detektivit Denzel Washington i duhet të deshifrojë një zë që vjen nga brenda një banke, ku janë ngujuar pengmarrësit. Si një befasi për të gjithë shikuesit, sidomos ata shqiptarë, zëri ishte i Enver Hoxhës, në një nga çaprashitjet e tij propagandistike, ku fliste për dinjitetin e krenarinë e shqiptarëve. Grabitësit e kishin bërë këtë zgjedhje si një hile, për të çoroditur policinë. Dhe Denzel Washingtoni kërkon të gjendet një njeri që e njeh gjuhën shqipe. Dërgon dikë në konsullatën shqiptare, në New York, për të kërkuar ndihmë, por tjetri kthehet prej andej duarbosh: “Në Konsullatën shqiptare nuk lëvizin as gishtin nëse nuk u jepen pará në këmbim”. I sjellin pastaj një vajzë shqiptare. Ishte një prostitutë, që hyn duke pirë cigare në kabinën e policisë të montuar në vendngjarje. Dhe kjo u tregua e gatshme t’i ndihmonte policët, por me kusht që ata t’i merrnin përsipër shlyerjen e të gjitha gjobave që kishte marrë për shkelje të rregullave të trafikut, e që ajo i kishte lënë pa paguar. Dhe sikur të mos ishte mjaft fakti që në film ndiqet chliché-ja mbi shqiptarin e korruptuar e transgresiv (nëpunësi i korruptuar i konsullatës shqiptare, vajza shqiptare që bën prostitutën, e që negocion një falje gjobash në këmbim të ndihmës), autorët e filmit shprehin edhe një pakujdesi tjetër “në kurriz” të shqiptarëve. Për të luajtur rolin e asaj prostitutës, kishin marrë një vajzë bullgare a rumune a ruse. Ia bën mú që nuk është shqiptare, nga aksenti, nga fytyra, nga gjestikulacioni. Mund të gjenin plot vajza shqiptare në Los Angeles a në New York për të luajtur një rol episodik, por i kanë rënë shkurt, pa i dhënë rëndësi këtij “detaji”. Me sa duket, gjenia e njerëzve në Hollywood bashkëjeton me përtacinë.

Më shumë sesa filmat, sidoqoftë, është masmedia ajo që, duke raportuar e rrëfyer historira me lloj-lloj delinkuentësh, trafikantësh, kontrabandistësh, horrash e mujsharësh që, ngaqë Shqipëria u rri ngushtë, kanë pushtuar rrugët e metropoleve të kontinentit të vjetër, është masmedia pra që ka krijuar këtë imazh për ne në Europë. Nuk është se duhen bërë me faj, por ndonjëherë mendoj: E ç’rëndësi ka? Unë personalisht jam i përndjekur nga ky imazh, gjithsesi. Kur më qëllon të has nëpër gazeta të ndryshme të perëndimit tituj, të cilët njoftojnë për krime të kryera nga emigrantë apo ekstrakomunitarë, mua më kap një panik patriotik (“kadarean”), dhe lutem me vete: “Inshallah nuk bëhet fjalë për shqiptarë!”. Siç ndodhi, për shembull, para ca ditësh (më 16 tetor), kur sytë më ndalën te një titull në Daily Mail Online: “Një makinë me targa të huaja futet në anën e gabuar të autostradës, përplaset me dy makina të tjera, dhe shkakton tre viktima”.  “Hëm”, thashë me vete, “kanë qenë shqiptarë ende të pamësuar me rregullat e allasojshme të trafikut britanik”. Dhe u vura të lexoja lajmin, i sigurt se do të konfirmohej hamendja ime. Mirëpo, nuk rezultoi kështu. Fajtorët, që gjetën vdekjen gjithashtu në aksidentin që ata vetë provokuan, ishin dy burra në të tetëdhjetat, që kushedi se për ç’arsye vinin vërdallë nëpër Angli me një makinë dhe me një roulotte që e tërhiqnin nga pas. Nuk ishin shqiptarë. Dy tetëdhjetëvjeçarë shqiptarë mund t’i përfytyroj edhe në rrugicat e lagjes me drita të kuqe “De Wallen” të Amsterdamit, por jo duke i dhënë një makine Subaru Forester nëpër rrugët e Anglisë.

Do na duhet shumë kohë që ta fitojmë betejën me këtë imazh tonin nëpër Europë. Sepse kjo është një histori e moçme. Ka më shumë se një shekull që për Ballkanin flitet veç keq, e konsiderojnë si një qoshe të humbur të botës, ku ka vetëm njerëz mujsharë, grindavecë e sherrxhinj, me të cilët është më mirë të mos kesh të bësh. Të kujtohet përgjigjja që Donald Trump i dha gazetarit Tucker Carlson në Fox News? Kur ky i fundit e pyeti: Pse im bir duhet të shkojë në një luftë, në të cilën është përfshirë edhe Mali i Zi?, Presidenti amerikan i thotë: “Ke të drejtë; malazezët janë një popull i ashpër, dhe agresiv; nuk ka kuptim që NATO të futet në Luftën e tretë Botërore për shkak të tyre”.

Nuk ka faj Donald Trump. Kjo është një cliche e kudogjendshme në kulturën perëndimore. Sam Harris, në debatin kilometrik që pati së fundmi, në Vankuver, me Jordan Peterson-in e përdori termin “ballkanizim” në mënyrën e tij. “Ballkanizimi i dijes dhe informacionit”, tha në një moment të debatit. Fiu!

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së. 

PasPara

3 komente

  1. E para, e paske keqkuptuar si mos më keq artikullin e Zoranit.

    E dyta, më mirë kthehu në punët e ndërtimtarisë.

    1. Me mire te shkoje ne emigrim edhe nje here. M. Nano eshte i paguar edhe ska kredibilitet.

      Ne artikuj te tjere flet per historine e Shqiperise e te Serbise, por harron te permendi historine e Ilirise edhe te banoreve ilire qe kane jetuar ne trojet e Serbise edhe qe jetojne akoma.

  2. e pam live si u terbua kjo kafsh stalini si rama ndaj salanjit.si te ishte monstra enver vet e edvini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas