Mapo Format, Mapo Letrare

Pas dashurisë, mëmësia…

“Mëmësia – realiteti i vetëm që i shpëton diktaturës!”

Nga Dr. Brikena Smajli



Në Romanin e Klara Budës “Përshpërimë gruaje” rrëfimi me në qendër jetën dhe sfidat ndaj diktaturës të një grupi të rinjsh në vitet 80-të shekullit të kaluar, në Tiranë, tregon se deri ku ka mbërritur represioni, kontrolli i jetës së tjetrit, uniformizimi. Rrethanat apo mekanizmi i pagabueshëm i diktaturës, ka rrëmbyer në morsën e tij, tashmë edhe një person tjetër, që mendohej se do të mund të shijonte favoret e kastës nga vjen, pasi diktatura nuk kursen askend. (madje edhe klasën që e ushtron)…

Alma Fishta, e bija e dy funksionarëve të lartë të regjimit nuk ka megjithatë luksin të thyejë një kod, të shpërfillë luftën e klasave duke u dashuruar me dikë që nuk i përket shtresës së saj. Ajo vajzë e pandërgjegjësuar mbi dimensionin e diktaturës (krenare e rritur mes mundësive), pëson përplasjen e radhës, pikërisht në më qenësoren e saj, dashurinë, krisjen personale dhe individuale në mëmësinë, që ia transformon dalëngadalë mendimet që hyn aq thellë, për të transformuar edhe atë në tërësinë e saj. Rrugëtimi për të mbrojtur dashurinë e bën atë nga një pasuese të bindur në aq rebele sa të vendosë të mbajë një fëmijë të jashtëligjshëm, një revoltë e paimagjinuehme për kohën. Përballë diktaturës revolta e saj nuk arrin të bëhet zë, po ngelet një përshpërimë.

Një rrëfimtar i kudondodhur pikëzon rrëfimin me një vëmendje ndaj dashurisë së shënuar nga regjimi si jokonformiste mes Almës dhe Adrianit dhe kjo ashtu e cunguar, disi e fshehtë, vijon të bëjë rezistencë. Të rrëfyerit i kthyer shpesh në një pëshpërimë…, si një kthim në njerëzoren e njëmendtë dhe të kërcënuar vijon të bashkëshoqërojë rritjen e Almës, si një thirrje për vajzën, gruan, nënën, roli i së cilës ka pësuar një deformim të përçudshëm (Nëna e Almës – Alma – Nëna Parti) Aty ku sigurisht mbillet fara e jetës së re, aty pikërisht gjendet edhe pika më e fundme e shuarjes, nëse kërcënimi i saj është kaq këmbëngulës.

Alma Fishta është si një shpirt në kërkim të qenësisë së saj, pikërisht se ajo bart forcën e kërkimit brenda vetes…Në fakt edhe vetë emri ta sugjeron një cilësi të tillë Alma – Shpirt (spanjisht edhe lat.) apo Alma – mëkues, ushqyes ose Almus – Krijues (lat)…

Roman i personazhit…romani i individit

Aftësia e autores nuk qëndron në sjelljen ndërmend të një kohe e cila nga pikëpamja sociologjike ka nevojë të rishqyrtohet, për raportin shtypës që ajo pati ndaj individit dhe lirisë së tij; duke iu nënshtruar një procesi më të ndërlikuar të mendjes njerëzore dhe atij të të shkruarit si kurorëzim i tij, projektimi në roman i personazheve, ngjarjeve, situatave, tërësisë strukturore narrative i nënshtrohet plotësisht cilësisë së të përfytyruarit dhe jo thjesht të kujtesës. Në këtë kuptim personazhet paraqiten komplekse dhe në ndryshim, në ndërveprim të situatave, ngjarjeve, ndërsa aftësia reflektive dhe ndërmendimi fiton përmasë dhe peshë në rrëfim. Risjellja ndër mend apo kujtesë luan megjithatë një rol domethënës në gjithë procesin e të menduarit metaforik dhe si i tillë ka vend qoftë në qasjen mimetike tonën si lexues, qoftë në atë të shkrueses. Por kujtesa në termat e thjeshtë dhe  e drejtpërdrejtë është e tejkaluar; personazhet ngjarjet, organizimi i rrëfimit, kanë jetën e vet të mëvetësishme…

Prej këndej leximi vijon në dy plane njëherësh. Kjo orientohet nga mënyra se si prezantohet personazhi në rrëfim; ndërthurja e veprimit me ndërmendimin i jep dinamikë rrëfimit, por edhe e bën librin të lexohet në këto dy plane të bashkëngjitura njëherësh: si veprim narrativ, ngjarje dhe si zhvillim i brendshëm i personazhit nëpërmjet ndërmendimit, i cili nuk kalon në përthellime të tepërta dhe të panatyrshme. Nëse personazhi bëhet më tepër meditativ, pra ka më tepër ndërmendim se veprim, kjo ndodh në çaste të veçanta kur shtypja a terrori, po synon të mbërrijë në një shkallë më të thellë në cënimin e lirisë individuale…depërtimi a ndërkallja e të dyjave, i bën veprimet disi somnambulore e mendimet vetë veshin një tjetër petk lirie me më dritë edhe pse pa një vetëdije të përvijuar qartë…është çasti i ndërmjetëm, ku reflektimi e ndërmendimi merr më tepër peshë dhe vetë personazhi si në momente krizash përthithet e vetëdijësohet një hap në individualen e vet të kërcënuar.

Kloroforma është ajri që thithet në roman, i cili kur më shumë e kur më pak i lë njerëzit, qytetasit në një gjysmëdremitje ku as dita dhe as nata nuk mund të shfaqet me ngjyrat e plota të saj. Vetë personazhi kryesor Alma Fishta i përbirohet skaj më skaj kësaj bote të kloroformuar, e cila dalldinë e përgjumjes mund të ta kthejë në çast në shurdhëri dhe shuarje. Po ajo, edhe pse jo pa pasoja, arrin ta kalojë dhe kjo ndodh në sajë të dashurisë… apo edhe në sajë të mëmësisë që ka filluar të buisë gjithë trupit të saj të dhunuar.

“- I pamatë ky qiell i kthjellët që hapet mbi kryeqytet, por imazhi i krimit, që gjenerohet pas fasadave të dikastereve, i mbivendoset atij dhe e përgjak!- mendoi. U mbush thellë me frymë dhe ndjeu zemrën t’i rrihte fort. Fytyra e vogëlushit që kishte ëndërruar largohej, brenda saj agonizonte nëna. Vajza u ndje çuditërisht e lirë. Duke ecur ashtu për një kohë, pati përshtypjen se po rrinte pa frymë, në një gjendje pa prehje, si  ajo kur presim të frenojë automjeti, që ndërkaq ka filluar ta ulë shpejtësinë. Nuk e imagjinonte se po dilte nga anestezia.” (fund)

E pangjashmja ka ndodhur: megjithese cënimi është i dukshëm, të qenit viktimë është fakt, madje edhe vetë viktima e bën veten me faj. Arritja deri në skajin e zgjimit, përshkohet mes shtjellash vetëdijësuese, të vetëdijes njerëzore prej të cilave njeriu ruan deri diku të paprekur thelbin e vet njerëzor…Alma Fishta është një nënë që pret të lindë një ditë, edhe pse krijesën e saj, fryt i dashurisë ia vranë, përdhunisht.

Kloroformi, morgu metafora përkatësisht për efektin e ideologjisë dhe shoqërisë totalitare dhe kufomat, metaforë e njeriut të ri, apo frika dhe autocensura janë linja të rëndësishme të trajtuara në roman, por duke u fokusuar te mëmësia mund të themi se Marenglen Qani Qeni, Pushteti, represioni, terrori, frika nuk e kanë shpërbërë plotësisht njeriun. Alma Fishta në fund e di se trupi i pajetë i Luiza Kodrës, e cila vdiq e u vra, vetëm që të mundësohej një ëertifikatë aborti për të, është një tjetër viktimë si ajo, e cila për më tepër rëndon në ndërgjegjien e saj…si një krim i shumëfishtë, por kjo nuk e ka gjunjëzuar, vetëm e ka bërë më të kthjellët, më të qartë dhe e ndërgjegjëson se sa larg shkon diktatura, se ajo e ka shpronësuar edhe nga trupi i saj dhe është kthyer tanimë një sistem kriminal.

Do të kishte mjaftuar që natyra ime të mos më kishte braktisur në krahët e letargjisë asgjësuese ku më zhyt dëshpërimi… do të kisha shkuar drejt gruas… do ta kisha sqaruar misterin e emrit të formularit. Në çastin kur u kryqëzova, shkëmbeva me të, diçka mund të kishte qenë ende e mundur. Por unë e humba… Humba çastin e së vërtetës!/Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas