Kryesore, Mapo Format, Politika

Analisti konservator Fitim ZEKTHI, për MAPO WEEKEND: Shpejt PD do të fillojë të shihet si shumica e ardhshme qeverisëse

Nga Fitim Zekthi

Në kampin opozitar kanë nisur parapërgatitje në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale, që gjithsesi do të jenë një test i rëndësishëm për të kuptuar vetë opozita forcën e saj, por edhe nënkuptuar ‘firot’ dhe atë që shkon keq në qeveri. A janë të rëndësishëm emrat që do të konkurrojnë për zgjedhjet lokale? Fushata duhet të jetë denoncuese (sikurse ka bërë deri më tani opozita), apo edhe një formë tjetër me ofrim alternativash?



Pa diskutim që emrat janë të rëndësishëm. Në fund të fundit idetë, programi, synimet do të barten nga njerëz dhe trupëzohen në njerëz. Duhet të themi se Partia Demokratike duke qenë një forcë e djathtë i kushton rëndësi më të madhe se sa e majta moralit, zotësisë dhe asaj që përfaqëson një individ. Është në natyrën e të djathtës që t’iu drejtohet zgjedhësve me emra që dëshmojnë moral dhe përfaqësojnë vlera të rëndësishme individuale. Për këtë arsye, që në themelimin e saj e djathta është dalluar nga emrat, ka patur debat për emrat në çdo palë zgjedhje, ka ofruar më shumë ngjyra në peizazhin e debatit politik.

Kjo nuk do të thotë se e djathta ka sjellë individë të jashtëzakonshëm, por e djathta i ka kushtuar rëndësi shumë më shumë se sa e majta, e cila më shumë mbështetet te fakti që njerëzit i përkasin asaj force dhe asaj ideologjie dhe individët janë thjesht mekanizma në një strukturë dhe nuk ka rëndësi që ata t’iu drejtohen njerëzve mbi kritere morale apo mbi vlera të caktuara të dinjitetit personal. Unë besoj se në zgjedhjet lokale që po vijnë, PD do ta bëjë këtë gjë. Zoti Basha edhe në zgjedhjet lokale të para tri viteve kandidoi njerëz me ngarkesë morale dhe përfaqësues vlerash të rëndësishme si Halim Kosova, Voltana Ademi, Igli Kokalari, Niko Shupulli etj. etj.

Në tërësi, lista e kandidatëve të PD në zgjedhjet lokale të vitit përshkohej nga një qasje e tillë. Nuk shoh arsye, përkundrazi shoh angazhim, që një listë me kandidatë demokratë të rëndësishëm dhe që përfaqësojnë vlera të tilla të mos jetë edhe kjo e vitit 2019. Sa i përket mënyrës se si do të bëhet fushata unë mendoj se ajo do të koordinojë denoncimet mbi shpërdorimin e madh që i bën kjo shumicë qeverisë parasë publike, vjedhjes, rrënimit të besimit të njerëzve dhe kriminalizmit të jetës së vendit me ofrimin e alternativës. Detyra e një opozite nuk është thjesht denoncimi. Detyra e një opozite është thënia e të vërtetës por edhe ndërtimi i një alternative.

Në momentin që një opozitë është vetëm denoncuese dhe vetëm opozitë ndaj qeverisë, pa u bërë alternativë, atëherë kemi një problem serioz. Opozita është në një proces sendërtimi të vetes së saj si alternativë. Se sa do të jetë një alternativë bindëse mbetet për t’u parë. Shpresa nuk është e vogël. Shumëkush beson se PD do të arrijë të shihet si shumica e mundshme qeverisëse e vendit dhe kësisoj të zhvillojë një fushatë zgjedhjesh lokale duke u parë me shpresë nga njerëzit.

Është paralajmëruar një koalicion i madh opozitar me kandidatë të përbashkët dhe duket se për shkak të qeverisjes së PS-së krejt e vetme që nga viti 2017, të gjithë partitë e tjera e shohin veten në opozitë. A është ky një avantazh që votat e secilit subjekt në fund të shkojnë drejt një kandidati të tyre të përbashkët?

Në kushtet e sotme kur kemi të bëjmë me një shumicë qeverisëse që kontrollon plotësisht jetën ekonomike të vendit, që shpërndan të mira, leje, tendera, koncesione brenda një qerthulli jo transparent, në kushtet kur vendi ishte i mbjellë gati kudo me hashash për dy-tri vite me radhë, në kushtet kur sasi kokaine me vlerën e 200 milionë eurove hyjnë vetëm me një ngarkesë, në kushtet kur mediat janë nën kontroll, kur borxhi publik ka shkuar në mbi 73%, kur njerëz që vijnë nga bota e krimit janë në kuvend dhe në bashki, kur ndodhin vrasje apo rrëmbime, kur ministra dhe ish-ministra janë kapur në përgjime duke kryer vepra kriminale, do të ishte marrëzi të mos përpiqeshe të bëjë një koalicion me këdo që e ndjen veten në opozitë, me këdo që sheh se vendi po rrokulliset keq në autokraci.

Në këtë kuptim, PD nuk ka arsye të mendojë gjatë. Detyra e saj është të ndihmojë njerëzit të heqin laku nga fyti, detyra e saj është t’i heqë qeverisë dorën nga thika me të cilën ajo përditë rrjep. Nuk është koha për qëndrime të tilla si LSI ishte me Ramën, LSI ka vjedhur, LSI është klienteliste, LSI na dëmtoi etj. Sot LSI është në opozitë dhe po mban qëndrime të mira dhe kjo është e rëndësishme, jo thjesht për PD por për vendin. N.q.s. PD ka shqetësim gjendjen e vendit, nuk besoj se duhet ta diskutojë fare koalicionin me LSI dhe partitë e tjera.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka premtuar se nga shtatori e në vijim, do të ristrukturojë partinë me zgjedhjen e kryetarëve apo konfirmimin e kryetarëve të degëve, seksioneve apo nënseksioneve, pra një lloj forme për të mbledhur forcën e tij politike. A po krijon Basha një ekip të tijin për ta sjellë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme si një “kabinet qeveritar” në hije? Sa do mundet që ta arrijë kur vetë PD aktualisht duket e përçarë me fraksione që ende nuk janë formësuar, por gjithsesi mbesin të pranishme brenda së djathtës?

Basha është kryetari i partisë por unë nuk di që ai do të ristrukturojë partinë me zgjedhjen e kryetarëve të rinj apo konfirmimin e kryetarëve siç thoni ju. Basha ideon, përvijon konturet e mendimit dhe veprimit të partisë, por kjo nuk do të thotë se ai e ristrukturon, zgjedh apo konfirmon kryetarë. Të gjithë jemi dëshmitarë se në parti ka patur një diskutim mbi organizmin e saj, ka patur ndryshime në statut që kanë të bëjnë me strukturën dhe mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve, ka patur një shtyrje të ideologjisë së partisë më djathtas etj.

Të gjitha këto, janë miratuar në kongres. Tashmë jemi në pikën e jetësimit të asaj që u vendos në kongres dhe partia është në zgjedhje, diku kanë mbaruar, diku janë pezulluar, diku janë në proces etj., por do të mbarojnë besoj shpejt. Kjo nuk po bëhet që Basha “të mbledhë forcën e tij” siç thoni ju, por që partia të vitalizohet, strukturat dhe njerëzit të marrin përgjegjësi, idetë dhe programi të trupëzohet në njerëz që mundën të jenë shëmbëlltyrë e asaj që PD kërkon t’u ofrojë shqiptarëve.

Pra shkurt, ky është një proces, të paktën unë kështu besoj, që PD të shndërrohet nga një opozitë ndaj qeverisë në një alternativë pushteti dhe në shumicë qeverisëse. Unë nuk e di se sa do të realizohet ky shndërrim që është i domosdoshëm. Nuk them se ka fraksione, sepse ato duhet të ishin ideore, duhet të përfaqësonin ngjyra apo nuanca ideologjike brenda të djathtës. Sigurisht që ka individë apo grupe që nuk mbështesin idetë dhe veprimin politik të Bashës dhe kjo është e kuptueshme dhe normale në një parti të madhe.

Nuk besoj se këto janë një pengesë e pakapërcyeshme për ta shndërruar PD-në dhe opozitën nga një opozitë ndaj Ramës në një alternativë pushteti dhe më pas në një shumicë qeverisë. Pra, nuk jemi përballë një përpjekjeje të Bashës për të krijuar një grup të tijin, por përballë një përpjekjeje që PD të shndërrohet në alternativë dhe në shumicë qeverisëse.

Kjo sigurisht që nuk bëhet pa një ekip, pa një bosht, pa një bashkësi idesh dhe njerëzish dhe vetë procesi do të çojë këtu mendoj unë. Ndërsa në lidhje me kabinetin hije, Shqipëria nuk e ka traditë. Kjo është një traditë anglosaksone dhe nuk e di sa mund të funksionojë te ne. Do të ishte më mirë të mos kishte një kabinet hije, ndonëse për shumëkënd ai do të ishte i dukshëm siç ka qenë gjithnjë.

/Fitim Zekthi, pedagog në UET/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas