Mapo Letrare

Parajsë – Bunker

vladimir-myrtezajNga Vladimir Myrtezai

 



Kseno Madhi qe zhytur thellë në pleqërinë e tij dhe nuk kish mundur të ormisej mirë, gjë që sipas gjuhës vulg të llogarive me veten në sy të specieve njerëzore do shihej si fundi i jetës së tij. I ishte avitur të nëntëdhjetave. Gjatë jetës kishte kaluar gjithë sa mund të mbante një bojë njeriu me një takat të konsiderueshëm, me një mendje të kthjellët për t’u admiruar. Me dalë e ngadalë, në jetën e tij kishin hyrë me radhë ndodhi dhe ngjarje, e bashkë me to sende e njerëz, aq sa mund të bëje një film të gjatë e serial të bollshëm. Derte e frymë jete, që me ulje e ngritje kish ndërsyer gjithë ato shtrëngata e gjithë atë lumuri kalamajsh që tanimë ishin burra dheu, që tundeshin sa andej-këndej zigzageve të jetës, që sa vinte dhe dukej edhe më e ashpër.

Kseno Madhi tanimë jetonte i vetëm në një shtëpi modeste, në pjesën e epërme të një fshati jugor. Diku më poshtë ishin djelmuria e të tjerë farefis, që si me përtesë ishin të shpërndarë si afër e afër në një gjuhëzim të çuditshëm komunikimi, pasi dukeshin si format e një trupi të shpërndarë kuturu – një çorganizim pa ngulitje të projektuar optimiste. Gjithsesi ndihej mirë dhe  i realizuar për aq sa kish parë e bërë në ato rrethina, që tashmë i njihte dhe i kishte bredhur me pëllëmbë më pëllëmbë. Shumë shpesh i vinte në mendje e shoqja, Shanua shkreta, që i kishte qëndruar gjatë në krah dhe ish rropatur atyre gërxheve e brinjave me bagëti e halle të tjera për fëmijët, për t’i ushqyer e rritur me djersën e pallogaritshme të ballit.

Kseno Madhi kishte qenë për jetë e mot bari dhensh, por për disa kohë kishte punuar në ushtri, dhe tani i ishte kthyer zanatit të vjetër, e deri vonë bënte ziafetet e një profesionisti në të gjithë flamën e zakoneve që kishin barinjtë në përgjithësi, me një jetë të egër e krejt të vetmuar, që në një llogari të shpejtë fliste më shumë gjuhën e shtazëve se atë të njeriut. Qe rritur me erën e bajgës dhe të trëndelinës, me thellësinë e llucës dhe të dëborës, por edhe me gjelbërimin e parë maje bisqesh pranverore. Kish dëgjuar mrekullitë e tokës dhe të qiellit dhe ishte zhyer thellë në djersën e zhbërdhulët të thëngjijve të tokës, e shumë e shumë feksje që vetëm ai i kishte parë e dëgjuar atyre anëve. Kseno Madhi ishte shtatlartë e kockëmadh, me një lëpjetë këmbe të zmadhuar e me duar si ganxha e me damarë të kërcyer. I sprucuar nga një kuqëlimë dhe me një lëkurë të bardhë, si ajo e një skocezi, dhe nuk kish sesi të ish ndryshe, pasi e gjithë jeta e tij kishte kaluar përmes kusive të qumështit në stane, si dhe të djathit dhe betejave të rakisë së manaferrës, dëllinjës dhe cangadheve të shumta të rritura egër në mal. Sipër buzës së mëngjër kishte një lyth të bëshëm si gështenjë, që sa vinte e i varej në fytyrë si një tërheqje e shpejtuar e një objekti për të mos e marrë mësysh. Gjithë jetën e tij me shajak dhe opinga të lidhura kyçeve të këmbëve, me ushkurë dhe të tjera pajime, pa harruar një thikë të gjatë që e mbante gjithherë në trup, dhe deri sa iu err jeta nuk e ndau nga trupi.

Çfarë nuk kish ngjarë e kaluar, por jeta e Kseno Madhit kishte përmasën e dy-tri gjërave rreshtuar bashkë, që ishin të rëndësishme, dhe gjithçka tjetër ishte vetëm jehonë e shpleksje zhurmash të pakuptueshme që vinin nga larg. Krejt i vetmuar tashmë, e kishte ormisur veten si banesa më e afërt dhe më solidare në të gjallët e tij, si një dyzim e marrëveshje e gjatë me çfarëdo që shkaktohej më tej në jetën njerëzore. Dalë e me ngadalë ishte bjerrë krejtësisht nga kontaktet, dhe me raste po të mos kish mundësinë që të thërriste dikë pranë mund ta ngatërronte veten me një bishë, që përveçse dy-tri kuptimeve të forta jetësore, çdo gjë tjetër do ishte ndjesi e sokëllimë natyre, si dhe lëvizje rutinë që i lipseshin për të ujdisur atë biologjiken.

Në kujtesën e tij cingëriste koha kur kishte kryer ushtrinë; një periudhë me rregulla të rrepta; një jetë në një shoqëri tepër mashkullore, për t’u mbajtur mend, ngaqë e zhvendoste në litarin e jetës së tij si një pjesë e pjekurisë, por edhe si një qëndresë kundrejt asaj lloj epërsie që ndërton njeriu në grup. Do kujtonte me mall të përvëluar atë përditshmëri të mbarsur cit me rregulla; fytyrat e shokëve; kahjen e mirë të fizikut të tij; karakterin që i vihej në sprovë herë pas here; shakatë si provokime e shumëçka.

Ushtrinë e kishte bërë diku në veri, mbi zonën e Dukagjinit, zonë që karakterizohej me male të ashpra, por të ngjashme me zonën e tij në jug – kështu që u përshtat menjëherë dhe u  ndje si mos më mirë me një përfytyrim të dyzuar të vendlindjes, nga ish rrëkëllyer si mos më mirë. Ushtria ishte një nga pasuritë e tij në hallakatjen njerëzore, dhe një lloj skene e pangjyrë rregulli, por me shumë kthina të cilat e kishin rritur e burrëruar.

Ishte vendi ku dorëzoi kartën e bardhë të virgjërisë, kur i ra qielli mbi krye nga një marrëdhënie krejt e veçuar në boshtin e jetës, me një grua më të madhe në moshë, nga ato zona, që e njohu në një rrethanë sikur i erdhi nga qielli, sidoqë e ndërlikuar. Ajo grua e mësoi për herë të parë se si mund të kryente marrëdhënie intime. Ajo e kish kapluar trandshëm, stërzgjatur si jehona në trup të maleve. Mund ta quaje edhe një udhëtim me dalje nga rruga; çaste që nuk viheshin dot nën fre. Shpesh e kishte menduar veten si të pamundur në rrjedhën e bekuar të erosit, mendim që i bymehej nga drithërimat që kall vetmia pushtuese, që e ndiqte ngultazi, si një gungë natyrale e cila lë një vrimë në atmosferë.

Femra e kujtimeve të tij të largëta ishte një malësore e thekur, që i rrinte në kujtesë si një arketip i njerëzores, mu pranë trurit, si një çelës automatik që ia ndizte dëshirat në raste të rrezikshme, ku gati humbiste kufirin me jetën reale. Apo si një shkëndijë e nevojshme e thirrjeve të trupit për një arrati me gjithsej, si në kohërat e rinisë. E mbante mend me imtësi, pasi i përsëritej në vetëdije si diç e shenjtë, si forma më e lartë e ëndërrimit përvëlak.

Kseno Madhi ishte kthyer në një sekret të madh për vetveten, sepse nuk e ndante mrekullinë e ndodhur me askënd. E jetonte së brendshmi si një gjë të vyer, dhe i dhimbsej ajo materie njerëzore deri në pamundësi për ta bërë njëfarë ngjarjeje që t’i ngjante thashethemit, aq i nevojshëm në jetën e burrave dhe grave për të mbjellë historitë e tyre në pluhurin e gjësë së gjallë, si yllësi të shndërrimit të çdo gjëje lumturisht. Jo. Kseno Madhi e ruante si historinë e tij si vendndodhje rinore, vendsekret, ku ishin kapërlyer për herë të parë.

E gjitha ndodhi në një bunker në mal, si një shtëpizë betoni, që për shumë kohë u kthye në ëndërrimin më të lartë. Ajo ishte një grua e martuar, por topotisur në një shtjellë krejt të palumtur, që si çdo grua fatkeqe kishte diçka që nuk i shkartisej mbarë në lidhjen e saj të kurorëzuar. Margjela Ukshin-Hoti quhej, një malësore shtatlartë dhe e qeshur, si mazë qumështi, që Kseno Madhit i dukej që pikërisht qumështi i derdhej pafund nga çdo kthinë. Një fërgëllimë trupore që e kishte shembur përdhe në vendstrehimin e tyre sekret, dhe e kishte rrëmbyer përjetë. Nuk do i shqitej nga mendja një mavijosje e hedhur dhe e shtrirë në të gjitha pjesët e trupit; një thegël e freskët në ftohtësitë e malit dhe në terrin e familjarizuar të kapelës prej betoni, që u shndërrua në një vendqëndrim të gjatë takimesh. – Zot i madh! – thoshte me veten, duke parë qiellin tej maleve, kur shtredhej së shumti me kullotat e zgjeruara. Çfarë qe vallë ajo fantaksje e fatit që e kishte dredhur të tërin në një varje të lëshuar e totale, për ta shembur sa më shumë e sa më gjatë nëpër takimet diskrete të tyre: në shi, në dëborë, netëve të kthjellëta e pus të errëta, ata vetëm shkëmbeheshin në atë hapësirë të mbyllur, si pa frymë, ku nuk dëgjohej tjetër veç gulçimave që s’pushonin nën yshtjet çarmatosëse mishore.

Pozicioni i vendit sekret ishte si një oaz i papritur i natyrës, një lloj ngastre ku familja e saj mbillte misër, që e përdorte për silazh në dimër, dhe për çudi, në mes të ngastrës ishte instaluar një bunker, që do mund rehatonte edhe katër vetë. Margjela Ukshin-Hoti sikur e kish ëndërruar që një ditë ky vendstrehim do kthehej në një hapësirë lumturie për të, sepse vetë distanca nga shtëpia e saj qe e mjaftë për të marrë çdo masë. Ndodhi dhe një çudi më vonë, pasi ky bunker shërbente si konstruksion për të vënë të gjitha gjethet e thara të silazhit, duke ankoruar një kavalet të madh kashtor, mbuluar me pesha të rënda për ta mbrojtur nga era. E gjithë kjo për bagëtitë e imëta.

Takimi i parë me Kseno Madhin kish ngjarë në qytetin e afërt në një stacion treni. Ishte momenti që po kërkonin një makinë të rastit për në fshatin e largët në malësi. Në fakt, kishte ardhur një zis reportabël, dhe të mbeturit në stacion ishte kapërdirë lart në karroceri, ngushtuar me njeri-tjetrin drejt malësisë. Aty kish qëlluar me ushtarin e panjohur e riosh, një shtatlartë që gjatë gjithë kohës i ekspozohej pranë. Kish ndjerë erën e mirë të një njeriu të rregullt, që shndriste nga sapuni dhe kolonja. Ishte çuditur dhe iu duk se do bëhej era e saj e përhershme, dhe ashtu ndodhi. Kishin zbritur së bashku dhe, deri në njëfarë vendi, edhe rrugën e kishin bërë po bashkë. I kishte kërkuar disa herë të ndalonin, ngaqë kishin edhe disa harxhe me vete. Në  ndalesën e fundit e kishte prekur si padashje diku në gjoks, dhe vuri re që atij i kishte fluturuar pamja nga një ndrojtje e pabesueshme, dhe kishte tërhequr ndanë vetes, duke ia rrasur kokën në gjoks të tij, pa folur, ashtu për ca dekika, dhe iu duk se tanimë ajo kështjellë burri do ishte e saja përjetë. Më vonë çdo gjë u rrokullis shpejt, në një marrëdhënie të vrullshme, pa fjalë e shpjegime, gjer në fundin që nuk u panë më. Në heshtje të plotë, pa e përfolur, krijuan gjithë ritualin perfekt të komunikimit për të lokalizuar marrëdhënien, dhe çdo gjë ishte si ëndërr. Të gjitha shenjat ecnin sahat, shpërndarë në orare të përpikta, deri dhe shërbime gjërash intime që ajo ia çonte në vendstrehimin e tyre. Një histori perfekte, pa lëngëzime e shthurje anësore, e përqendruar, e përpiktë në ndërtimin e formave diskrete të saj. Një gropë e lumtur në rininë e hershme Kseno Madhit, që nuk la as edhe një shenjë, dhe nuk u shpërdor kurrë.

Për fatin e tij jetoi gjatë në një pozicion njerëzor të lashtë, i bunkerizuar heshtur, puthitur me natyrën e thjeshtë. Përveç Shanos, gruas së tij, Kseno Madhi kish kaluar një jetë pa kurrfarë ngarkese.

Shpesh i shkonte në mend se ngjante me bunkerin e largët të zhytur në kallamishte bagëtish, si anija më e bukur e fantazisë së njeriut, një parajsë, një shkak thjesht e për të mos rënë në sy; një marifet i Margjela Ukshin- Hoti, që me intuitën e femrës kishte maskuar me dhela e dinakëri një yshtje, që herazi mund të përdorej nga ushtarë apo kalimtarë të rastit për nevoja të befta. Maskimi dhe shënjimi nën kavaletin e kashtës i kishte ndryshuar rëndesën dhe kish hyrë në një projekt të butë të ëndrrës së fshehtë të një gruaje të vetmuar atyre lartësive.

Një histori si e ndërtuar nga magjitë që fal jeta, që shpërndan energjinë e erosit në një feksje thjesht të papërshkrueshme. Kseno Madhi e kujtonte atë yllin e vetmuar të tij si një kometë e kujtesës njerëzore, që Zoti e solli në derën e tij në shkulm të moshës. Ndjehej i lumtur si një pemë e harruar në kopshtin e shtëpisë së tij, aty ku nuk hyn dot egërsia e hallakatja e qytetërimit.

Një zgjedhje çudi që kish të bënte me puritanët apo shumëfishuesit e racës njerëzore, por aspak me një të tillë cytje e denatyrim të njeriut kundër kurthit të modernitetit dhe egos kafshërore në turravrap e sipër. Shtriqej ende në rrethinat e përcaktuara të hapësirës, duke pritur paq i qetë fatin që të vinte e ta merrte; me këmbë e duar së paku, dhe shpejt. Nuk ndjente asnjë gjë që ta frigonte, përveç ndoca shtrëngime këmbësh, si dhimbje të largëta, që vetëm sa e kujtonin si jehonë periferike.

Kishte jetuar mirë, pa shumë trallje dhe andralla. Mbante në shoqëri qenin e stanit, që e ushqente e çoç bisedonte me të. Asgjë nuk do mund ta ndryshonte këtë vijim të qetë e të njëtrajtshëm, madje as vdekja. S’e dinte se pse i dukej që edhe përtej jetës do ndiqte të njëjtën zgjedhje dhe të njëjtën vijë jete, me një kufi përshkrues, me dëshirën e madhe se matanë jetës t’i përsëdytej ajo malësorja e përzhitur malli me emrin Margjela.

Po dëgjonte në një radio që seç flitej për një bunker, i cili kishte bërë jehonë e përsëritej nëpër lajme sa andej-këndej. Njerëz që haheshin me njëri-tjetrin se pse duhej zbuluar e treguar në publik. Nuk kuptoi as dhe një gjë, por kujtoi se bunkeri i tij sekret ishte forma e lartë e ëndrrës dhe e mallit të jetuar me mish e me shpirt, që ushqente pareshtur hapësirat e vetmuara të tij, që tanimë ishin kthyer në një normalitet shoqërues ditëve që nuk ndryshonin shumë nga njëra- tjetra; por shtonin grinë dhe largimin e nxitjeve lëvizëse në një terren që sa vinte dhe e joshte edhe më shumë drejt fundit që priste – qetë dhe i vendosur. Ndjeu një lloj shije të lëngët në gojë se fjala bunker i asocionte në trup jehonën e një shkrehjeje të pakontrolluar. Për çudi, me një ngjyrim të pandryshuar e mavi  si lëng boronice apo diç e ngjashme që  ndjehej me gjuhë. Preku veten instiktivisht në fytyrë dhe më pas shtyu krahun sikur largonte një mizë harroi dhe tha me vete: Ik shejtan!

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas