Kryesore, Politika

Opozita rikthen protestat masive

“Dhjetëra mijëra njerëz ishin në shesh”.

Kështu raportojnë Reuters dhe Associated Press për protestën e së shtunës të Partisë Demokratike.



Në fakt pati sërish një betejë për numrat. Demokratët thonë se ishin diku mes 200 e 250 mijë njerëz.

Socialistët dhe disa media thonë se ishin diku rreth 12 mijë njerëz.

Megjithëse kjo ndodh gjithmonë kur ka protesta, një gjë dihet me siguri: në shesh ishin shumë njerëz dhe kjo ishte një nga protestat më të mëdha në vend.

Pas dështimit me protestën e fundit, ajo e së shtunës shënoi rikthimin e opozitës tek protestat masive.

Të ardhur nga rrethet dhe shumë nga Tiranë, qytetarët kanë pushtuar fillimish sheshin Skëndërbej dhe më pas Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku edhe janë mbajtur fjalime për më shumë se 1 orë.

E nisur në orën 12:00, protesta kundër qeverisë Rama ka vazhduar e qetë, ndërsa Policia e Tiranës kishte marrë masa të shumta.

Edhe këtë herë, selinë e kryeministrisë e kanë ruajtur policet femra.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar qeverinë.

“Mos luani me durimin e një populli. Mos luani me bukën e fëmijëve, të ardhmen e tyre. Nëse nuk mbani premtimet dhe nuk përmbushni detyrimet, do largoheni”, tha Basha në fjalën e tij.

“Kam ardhur në këtë protestë pas një turi takimesh të hapura me qytetarët nga Jugu në Veri. Kam udhëtuar mes një dëshpërimi popullor të paprecedent. Kam udhëtuar mes një Shqipërie në lot: gra, të cilave qeveria u ka shembur pa ligj shtëpinë, pasurinë e një jete, mundin dhe gjakun e familjes. Fëmijë që u kanë dhunuar baballarët sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturën afrofe të energjisë elektrike. Të rinj, burra, gra, kryefamiliarë të goditur nga padrejtësitë e mëdha dhe rrugët e mbyllura”, pohoi Basha.

Duke u ndalur tek buxheti dhe paketa fiskale që miratoi qeveria, duke e konsideruar një gabim të përsëritur rritjen e taksave, cka do të sjellë rënie të ekonomisë dhe shtim të varfërisë, Basha i drejtoi qeverisë thirrjen:

“Mos e bëj akoma më të vështirë jetën e qytetarëve! Mos e rrit çmimin e energjisë elektrike! Mos i rrit taksat e karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë! Mos i rrit tatimet mbi të ardhurat dhe kursimet e qytetarëve! Mos i rrit po uli shpenzimet qeveritare! Mos i ul investimet publike! Mos i jep oligarkisë paratë e taksapaguesve të ndershëm të këtij vendi! Boll se nuk mban më. Hiqni dorë”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas