Kryesore, Mapo Format

Panairi i Punës në UET: Momenti kur studentët nisin një fazë të re

U zhvillua edicioni i 9-të i Panairit të Punës në UET, me pjesëmarrjen e mbi 50 kompanive të ndryshme në vend. Studentët e sapodiplomuar apo që vazhdojnë studimet në UET kishin mundësinë që të kontaktonin direkt kompanitë për punë apo për internshipe të ndryshme që i ndihmojnë ata për nisjen e karrierës së tyre profesionale. Pika kontakti mes tregut dhe studentëve UET krijon edhe përmes organizimit të përvitshëm të Panairit të Punës, tashmë kthyer në një traditë të konsoliduar

Panairi i Punës UET 2018, i cili u mbajt më 31 maj në Universitetin Europian të Tiranës, iu ofroi studentëve të këtij universiteti një mundësi për të kontaktuar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e të paktën 52 kompanive të ndryshme në vend. Qindra CV dhe intervista u bënë gjatë disa orëve të panairit në stendat e kompanive të pranishme, të cilat ofronin mundësi internshipi dhe punësimi në fusha të ndryshme, që nga puna në sektorin bankar, menaxhim biznes, zyra kontabiliteti, IT, marrëdhënie me publikun, dizajn etj.



Përshtatja e vazhdueshme me kërkesat e reja të tregut të punës në kurrikula studimore vjen edhe nga bashkëpunimi që UET ka me profesionistë të suksesshëm, anëtarë të Bordeve të Tregut të Punës, një ide pioniere e UET që tashmë funksionon prej 8 vitesh.

Bordet janë të atashuar pranë çdo departamenti dhe përbëhen nga 7 anëtarë, të cilët janë ish-studentët të UET. Bordet e tregut të punës janë një pikë kontakti për punësimin, praktikat profesionale dhe internshipet.

Si i ftuar special në këtë panair ishte Drejtori i Përgjithshëm ekzekutiv i Bankës Societe Generale Albania Frederic Blanc, ku përgëzoi jo vetëm traditën disavjeçare të Universitetit Europian të Tiranës por edhe nismën e Programit 250 + ku UET dhe banka që ai drejton arritën një marrëveshje ndërmjet këtyre dy institucioneve. “Kjo traditë e krijuar nga universiteti juaj na ndihmon më shumë ne si punëmarrës në veçanti bankën Societe Generale Albania që të kthejmë më shumë vështrimin tonë drejt të rinjve, pasi ata jo thjesht janë e ardhmja për institucionet tona por janë më të freskët dhe kanë një model të menduari që i përshtatet më shumë epokës digjitale që sa vjen dhe bëhet më e pranishme”.

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici foli mbi sfidën që kanë universitetet për t’iu përgjigjur dinamikës në zhvillim të tregut të punës. Ai e cilësoi panairin si një nga evenimentet më të mira të UET-it. “Universitetet që kur janë krijuar kanë patur 3 detyra kryesore; të grumbullojë dije, të jenë qendra informacioni sa më të mira dhe të prodhojnë dijen nëpërmjet punës kërkimore shkencore dhe ta transmetojnë atë. Por u bënë 2-3 dekada që universiteteve iu është shtuar një detyrë e katërt e rëndësishme; universitetet duhet edhe të profesionalizojnë. Nuk mjafton të kultivosh vetëm qytetarë të kultivuar, të formuar me dije, por këta qytetarë duhet t’i profesionalizosh dhe që të bëhet e mundur kjo universiteti duhet të jetë i lidhur me tregun e punës, me korporatat. Pra, universiteti shihet si investim për t’u bërë një profesionist”, theksoi Civici.

Për Dekanin e Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit prof. asoc. dr. Selami Xhepa, ky panair është në një farë mënyre ndryshimi i jetës së studentëve, ku ata për herë të parë përballen me tregun e punës ku kalojnë nga njëra fazë e jetës në tjetrën.

Drejtoresha e programeve Master në UET, dr. Orkida Ilollari njëkohësisht dhe drejtuesja e programit 250+ duke përshëndetur të gjithë kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair vuri theksin në strategjinë e Universitetit Europian të Tiranës “UET Universiteti i Biznesit”, ku nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me kompanitë dhe institucionet e ndryshme i afrohet më shumë tregut të punës për të nxjerrë studentë jo thjesht të diplomuar por studentë kreativë, studentë me një model të të menduarit kritik dhe sa më të aftë për t’u përshtatur në pozicionet e punës ku ata duan të ndërtojnë karrierën e tyre.

Adrian Civici:

Universitetet, që kur janë krijuar, kanë patur 3 detyra kryesore: të grumbullojnë dije, të jenë qendra informacioni sa më të mira dhe të prodhojnë dijen nëpërmjet punës kërkimore shkencore dhe ta transmetojnë atë. Por u bënë 2-3 dekada që universiteteve iu është shtuar një detyrë e katërt e rëndësishme: universitetet duhet edhe të profesionalizojnë. Nuk mjafton të kultivosh vetëm qytetarë të kultivuar, të formuar me dije, por këta qytetarë duhet t’i profesionalizosh, dhe që të bëhet e mundur kjo, universiteti duhet të jetë i lidhur me tregun e punës, me korporatat. Pra, universiteti shihet si investim për t’u bërë një profesionist.

Në fakt aktivitet si këto tregojnë se çfarë standardi dhe cilësie ka produkti që ne nxjerrim. Sa i aftë është për tregun e punës dhe sa baza të shëndetshme ka për një karriere të suksesshme. Nga mënyra se si ju do i gjykoni studentët tanë, ne do të nxjerrim analiza mbi mënyrën sesi janë përgatitur. Duket sikur pedagogu ka vetëm funksionin që merë në provim të tjerët. Ne duhet të kuptojmë se cilat janë programet dhe kurrikulat më të mira dhe se çfarë skicash kërkon sot një student i diplomuar për t’iu përgjigjur kërkesave të punës jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Frederic Blanc, CEO i Bankës Societe Generale: Mënyra e të menduarit është avantazhi kryesor për të fituar një vend pune

Është një bashkëpunim i mirë mes Universitetit Europian dhe institucioneve të tjera. Është një mënyrë e mirë që universiteti të përgatisë studentë me aftësitë që kërkohen prej institucioneve, duke ndryshuar kurrikulat. Do të doja të bëja dy pyetje. E para, përse keni zgjedhur studimet Financë-Bankë dhe përse keni zgjedhur bankën Societe Generale Albania. Për pyetjen e parë unë shoh katër arsye. E para është se duke studiuar Financë-Bankë do të gjendeni në zemër të ekonomisë, sepse bankat janë ato që financojnë ekonominë por edhe njerëzit dhe ndihmojnë shumë në financimin e kursimeve. Ky është rol i rëndësishëm për ekonominë dhe bankat. E dyta është se sektori bankar në Shqipëri është i shëndetshëm dhe ai ka mundësi të financojë ekonominë. Është një ndër sektorët e vetëm në Shqipëri i rregullt dhe i formalizuar. Arsyeja e tretë është se banka është një sektor shërbimesh, duke vënë në qendër të saj kapitalin human. Sektori bankar punëson sot 6700 punonjës. Është një sektor që i krijon mundësi stafit të tij për t’u zhvilluar dhe në të njëjtën kohë për të përfituar ekspertizën. Banka nuk është vetëm paraqitja e parë me klientin, por edhe gjithë funksionet që janë mbrapa, si burimet njerëzore, auditi, risku etj. Arsyeja e katërt është se ky sektor do të marrë sfida të mëdha që do e përmirësojnë. Kur flas për përmirësim flas për digjitalizimin. Kjo vlen edhe në atë që e quajmë model i të menduarit, duke pasur në fokus vetëm klientin. Unë ju thashë katër arsyet pse duhet të zgjidhni këtë program. Tani do iu them arsyet pse duhet të zgjidhni bankën Societe Generale Albania. E para është se Societe Generale Albania është vlerësuar me çmimin “Banka më e mirë në Shqipëri” për vitin 2018 nga revista Global Finance. Është një bankë dinamike sepse ka njohur një ndryshim të madh duke ruajtur gjithmonë cilësinë. Së fundi dua të përmend se kjo bankë ka ndryshuar shumë dhe ka kaluar më shumë se 10 vjet që grupi ka blerë bankën. Në fillim ka qenë një bankë e vogël dhe ka patur vetëm 3% të tregut, ndërsa sot ajo është banka e pestë sistemike në vend. Për sa u përket kredive të këqija ka nivelin më të ulët në sistemin bankar. Pra, dinamizëm dhe transformim. Do të doja të jepja disa këshilla. E thashë edhe në fillim se sfida më e madhe sot është “digital think”, pra të vësh veten në vendin e klientit. Në CV që dërgoni vini në dukje të veçantën tuaj që të bëni diferencën. Mos u mjaftoni vetëm me dijet tuaja akademike. Jini kurioz, mundohuni të eksploroni dhe të zhvilloni vlerat tuaja.

Marisa Kaçorri, Drejtoresha e Punësimit Tiranë: Bashkëpunimi me UET ka qenë gjithmonë i frytshëm

Është kënaqësi e madhe për ne që jemi përsëri të ftuar. Zyra që unë përfaqësoj mundëson orientim drejt tregut të punës, intervistim dhe një mundësi të mirë punësimi, apo dhe internshipe dhe praktika mësimore për studentët. Një nga programet kryesore që unë do iu thoja sot për studentët që kanë përfunduar studimet bachelor ose master, është një program që subvencionon studentët nga zyra e punës, duke i stimuluar me një pagesë për të kryer një internship. Po nënshkruajmë një marrëveshje me Universitetin Europian të Tiranës, që studentët të kenë mundësi punësimi më shpejt. Shikoni gjithmonë adresën tonë që të jeni të informuar për çdo vend të lirë pune. Zyrat e punësimit Tiranë bëjnë ndërmjetësim vetëm më sektorin privat, por gjithashtu iu krijojmë mundësi edhe për sektorin shtetëror. Kemi rritur mundësitë e punësimit ndërmjet marrëveshjeve me sektorin privat ku një ndër marrëveshjet më të frytshme është ajo me UET. Mos e humbni besimin por vizitoni zyrat e punësimit.

Stefan Pinguli, CEO i Birra Stela: UET, i vetmi universitet që përshtatet me tregun e punës

Unë përfaqësoj një kompani në sektorin e prodhimit që është Birra Stela dhe në funksionin e tregtisë siç është “Tek Stela”. Ne kemi bashkëpunuar me Universitetin Europian, përveç bashkëpunimit shkencor që kemi pasur, por gjithashtu edhe një bashkëpunim në çështjen e kurrikulave 250+. Një pjesë e studentëve të UET kanë zhvilluar te ne një praktikë interesante në lidhje me raportin shtet- treg. Kjo marrëdhënie qartëson marrëdhëniet e reja që mund të lindin në treg. Mbi këtë bazë unë do të isha shumë i interesuar që kjo marrëdhënie të vazhdojë për të kuptuar më shumë rreth lidhjes treg-shtet. Për të kuptuar se cilët janë interesat e tregut, sepse sipas nesh prevalojnë interesat e shtetit.

Selami Xhepa: Ky është momenti kur studenti merr në dorë jetën e vet

Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që sapo diplomohen. Është moment i rëndësishëm sepse gjithë puna e bërë prej vitesh do të vihet në shërbim të vetes së tyre dhe të familjes së tyre. Është momenti ku secili merr në dorë jetën e vet. Funksioni ynë si universitet është asistimi që studentët të integrohen në jetë. Dhe ky është një proces i vështirë dhe kërkon sforco nga të dyja anët. Ideja që një student nga bankat e shkollës do të bëhet një specialist i zoti mungon edhe jashtë Shqipërisë. Uroj që dita e sotme të jeta dita e ndryshimit të jetës për atë që do të ketë fat të përzgjidhet.

Orkida Ilollari: Partneriteti me biznesin është mundësia më e mirë për t’u përmirësuar

Ky është panairi i nëntë që ne organizojmë, ku kemi të ftuar çdo vit më shumë se 50 biznese. Jemi të kënaqur që sot kemi mbi 50 biznese të akomoduara në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. UET e ka një strategji dhe ajo është UET Strategjia e Biznesit. Kjo do të thotë se Universiteti Europian ka si sfidë të përgatitë studentë cilësorë, kreativë dhe që janë të aftë për tregun e punës. UET ka disa programe por njëri nga programet që na mban më afër me botën e biznesit është programi 250+, i cili konsiston në tavolina shumë të ngushta me bizneset dhe institucione të ndryshme për të marrë feedback-un se çfarë kërkojnë aktualisht korporatat apo administratat publike prej studentëve të përgatitur nga universitetet. Kjo do të thotë një punë kolosale e universitetit me ju, që ka si qëllim përmirësimin e programeve tona dhe ndryshimin e kurrikulave dhe silabuseve. E rëndësishme është se UET bashkëpunon me shoqatën Alumni. Pra detyra jonë nuk konsiston vetëm në punësimin e studentëve por dhe qëndrimi pranë për një kohë të gjatë, duke parë arritjet e tyre dhe si ka ndryshuar karriera e tyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas