Kryesore, Mapo Format

“Paraqituni urgjent në punë me nga një tharëse flokësh”

Nga shirat e orëve të para të ditës së shtunë, është përmbytur kati i nëndheshëm i Bibliotekës Kombëtare; Institucioni mbyllet për lexuesit deri më 30 qershor, ndërsa shpallet gjendja e emergjencës, ku rreth 12 mijë libra janë lagur nga shiu. Ky është rasti i dytë që të njëjtat mjedise të BK-së rrezikojnë fondet e saj, pas rënies së zjarrit një vit më parë, tani dëmtimet kanë ndodhur në koleksione antikuarë, revista e periodikë, gazeta

Të shtunën, gjatë orëve të para të ditës, përmes një telefonate janë lajmëruar të gjitha gratë, punonjëset e Bibliotekës Kombëtar për përmbytjen e fondeve, duke iu kërkuar të paraqiteshin në “punë” bashkë me një tharëse flokësh për të tharë librat. Lajmërimi ishte fatal, pasi bëhej fjalë për përmbytjen e katit të nëndheshëm të Bibliotekës, ku sipas punonjësve ishte bërë nami për shkak të punimeve të firmës përpara hyrjes së godinës. Njoftimi zyrtar mbi gjendjen është publikuar vetëm dje.



Pamjet që vetë Biblioteka Kombëtare ka ofruar janë të frikshme: librat të ngritur në këmbë, lagur, e nderë mbi sirtarë për t’u tharë… Copa letrash higjienike mbi të cilat janë vendosur pothuaj në gjithë hapësirën libra pafund. Pamje apokaliptike për kulturën e një vendi, që së paku mbahet mbi libra. Kjo është situata që dje zyrtarët e BK e kanë shpallur emergjente, pas përmbytjes. Bashkë me këtë publikim është shpallur edhe gjendja e emergjencës pas përmbytjes së katit të nëndheshëm të godinës nga reshjet e së premtes në mbrëmje. Në deklaratën për mediat të BK-së, thuhet se janë 12 mijë libra që rezultojnë të lagur nga shiu. Njoftimi që vjen nga BK është vetëm konstatues dhe një “inventar” jo konkret mbi fondet duke shënuar: “Biblioteka Kombëtare njofton se në orët e para të datës 23 qershor 2018, mbas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulëta të sallës. Institucioni shpalli gjendjen e emergjencës për trajtimin e materialeve bibliotekare të lagura ose pjesërisht të lagura me qëllim tharjen dhe restaurimin e tyre të plotë”. Në këtë rast, ashtu si edhe me rënien e zjarrit që u konsiderua se ka nivel të dobët të rrjetit elektrik, këtë herë nuk është shpjeguar se çfarë e shkaktoi përmbytjen, për të cilën burime të brendshme kanë treguar se përmbytja ka ardhur nga punimet e sheshit që përfshin edhe mjedisin përpara Bibliotekës. Biblioteka Kombëtare thekson se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i Vlerave të rralla dhe Arkivi i librit e i periodikut shqip.

“Nga të dhënat paraprake, numri i njësive bibliotekare me gjurmë lagështire rezultoi rreth 12 mijë. Gjatë punës së deritanishme janë tharë plotësisht rreth 70% e tyre. Vijon puna intensive për tharjen e plotë të pjesës së mbetur. Mbizotërojnë tekstet mësimore dhe botime të 15 viteve të fundit, të cilat për shkak të mungesës së theksuar të hapësirave depozituese nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve tekniko-profesionale”.

Kjo gjendje e ka detyruar administratën e lartë të Bibliotekës të marrë vendimin drastik për mbylljen e saj, duke njoftuar se “Në funksion të kësaj emergjence dhe në respektim të protokolleve profesionale, njoftojmë se Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur nga data 25 deri 30 qershor”. Ka patur një reagim të menjëhershëm sidomos në rrjetet sociale mbi këtë situatë të Bibliotekës Kombëtare, duke e quajtur skandal dhe një turp, referuar edhe një viti më parë, zjarri ka penguar procesin e rregullt të funksionit të këtij institucioni. Për disa specialistë depozitat e nëndheshëm të ujit përgjatë vijës së Pallatit të Kulturës, kanë nisur një proces degradimi që nuk i dihet fati, të cilat kanë dëmtuar edhe murin perëndimor ku ruhen librat. Kujtojmë që në datë 15 mars 2017, Biblioteka Kombëtare u përfshi nga flakët, zjarri ra në katin e nëndheshëm, ku sërish ka qenë ndërhyrja e punonjësve të saj me fikse zjarri për të shpëtuar fondet e sektorit të koleksioneve në katet e nëndheshme. Nga njoftimi i atëhershëm i BK, ishin asgjësuar këto fonde: “Mbështetur në protokollet e punës tekniko-profesionale, rezultojnë të asgjësuara nga zjarri: 748 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të gazetave), 273 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të revistave), 34 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj/fjalorë), 100 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj), 2.053 njësi bibliotekare (Fondi i librit shqip). Totali: 3.308 njësi bibliotekare”.

Edhe rasti i Bibliotekës shpesh është implikuar me qëllimet politike për t’i zhvendosur nga hapësira ku janë. Ndërsa nga ana e saj, ky institucion gjithmonë ka paraqitur dy problematika qoftë krizën e hapësirës, ashtu dhe mbivendosjen e funksioneve, si bibliotekë kombëtare dhe publike, ku mbi të gjitha është theksuar se gjendja aktuale e hapësirave të fondeve të BKSH mbeten kritike, që janë shfaqur qysh në vitet ‘80.

Këto dy aksidente, quajtur skandal, si duket janë lajmëruar më herët nga përfaqësues të BK-së mbi kushtet e godinës, që nuk garanton sigurinë e fondeve, që për këtë arsye janë ofruar shërbime të kufizuara në sallat e leximit. Në këto kushte është hedhur jo pak herë ideja e themelimit të një biblioteke të qytetit të Tiranës, me mbështetje të Bashkisë, apo ndërtimi i një Biblioteke të re Kombëtare. Por, për lexuesit dhe studiuesit kjo është pjesa më e parëndësishme, politikisht, kur janë ndeshur me dyer të mbyllur anë Bibliotekë dhe mungesë shërbimi. Nëse në dy raste ky është kufizuar nga zjarri dhe uji, pasiguria nuk duket se do jetë kaq natyrore, apo rastësisht, edhe pse konsiderohet një turp shtetëror mbi librin./V.Murati

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas