Kryesore, Sport

Ora e të vërtetës për Shqipërinë e Panuccit, kuqezinjtë presin Izraelin

Ka pak më tepër se një vit që është ulur në stolin e Kombëtares Shqiptare të futbollit, ku zëvendësoi patriotin e tij Giani De Biasi, por për Christian Panuccin, vetëm sot do të fillojë testi i tij i vërtetë.

Italiani u ul në stolin e Shqipërisë më 19 Korrik të 2017-ës, në një periudhë kur kuqezinjtë i kishin humbur shpresat për të synuar një kualifikim të mundshëm në botërorin “Rusi 2018”.



Deri tani tekniku ka drejtuar Shqipërinë në 8 takime, ku regjistron 2 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje, por objektivi ndaj tij gjatë kësaj kohe, ka qenë të gjejë skuadrën e duhur, me të cilën do të synojë një vend në Euro 2020.

Kështu pas më tepër se një viti eksperimentesh, zbulimesh dhe negociatash me futbollistë, tashmë ka ardhur momenti që puna e Panuccit të duket në fushë, teksa sonte në orën 20:45 Shqipëria do të presë Izraelin, në “Elbasan Arena”, në sfidën e parë të Ligës së Kombeve.

Situata në kampin kuqezi nuk është nga më të mirat, pasi disa futbollistë si Roshi e Sadiku, janë të dëmtuar, të tjerë liderë si Mavraj e Agolli nuk kanë shumë minuta në këmbë, ndërsa Grezda e Xhaka vijnë pas dëmtimesh të gjata dhe nuk kanë rigjetur formën e tyre më të mirë.

Megjithatë, në konferencën për shtyp të ditës së djeshme, Panucci nuk përdori justifikime, por u shpreh i kënaqur me punën e grupit dhe besimplotë për një rezultat pozitiv në “Elbasan Arena”.

Ndeshja Shqipëri-Izrael do të startojë në orën 20:45, ndërsa Supersport do të nisë transmetimin maratonë që në orën 19:30, ku do të përcjellë atmosferën para takimit dhe do ta mbyllë rreth mesnatës, pasi të kenë folur të gjithë protagonistët e fushës së blertë./SuperSport

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas