Arkiva 2

Papandreu dorëzon PASOK-un: Nuk do rikandidoj për kryeministër

Ish-kryeministri grek, Jorgos Papandreu po bën gati largimin nga politika aktive, duke hequr dorë nga drejtimi i PASOK

Pas dorëheqjes nga kreu i qeverisë, Jorgos Papandreu bëhet gati për të dorëzuar edhe PASOK-un. “Nuk pretendoj të jem një kandidat për kreun e PASOK dhe as një kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme”-deklaroi ish-kryeministri grek, dje pasdite në takimin e këshillit politik të PASOK-ut. Sipas informacioneve nga kjo parti, zgjedhja e pasardhësit të Papandreut do bëhet në dy faza. Së pari do zgjidhet kandidati i PASOK-ut për kryeministër pastaj do bëhen zgjedhjet në parti. Anëtarët e Këshillit Politik kërkojnë zgjedhjen e presidentit të ri përpara zgjedhjeve kombëtare. Që në fillim të këtij takimi kritik, ish-kryeministri hapi kartat e tij, duke thënë se nuk do të jetë kandidat për kryeministër, as për kryetar të PASOK-ut.  Në të njëjtën kohë, Papandreu shprehu mbështetjen për qeverinë Papadhimos dhe siguroi angazhimin e PASOK-ut për të kontribuar në zbatimin e programit të kësaj qeverie dhe kryerjen e misionit të saj. PASOK dhe Papandreu besojnë se qeveria Papadhimos është një përparim i madh në jetën politike të vendit dhe mbështetja për të është një përgjegjësi kombëtare. Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë, Pandelis Kapsis e ka përcaktuar kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, rreth muajit prill, duke theksuar se do të ishte “e rrezikshme” që këto zgjedhje të shpalleshin tani. Kriza ekonomike në Greqi duket se rrënoi politikisht ish-kryeministrin Papandreu, i cili ende nuk e ka vendosur nëse do të tërhiqet përgjithnjë nga politika aktive apo do të vazhdojë të kontribuojë për partinë e tij.  Pas largimit nga posti i kryeministrit, që i la vend krijimit të qeverisë së teknokratëve të udhëhequr nga Lukas Papadhimos, Jorgos Papandreu po lë edhe drejtimin e partisë, në një kohë aspak të favorshme për socialistët grekë. Sondazhet e fundit kanë regjistruar mbështetjen më të ulët popullore për PASOK, rreth 12 përqind. Nuk është e qartë nëse vendimi i Papandreut do të pasohet nga tërheqja përfundimtare e tij nga politika apo do të vijojë të mbetet e të japë kontributin e tij në strukturat e PASOK-ut.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas