Kryesore, Mapo Format

Panairi i Punës në UET: Momenti kur studentët nisin një fazë të re

U zhvillua edicioni i 9-të i Panairit të Punës në UET, me pjesëmarrjen e mbi 50 kompanive të ndryshme në vend

Panairi i Punës UET 2018 u mbajt më 31 maj në Universitetin Europian të Tiranës, duke iu ofruar studentëve të këtij universiteti një mundësi për të kontaktuar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e të paktën 52 kompanive të ndryshme në vend. Qindra CV dhe intervista u bënë gjatë disa orëve të panairit në stendat e kompanive të pranishme, të cilat ofronin mundësi intershipi dhe punësimi në fusha të ndryshme, që nga puna në sektorin bankar, menaxhim biznes, zyra kontabiliteti, IT, marrëdhënie me publikun, dizajn etj.



Si i ftuar special në këtë panair ishte Drejtori i Përgjithshëm ekzekutiv i Bankës Societe Generale Albania, Frederic Blanc.

Ai përgëzoi jo vetëm traditën disavjeçare të Universitetit Europian të Tiranës, por edhe nismën e Programit 250 +, ku UET dhe banka që ai drejton arritën një marrëveshje ndërmjet këtyre dy institucioneve.

“Kjo traditë e krijuar nga universiteti juaj na ndihmon me shumë ne si punëmarrës, në veçanti bankën Societe Generale Albania që të kthejme më shumë vështrimin tonë drejt të rinjve, pasi ata jo thjesht janë e ardhmja për institucionet tona, por janë më të freskët dhe kanë një model të menduarit që i përshtatet më shumë epokës digjitale që sa vjen dhe bëhet më e pranishme”.

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici foli mbi sfidën që kanë universitetet për t’iu përgjigjur dinamikës në zhvillim të tregut të punës.

Ai e cilësoi panairin si një nga evenimentet më të mira të UET-it.

“Universitetet, që kur janë krijuar, kanë pasur 3 detyra kryesore: të grumbullojnë dije, të jenë qendra informacioni sa më të mira dhe të prodhojnë dijen nëpërmjet punës kërkimore shkencore dhe ta transmetojnë atë. Por u bënë 2-3 dekada që universiteteve iu është shtuar një detyrë e katërt e rëndësishme: universitetet duhet edhe të profesionalizojnë. Nuk mjafton të kultivosh vetëm qytetarë të kultivuar, të formuar me dije, por këta qytetarë duhet t’i profesionalizosh, dhe që të bëhet e mundur kjo, universiteti duhet të jetë i lidhur me tregun e punës, me korporatat. Pra, universiteti shihet si investim për t’u bërë një profesionist”, theksoi Civici.

Për Dekanin e Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit, prof. asoc Dr. Selami Xhepa, ky panair është në njëfarë mënyre ndryshimi i jetës së studentëve, ku ata për herë të parë përballen me tregun e punës ku kalojnë nga njëra fazë e jetës në tjetrën.

Drejtoresha e programeve Master në UET, dr. Orkida Ilollari, njëjkohësisht dhe drejtuesja e Programit 250+, duke përshëndetur të gjithë kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair, vuri theksin në strategjjinë e Universitetit Europian të Tiranës, “UET, Universiteti i Biznesit”, ku nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me kompanitë dhe institucionet e ndrsyhme i afrohet më shumë tregut të punës për të nxjerrë studentë jo thjesht të diplomuar, por studentë kreativë, studentë me një model të të menduarit kritik dhe sa më të aftë për t’u përshtatur në pozicionet e punës ku ata duan të ndërtojnë karrierën e tyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas