Politika

Parlamenti nis në 3 shtator/ “Lojërat e fatit” dhe Teatri, sfidat e PS në sesionin e ri

Dy dekretet e Presidentit për ligjin për Teatrin Kombëtar dhe ai për ligjin e lojërave të fatit si dhe projektligji për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, do të jenë testi i parë i maxhorancës në sesionin e ri parlamentar. Ndryshe nga vitet e shkuara kur sesioni niste javën e dytë të shtatorit, kësaj here shumica ka përshpejtuar afatet, duke vendosur që Kuvendi të rifillojë punimet më 3 shtator.

Ky “nxitim” i shumicës ka të bëjë dhe me vendimin politik për të rrëzuar dekretin e Presidentit, për ligjin që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar dhe nisjen e procedurës së negocimit me kompaninë private “Fusha shpk” si edhe rrëzimin e dekretit për ligjin “Për tatimin mbi të ardhura”.



Më datë 30 shtator, Presidenti vendosi të rrëzojë një prej neneve të këtij ligji, që ka të bëjë me tatimin e lojërave të fatit. “Ndryshimet e realizuara nëpërmjet nenit 6, të ligjit nr.39/2018, nuk u përgjigjen nevojave reale të shoqërisë shqiptare dhe, për më tepër, ato bien ndesh me objektivat sociale të shtetit shqiptar të përcaktuara në nenin 59 të Kushtetutës”, thekson në dekretin e tij kreu i shtetit. Të majtët kanë deklaruar se të dy dekretet e Presidentit do t’i rrëzojnë, pasi u mjafton shumica e thjeshtë e votave.

MAGJISTRATURA

Ndërkohë që një tjetër pikë kyçe e debatit, për të cilën nuk është gjetur dakordësi, është edhe mendimi i ligjit për “Statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”, i cili i mundëson Shkollës së Magjistraturës që të çelë regjistrimet për vitin akademik 2018-2019. Dekreti për ligjin e Teatrit mund të rrëzohet vetëm me votat e Partisë Socialiste.

Ndërkohë që për ligjin tjetër, që kërkon 84 vota, PS ka vazhduar thirrjet ndaj opozitës për ta miratuar atë me konsensus. Në seancën e fundit të Parlamentit, Gramoz Ruçi deklaroi se kishte tentuar të arrinte dakordësi me opozitën, por ata nuk pranuan të ulen.

“Komunikova me tre kryetarët e grupeve, por kjo tryezë nuk u mundësua sepse disponibël për të negociuar ishte vetëm kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, z. Balla. Z. Spaho, pas negociatave, refuzoi pjesëmarrjen, me argumentin se nuk merrnin pjesë në tryezë pa u anuluar ligji për Teatrin. Z. Rama, i cili ishte propozuesi, pasi negocioi me grupimin më të madh opozitar, Partinë Demokratike, nuk mundësoi prezencën e tij në tryezë. Kështu që, të dy projektligjet, pavarësisht nga diskutimi, shtyhen deri në arritjen e një vullneti politik për t’i votuar ato me shumicë të cilësuar”, tha Ruçi në seancën e fundit, më 23 korrik.

Nga ana tjetër, opozita ka vendosur si kusht për t’u ulur në tryezë, rrëzimin e ligjit të Teatrit, si dhe zhbërjen e ligjeve të Reformës në Drejtësi të miratuar pa konsensus me opozitën. Disa javë më parë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste ka gati një platformë bashkëpunimi, të cilën do ia ofrojë opozitës në Parlament.

“Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi, që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës, që nuk na kthen mbrapa, rikthim mbrapa te Reforma në Drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e Reformës në Drejtësi, rikthim mbrapa te ligji i vetingut nuk ka për të pasur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi”, ka thënë Edi Rama.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas