Mapo Letrare

Panairi: Këtë vit, 50 % më pak tituj të rinj

libriKëtë vit, 50 % më pak tituj të rinj

Vitin e kaluar numëroheshin rreth 2400 tituj të rinj që morën pjesë në Panairin e 16 të Librit, i cili u vizitua nga 90 mijë vizitorë. Ndërsa këtë vit shifra ka rënë me 50 për qind, kur gjatë periudhës dhjetor 2013- nëntor 2014 janë regjistruar vetëm 1200 tituj të rinj. Shkak për këtë është bërë edhe kriza ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi ynë, çka i ka shtyrë botuesit të jenë më të kujdesshëm në tregun e botimeve. Rënia e titujve të rinj ka bërë që këtë vit të anulohet dhënia e çmimit të Letërsisë për Fëmijë, pasi ka shënuar shumë pak prurje dhe shumë pak libra cilësorë. Ky është një problem i cili ka disa vite që është evidentuar, madje është adresuar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka folur për nxitjen e letërsisë për fëmijë, por që ende nuk është reflektuar te botuesit shqiptarë.



Anketa, të rinj me diplomë që nuk kanë lexuar asnjë libër

Nga një shqyrtim i parë që i është bërë një anketimi që do të jetë baza për një shqyrtim të prirjeve të leximit në shtresa të ndryshme të popullsisë, i kryer nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, del se ka të rinj në numër të konsiderueshëm që, megjithëse kanë mbaruar shkollën e lartë, nuk kanë lexuar gjatë vitit të kaluar asnjë libër, as artistik dhe as eseistik. Dhe gjithashtu nuk kanë blerë asnjë libër.

Informaliteti në tregun e botimeve, shqetësim serioz

Nuk ka bilance të sakta për prurjet e reja në tituj gjatë këtij viti, kjo për shkak të informalitetit. Nga të dhënat paraprake rezulton se këtë vit janë regjistruar 1200 tituj të rinj që marrin pjesë në panair, ndër ta 108 marrin pjesë në konkurrim për çmimet e panairit. Ky nuk është numri i saktë pasi shumë prej botimeve të reja nuk e marrin “ISBN” në Bibliotekën Kombëtare. Flitet ende për dhjetëra autorë të piratuar nga gjuhët e mëdha; vihet re një informalitet në tregun e botimeve, nga shtypshkrimet informale, e deri te fotokopjime masive të teksteve universitare. Një tjetër shqetësim janë edhe subjektet që edhe pse kanë mbyllur veprimtarinë e tyre ligjore botuese,  vazhdojnë të shtypin libra dhe të furnizojnë përsëri libraritë.

Përkthimi, gjuha e Europës

Gjatë ceremonisë së djeshme u vu theksi edhe në përmirësimin e standardit të botimeve. Kjo për faktin se në Shqipëri, për gati 25 vite botohen pa pushim vepra dhe autorë, nga më të njohurit deri tek ata më pak të njohurit, nga gjuhë e kultura të ndryshme. Po kështu u theksua se duhet një vëmendje e veçantë për përkthimin, duke iu referuar devizës së famshme të Umberto Eco-s “Gjuha e Europës është përkthimi”.

Libri i ri i Kadaresë, sot në stendën “Onufri”

Ashtu siç edhe ishte lajmëruar më parë, shkrimtari i njohur Ismail Kadare sjell veprën e tij më të re, që do i prezantohet lexuesit ditën e sotme në stendën e Shtëpisë botuese “Onufri”. “Mëngjeset në kafe Rostand, motive nga Parisi” është libri me ese i shkrimtarit, i cili vjen për lexuesin pas romanit “Mjegullat e Tiranës”. Sipas botuesit Bujar Hudhri, ky libër bën bashkë lexuesin e dikurshëm dhe të sotëm të Kadaresë. Është si një “Ftesë në studio”, por në tjetër kohë, tjetër vend, ku studioja është Kafeneja Rostand, ku Kadare ka shkruar disa nga romanet dhe esetë e tij. Megjithëse libri do të jetë sot në duart e lexuesve të Kadaresë, vetë shkrimtari duket se nuk do të jetë i pranishëm në stendë, pasi nga njoftimet zyrtare nuk është lajmëruar prezenca e tij.

Qosja, Fevziu, Blushi dhe Zogaj, takim me vizitorët

Akademiku Rexhep Qosja ishte dje në stendën e Shtëpisë botuese “Toena”. Këtë vit Qosja ka sjellë “Ditarët”- kujtimet e tij nga fëmijëria, jeta akademike, apo ajo çfarë ka ndodhur me Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. Të pamunguar ishin dhe dy nga autorët më të shitur të viteve të fundit, Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, në stendën e Shtëpisë botuese UET-Press, që edhe në ditën e parë të panairit kanë shënuar rekorde shitjesh. I pranishëm ishte edhe Preç Zogaj, me librin e tij “Fillimet”.

Botimet “Saras”, 4 promovime në një ditë

Ka zgjedhur kohën më të mirë për të promovuar botimet më të reja shtëpia “Saras”, e cila sjell për lexuesin francezin Aleksandër Duma, me librin “Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe”, nobelistin indian V. S. Naipaul me “Qyteti bri lumit”, Jason Goodwin me “Syri i keq”, dhe “Hije mbi liqen” nga Cocco&Magella.

Aventurat e Tintinit vijnë në Shqipëri

Prezantohet sot në stendën e ambasadës franceze botimi i parë i bëmave të Tintinit, personazhi vizatimor i njohur në gjithë botën, që vjen përmes botimit “Skeptri i Otocarit”, përkthyer nga Evelyne Noygues dhe Arben Selimi. Mbas prezantimit do të zhvillohet një aktivitet me fëmijë për të mësuar se si bëhet një libër me vizatime. Aktiviteti do të përsëritet edhe të premten në orën 16:30 dhe ditën e shtunë në orën 11:00. Botimi i aventurave të Tintinit është një ngjarje e këndshme, pasi sjell për herë të parë një personazh, me bëmat e të cilit janë rritur fëmijët në të gjithë botën, ndërsa në Shqipëri ai ka qenë pak ose aspak i njohur për shkak të izolimit 50-vjeçar.

Një kafe në Montparnasse

Montparnasse në këndin e Pallatit të Kongreseve. Kjo ka qenë ideja e këtij viti nga Ambasada franceze për të tërhequr vizitorët, duke e përshtatur stendën në formën e një kafeneje të ngrohtë ku mund të shfletosh libra, të gjerbësh një kafe të mirë dhe të bisedosh. Ambasada franceze zgjedh që çdo vit të prezantohet me diçka origjinale, ndërsa vjet ishin barcode-t ku mund të shkarkoje libra falas nga interneti, në kuadër të 100-vjetorit të filozofit dhe shkrimtarit francez, Albert Kamy.

Gra të shquara në stendën “Pegi”

Shtëpia botuese “Pegi” sjell tre libra të rinj në Panairin e 17-të të shkrimtarëve me famë botërore. “Ema” është botimi i Jane Austen, i cilësuar edhe si kulmi i gjenisë së autores. Romani është një komedi klasike romantike, e mbushur me mprehtësi dhe ironinë që karakterizon autoren. “Natë e ditë” nga Virginia Woolf, është botuar për herë të parë më 1919-ën. I ambientuar në Londrën eduardiane paraqet kontrastet midis jetëve të përditshme dhe lidhjeve romantike të dy grave. Romani analizon raportet midis dashurisë, martesës, lumturisë dhe suksesit. “Terr i bukur” nga autorët Kami Garcia dhe Margaret Stohl, është një ndërthurje mes gotikes, mitikes dhe magjikes.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas