Kryesore, Mapo Format

Para gijotinës së markës PD-PS

Vettingu në politikë si koncept vetëpastrimi dhe ide për të moralizuar jetën publike. Debatet për vijën ndarëse mes vettingut moral dhe atij ligjor po përplasin palët politike në vend. Politika mes zgjedhjes për të fituar kredo publike dhe frika nga gijotina e vettingut të madh. Flasin pedagogu Roland Lami dhe politologu Ilir Kalemaj.

Nga Sebi Alla



Në daljen e tij të parë publike pas pushimeve verore, kryeministri i vendit Edi Rama tha se çdo pasuri e kishte të dokumentuar me fatura, vlerë blerje, apo kosto ndërtimi, duke paralajmëruar se nuk kishte frikë nga asnjë lloj vettingu. Opozita, në vazhdën e aksionit vjeshtor, i ka hedhur “dorashkën” e sfiduesit mazhorancës, teksa depozitoi në Kuvend draftin me amendime kushtetuese e ligjore që sipas saj do të mundësojnë vettingun në politikë, për të larguar personat që kanë lidhje me elementë të botës së krimit, apo që nuk justifikojnë pasurinë. Përtej nismave, akteve dhe të drejtës së opozitës për të propozuar ligje e amendamente, thelbi i vettingut mbetet një “moralizim i jetës publike”. Ide e praktikuar në Francë si një formë për t’u distancuar nga politikani i establishmentit të vijimësisë, nepotizmit dhe të distancuar nga masat. Vettingu si vetëpastrim dhe përzgjedhje brenda vetes apo një llogari ligjore me pasoja penale, është muri i trashë që po ndan dy kampet politike në vendin tonë. Opozita në aksionin e saj kërkon fillimisht një vetting politik për t’u vetëpastruar e gjitha klasa, ndërsa mazhoranca si kundërpërgjigje gjykon se institucionet e reja të drejtësisë SPAK dhe BKH janë ata që përfundimisht do ndëshkojnë jo vetëm moralisht, por penalisht çdo zyrtar të lartë të lidhur me krimin, korrupsionin, apo afera të tjera të reflektuara në pasuri marramendase. E parë ftohtësisht, propozimi i opozitës ka një lloj mbështetjeje popullore, edhe pse mund të jetë një nismë populiste dhe pse jo një konsum për kredo politike. Fakti që ndërkombëtarët, qofshin edhe ambasadorë në ikje apo me mandat të saponisur, nuk janë përfshirë në këtë debat, tregon se ende ka një mosbesim jo ndaj opozitës, por politikës në tërësi, që për 28 vjet nuk tentoi të përfshijë brenda vetes “moralin publik”. Kryeministri Edi Rama është më në avancë (të paktën në deklarata), duke premtuar jo vetëm vetting moral, por ligjor dhe ndëshkues për atë pjesë të klasës politike që në këta 28 vjet janë përfolur, akuzuar e përlyer në korrupsion, krim, mafie e çdo të keqe tjetër që del nga fjalori. Termi vetting thuhet se vjen nga garat e kuajve dhe procesi i vlerësimit të kuajve nga një veteriner, nëse janë të shëndetshëm dhe në gjendje të garojnë. Në vendin tonë, kjo fjalë ka tjetër konotacion dhe zë vend te “kuajt e racës” që tjekin sistemin e drejtësisë, policisë së shtetit, e tashmë po tentohet të shtrihet edhe në politikë, ku kjo e fundit është vetë ingranazhi kryesor që mund të tentojë të shtyjë në kohë vettingun e thellë të gjithanshëm. Pedagogu i UET-së Roland Lami shprehet se politika majtas dhe djathtas dhe më shumë qeveria kanë gjetur çdo formë për të zvarritur ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH, ndërsa gjykon se “politika në sytë e opinionit publik krijon përshtypjen se është e gatshme të hetojë vetveten, por në një kontekst shqiptar vështirë ta besosh këtë gjë”. Nga ana tjetër, politologu Ilir Kalemaj e mirëpret nismën e opozitës për vettingun politik duke e krahasuar me ligjin e dekriminalizimit që mbetet një markë e PD-së. Për Kalemajn vettingu në politikë dhe reforma zgjedhore nëse do të aplikoheshin në një kohë sa më të afërt, mund të ndryshonin përfundimisht konceptin e zgjedhjeve të pakontestuara që në ato lokale që do zhvillohen vitin e ardhshëm.

 

Roland Lami, pedagog në UET: “Politika po zvarrit ngritjen e SPAK dhe BKH, vetëpastrimi vështirë të besohet”

Në kulmin e debateve për vetting, që po vijon në sistemin e drejtësisë dhe pritet të nisë shpejt intensivisht në polici dhe gardë, opozita ka propozuar që vettingu të shtrihet edhe në politikë, disa të tjerë shprehen që duhet “vetting për të gjithë”, media apo administratë. Si e konsideroni nismën e opozitës, një propozim serioz të domosdoshëm, apo një formë për të fituar kredo politike?

Çdo opozitë është në të drejtën e saj që të marrë nisma që ajo gjykon dhe beson se i rrisin kredon politike, aq më shumë kur mendon se në publik ka një uri për vënien para drejtësisë të figurave të rëndësishme politike. Mirëpo, çështja qëndron te fakti se sa probabilitet ka që kjo nismë të materializohet në ligje, vendime dhe ngritje strukturash? Sa probabilitet ka që nëse ky propozim merr dhe konsensusin e pozitës të minohet roli i SPAK dhe BKH në të ardhmen e afërt dhe komisioni që do të bëjë vettingun politik të ngjajë me AMA dhe KQZ në mungesë të pranisë dhe rolit të ndërkombëtarëve?

Nëse do t’i referohemi pyetjes së parë, probabiliteti që kjo nismë të materializohet në ndryshime kushtetuese dhe akte ligjore janë shumë të pakta, gjithmonë nëse përjashtojmë faktorin  – marrëveshje politike dhe iu referohemi thjesht interpretimeve kushtetuese, ligjore, legjitimitetit të organizmave ndërkombëtare etj. Kjo për disa arsye. Së pari, Reforma në Drejtësi që mori edhe votat e opozitës ka parashikuar ngritjen e institucioneve që kryejnë hetimin që pretendon opozita sot dhe janë SPAK dhe BKH. Jo pa arsye opozita dhe faktori ndërkombëtar kanë ushtruar presion para dy vitesh mbi qeverinë e atëhershme që këto institucione të përfshiheshin në Reformën në Drejtësi dhe të sigurohej pamundësia e politikës për të patur ndikim te këto organizma. Së dyti, fokusi i hetimit ndaj politikanëve i parashikuar të kryhet nga SPAK dhe BKH është shumë më e zgjeruar se sa parashikohet në propozimin e opozitës për vettingun politik. Së treti, organizmat ndërkombëtarë si SHBA dhe BE kanë investuar shumë që SPAK dhe BKH të ngrihen dhe të qëndrojnë larg ndikimit politik. Së katërti, shmangia e rolit të faktorit ndërkombëtar siç është ONM  te vettingu në drejtësi, është një arsye më shumë për të dyshuar mbi shterpësinë e vettingut në politikë.

Për sa i përket pyetjes së dytë, nuk përjashtohet si mundësi që të kemi një marrëveshje politike nën justifikimin moral, që jemi të gatshëm të hetohemi sa më shpejt për sa kohë nuk janë ngritur SPAK dhe BKH. Pra, si të thuash politika në sytë e opinionit publik krijon përshtypjen se është e gatshme të hetoj vetveten. Në një kontekst suedez apo danez, një nismë e tillë nuk do të ishte e paragjykuar, por në një kontekst shqiptar vështirë ta besosh këtë gjë. Kujtojmë zvarritjen e Reformës në Drejtësi, ku pa insistimin e faktorit ndërkombëtar vështirë se do të miratohej në parlament, vëreni në jo pak raste paradoksin mes vendimeve që dalin nga KPK për disa gjyqtarë dhe ONM, shtyrja në kohë e ngritjes së SPAK dhe BKH, precedentët e krijuar nga ngritja e këtyre organizmave në Rumani dhe Kroaci janë tregues që tregojnë pasigurinë që ka kapur klasën politike nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe jo e kundërta. Kështu që mënyra më e mirë për të shmangur rolin e SPAK dhe BHK në të ardhmen e afërt është ose zvarritja sa të mundemi të ngritjes së SPAK dhe BHK dhe qeveria më shumë dhe opozita më pak, e kanë bërë me sukses këtë gjë deri tani ose të ndërtojmë struktura paralele bipartizane për të dhënë amnisti për disa dhe të bëjmë kurban disa të tjerë.

Ka qëndrime dukshëm të ndara ku opozita flet për një vetting që do “vetëpastrojë” politikën, ndërsa mazhoranca argumenton se vettingun e vërtetë duhet ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë, konkretisht SPAK dhe BKH. Ndërsa një pjesë e personazheve publikë shprehen se kjo është një “marrëveshje e heshtur” e klasës politike për të sfumuar veprimtarinë e institucioneve të reja të drejtësisë që do krijohen pikërisht për të hetuar zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të shtetit. A po trembet politika nga pasojat ende të panjohura që mund të vijnë pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë?

Jemi futur në një paradoks. Opozita propozon mekanizma që të vetëpastrohet, ndërkohë që ka të gjitha hapësirat, mundësitë dhe burimet njerëzore që vetëpastrimin ta kryente me kohë brenda organizmave të saj partiake, duke filluar me kandidatët për deputetë, për kryetar bashkie, këshill bashkiak dhe personat që emëron në strukturat e larta drejtuese partiake, pasi nëse do ta bënte, rastet e personave të përfolur për afera korruptive apo pasuri të pajustifikuar do të ishin zero. Supozojmë se vetë është pastruar por është shumë “pis” kundërshtari, me çfarë mekanizmi do të sigurohet vetëpastrimi, me komisione bipartizane të ngjashëm me KQZ dhe AMA apo akoma më keq me komisione parlamentare meqë trupa e gjyqtarëve që po kalon vettingun është e kapur nga qeveria sipas opozitës dhe si rrjedhojë nuk mund të jenë të paanshëm. A është e mundur që një komision politik të pastrojë politikën?

Në krahun tjetër, qeveria justifikon qëndrimin e saj duke mbrojtur tezën se vettingun e vërtetë duhet ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë por ndërkohë është përgjegjësja kryesore që ngritja e SPAK dhe BKH jo vetëm që nuk janë ngritur, por kërkohet edhe shumë kohë që të ngrihen. Si të thuash, qeveria mbron ligjin dhe strukturat që garantojnë zbatimin e ligjit, por vonon ngritjen e këtyre strukturave me qëllim. Kështu që, njëri krah politik tund kartën morale, atë të vettingut politik, duke e ditur që nuk materializohet dot në ligj ose nëse materializohet është më shumë një farsë sesa ofron rezultatet që trumbetohen, krahu qeveritar tund kartën ligjore, por duke bërë gjithçka që ngritja e SPAK dhe BKH të vonojë sa më shumë të jetë e mundur.

Në SHBA kërkohet vetting dhe ku FBI bën një hetim, (kandidatët për zëvendëspresident kalojnë në kontroll financiar apo sjelljen personale), ndërsa në Francë flitet më shumë për ‘moralizim të jetës politike’. Edhe ky është një proces i njohur së fundmi në vend dhe cilësohet një progres. Projekti është nxitur nga presidentët Jacques Chirac dhe François Hollande. Edhe presidenti aktual, Macron thotë se e ka prioritet ‘moralizimin e jetës publike’. Po në kontekstin shqiptar, a mund të flitet për një ‘moralizim të jetës publike’ dhe a mund të kryhet kjo nga vetë politika?

Çdo nismë politike varet shumë si kanalizohet nga aktorët dhe partitë politike. Nëse ka presion nga opinioni publik se vettingu politik është i nevojshëm, apo ekziston një vetëdije nga aktorët politikë që një nismë e tillë rrit shumë kontot politike në publik nëse materializohet në akte ligjore, apo fitohet simpati te ndërkombëtarët,  kjo nismë e opozitës mund të detyrojë forcat kryesore politike që ta materializojnë në nismë konkrete, siç vepruan për ligjin e dekriminalizimit. Dhe meqë jemi në prag të zgjedhjeve lokale, mund të futet praktika që përveç plotësimit të formularëve të dekriminalizimit të kryhet brenda strukturave partiake vettingu politik i të gjithë atyre që do të kandidojnë për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak. Në këtë mënyrë minimizohen ndjeshëm mundësitë që në politikë të përfshihen tani e tutje njerëz me të shkuar kriminale në politikë. Ndërsa ata që vazhdojnë të jenë në politikë dhe ata që do të futen për herë të parë në politikë do të jenë objekt hetimi i SPAK dhe BKH. Kjo nismë nëse materializohet në këto zgjedhje lokale dhe kthehet në zakon brenda partive politike, e shoqëruar me funksionimin e SPAK dhe BKH, siguron atë që ju me të drejtë e thoni moralizim të jetës politike.

 

Ilir Kalemaj, politolog: Vettingu në politikë dhe reforma zgjedhore janë garancia e zgjedhjeve të pakontestuara

Në kulmin e debateve për vetting, që po vijon në sistemin e drejtësisë dhe pritet të nisë shpejt intensivisht në polici dhe gardë, opozita ka propozuar që vettingu të shtrihet edhe në politikë, disa të tjerë shprehen që duhet “vetting për të gjithë”, media apo administratë. Si e konsideroni nismën e opozitës, një propozim serioz të domosdoshëm, apo një formë për të fituar kredo politike?

Vettingu në politikë është një ‘sequel’ apo e thënë ndryshe, vijimësi i procesit të suksesshëm të dekriminalizimit, që ishte një nismë e suksesshme politike e opozitës. Pas propozimit të radhës së opozitës, mazhoranca ka ndjekur linjën e asaj që paralajmëron Gandi kur thotë se “në fillim ata të injorojnë, pastaj të përqeshin, mandej të sulmojnë dhe në fund ti fiton”. Kjo ishte panorama me ligjin e dekriminalizimit dhe mendoj se do të kemi një déjà vu politike përpos përpjekjeve për ta sfumuar, duke e tejshtrirë konceptin në këtë fazë fillestare (p.sh. me spekulimin për median), ose duke e konsideruar të pamjaftueshëm, pasi kërkon t’í mveshësh atributet e SPAK-ut apo BHK-së të cilat do merren me hetimin penal dhe jo me penalizimin politik që kërkon të bëjë ky proces. Këto përpjekje për diversion politik nuk mund gjithsesi ta zhbëjnë këtë propozim, i cili ngelet i vlefshëm, pavarësisht edhe kalkulimeve për të përfituar njëkohësisht edhe kapital politik. Opozita rishpik vetveten këtë vjeshtë paraprake elektorale duke kombinuar aksionin në terren dhe zhvendosjen e grupit parlamentar në rrethe me verbin politik kur në një tavolinë të kthyer përmbys i kërkon qeverisë të përshpejtojë pastrimin nga radhët e të inkriminuarve, të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe të bëjë më tepër për të luftuar korrupsionin sistemik dhe endemik. Natyrisht këto kërkesa rezonojnë dhe përputhen plotësisht me kërkesat e BE-së për hapjen e negociatave.

Ka qëndrime dukshëm të ndara ku opozita flet për një vetting që do “vetëpastrojë” politikën, ndërsa mazhoranca argumenton se vettingun e vërtetë duhet ta bëjnë institucionet e reja të drejtësisë, konkretisht SPAK dhe BKH. Ndërsa një pjesë e personazheve publikë shprehen se kjo është një “marrëveshje e heshtur” e klasës politike për të sfumuar veprimtarinë e institucioneve të reja të drejtësisë, që do krijohen pikërisht për të hetuar zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të shtetit. A po trembet politika nga pasojat ende të panjohura që mund të vijnë pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë?

SPAK dhe BKH janë ende larg konstituimit të tyre, ndryshe nga KLGJ dhe KLP që pritet të funksionojnë në një kohë më të shpejtë. Nga ana tjetër, vakumi i krijuar me Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese e vendos vendin në një situatë të paprecedentë dhe është imperative të krijohen mekanizma tranzitorë të tillë si “vettingu” i politikës që propozon opozita për të bërë të mundur garantimin e procesit qysh në zgjedhjet lokale që mbahen në pak muaj. Paralelisht me reformën zgjedhore, nëse arrin të realizohet në kohë, këto do të ishin garantues të një procesi të pakapur dhe rezultati të pakontestuar, duke shkurtuar kostot elektorale dhe politike dhe duke ndihmuar edhe me integrimin. Opozita ka qenë e qartë se procesi i “vettingut politik” është i ndarë nga hetimit penal që do kryejnë SPAK dhe BKH dhe njëra nuk e shfuqizon tjetrën, as e bën të pavlefshëm.

Në SHBA kërkohet vetting dhe ku FBI bën një hetim, (kandidatët për zëvendëspresident kalojnë në kontroll financiar apo sjelljen personale), ndërsa në Francë flitet më shumë për ‘moralizim të jetës politike’. Edhe ky është një proces i njohur së fundmi në vend dhe cilësohet një progres. Projekti është nxitur nga presidentët Jacques Chirac dhe François Hollande. Edhe presidenti aktual, Macron thotë se e ka prioritet ‘moralizimin e jetës publike’. Po në kontekstin shqiptar, a mund të flitet për një ‘moralizim të jetës publike’ dhe a mund të kryhet kjo nga vetë politika?

Atë që Macron së fundmi e ka quajtur “moralizim të jetës publike” për të shpëtuar klasën politike nga tentakulat e nepotizmit dhe konflikti i interesit, është një kambanë alarmi për veshët që duan të dëgjojnë. Kur kthehet në një çështje prioriteti kombëtar në Francë, abuzimi me qëndrimin për më shumë se dy mandate të funksionarëve lokalë dhe qendrorë, punësimet nepotike në administratë nga deputetët e mazhorancës, apo përfitimet për shkak të postit, imagjinoni te ne kur fjala abuzim me pushtetin ka pësuar inflacion. Të kthyerit e besimit të publikut te klasa politike është imperative për cilëndo forcë politike që është sot apo do jetë nesër në pushtet.

Ndryshe radikalë dhe ekstremistë të të gjitha ngjyrave mund të vjedhin agjendën politike, raskalë dhe kleptokratë mund të mbajnë peng integrimin për interesa të tyre okultë dhe qarkullimi i elitave nuk ka për të dalë nga tuneli i mediokritetit ku e kanë futur. Ndërsa populistë të të gjitha ngjyrave mund të bashkohen për t’i dhënë dërrmën demokracisë. Ky është momenti që diferencon politikanët e pakapur të të gjithë ngjyrave politike, ata pak shtetarë dhe atdhetarë që janë ende në qarkullim me hienat që kanë vjedhur pronë dhe pasuri publike gjithë këta vjet, kanë ushqyer një sistem klientelist dhe janë kthyer në kolltukofagë të dhjamosur me pak lidhje me realitetin.

 

Termi vetting si kontroll për “kuajt e garave”

Termi vetting thuhet se vjen nga garat e kuajve dhe procesi i vlerësimit të kuajve nga një veteriner nëse janë të shëndetshëm dhe në gjendje të garojnë. Kuajt me probleme fizike nuk mund të jenë në gjendje që të garojnë pasi përbëjnë rrezik për veten dhe garuesin.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kandidat presidencial duhet të zgjedhë një kandidat për zëvendëspresident, që e shoqëron në fushatë. Kandidatët për zëvendëspresident i nënshtrohen një vlerësimi të thellë nga një skuadër këshilltarësh, që veprojnë në emër të të nominuarit. Në fazat e mëvonshme të vettingut, skuadra ekzaminon financat e kandidatit për zëvendëspresident, sjelljen personale dhe mbulimin e mëparshëm mediatik.

Në Francë, ndryshe nga SHBA ku kërkohet vetting dhe ku FBI bën një hetim, nuk ka diçka të tillë. Në Francë flitet më shumë për ‘moralizim të jetës politike’. Edhe ky është një proces i njohur së fundmi në vend dhe cilësohet një progres. Projekti është nxitur nga presidentët Jacques Chirac dhe François Hollande. Edhe presidenti aktual, Macron thotë se e ka prioritet ‘moralizimin e jetës publike’.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas