Editorial, Kryesore

Pas 30 vitesh, urbanizim me çdo çmim

Nga Ervis Iljazaj

Politika shqiptare përplasjen e radhës e ka zhvilluar mbi shkatërrimin e disa ndërtimeve në bregdetin e Jalës. Aq e rëndësishme u bë kjo çështje sa që, Lulzim Basha doli në konferencë për shtyp të jashtëzakonshme.



Dhe, deklarata ishte një lloj kërcënimi për punonjësit e IKMT-së, të cilët ishin duke u përplasur me banorët që prekeshin nga rrëzimi i banesave.

Një deklaratë për shtyp e liderit të opozitës në një rast të tillë, duhet të ishte edhe më thelbësore se sa thjesht një kërcënim apo denoncim i zakonshëm. Sepse në atë rast bëhet fjalë për një zonë shumë të rëndësishme bregdetare, e cila është një nga tërheqjet më të mëdha turistike të Shqipërisë.

Është e drejtë që, një kryetar opozite të mbrojë të drejtat e qytetarëve nga abuzimi me pushtetin. Por pyetja në këtë rast është përse opozita del kundër këtij aksioni?

Shqipëria është në një moment kur, pas 30 vitesh kaosi urbanistik, ka nevojë urgjente urbanizimi dhe zhvillimi. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një zonë turistike, e cila me patjetër nuk mund të zhvillohet nëpërmjet barakave dhe tezgave që gjenden kudo në bregdetin shqiptar.

Por, kërkohet një plan strategjik kombëtar, për hir të atij urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik. Pa një ndërhyrje të fortë në zona të tilla, është e pamundur që ato mund të zhvillohen dhe të konkurrojnë me fqinjët që na rrethojnë, të cilët janë kolosë të industrisë së turizmit.

Por, është po aq e rëndësishme që edhe në raste të ndërhyrjeve të tilla të mbrohen të drejtat e qytetarëve.

Në rastin konkret mund të ketë dy situata. Nëse ato ndërtesa janë të paligjshme sipas qeverisë, dhe nuk mund të legalizohen, atëherë nuk ka diskutim. Nuk mund të pretendosh të legalizosh ndërtesa në zona të tilla njësoj si në ndonjë pjesë të humbur të Shqipërisë. Ndërtesa të paligjshme dhe në bregdet është e tepërt.

Ka disa prioritete, ose më saktë duhet të jetë prioritet i çdo qeverie urbanizimi i Shqipërisë, aq më tepër në ato zona, në të kundërt, kioskëzimi do të kthehet në një fenomen.

Nëse ato ndërtesa janë të ligjshme, atëherë u takon çdo dëmshpërblim sipas ligjit në rastet e zhvillimit të një projekti me interes publik.

Kështu që, përplasje të tilla politike, të pakuptimta dhe jothelbësore, janë mirë të evitohen për të mos harxhuar energji politike. Ajo që duhet të bëjë opozita në fakt, është përplasja politike për zhvillimin e turizmit, për industrinë e tij. Alternativat që ajo ka për urbanizimin e zonës bregdetare dhe, për të qenë konkurrues dhe atraktivë. Të gjitha të tjerat, janë elemente të politikës së ditës që nuk i vlejnë askujt.

Për çdo gjë mund ta akuzosh këtë qeveri, dhe këtë Kryeministër, por nuk duhet t’i mohosh kurajën që ka treguar, të paktën në aspektin e urbanizimit të Shqipërisë. Që në disa raste është dhe antielektorale. Sepse, të shkatërrosh ndërtesa, padyshim që kthehen kundra një pjesë të qytetarëve.

Prandaj, qeveria në vend që të kritikohet, duhet mbështetur nëse ka një plan urbanizmi të mirëfilltë në zonën bregdetare. Urbanizimi i saj është e vetmja zgjidhje për të zhvilluar turizmin. Opozita, në vend që të bëjë deklarata urgjente për shtyp, të cilat për hir të vërtetës nuk duhet të jenë dhe aq urgjente, duhet të na bindë se si do ta urbanizojë Shqipërinë.

PasPara

1 koment

  1. Ervis !!!!????

    duhet te sqarosh çfare kupton me URBANIZIM (këtu dhe në çdo rast)???????

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas