Arkiva 2

Opozita/ Kuvend në Elbasan për kriminalitetin, kërkohet shkarkimi i Xhafajt për Tahirin

Opozita e bashkuar do të braktisë sërish Parlamentin dhe të zhvendoset në Elbasan, duke e konsideruar si qytetin e kapur nga krimi i lidhur me pushtetarët lokalë dhe eksponentë të lartë të PS. Kërkesa e beftë e PD-së për të shkarkuar ministrin Fatmir Xhafaj dhe kryepolicin Ardi Veliu, me pretendimin se kanë penguar Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për të hetuar ish-ministrin Saimir Tahiri. Opozita po kthen në “kauzën” e saj problemin e kriminalitetit në vend.

Opozita në qëndrimin e saj kundër qeverisë edhe ditën e sotme nuk do jetë në sallën e Parlamentit, duke iu përmbajtur premtimit për një raport të kushtëzuar, por pritet që të mbërrijë në Elbasan, për të diskutuar rreth kriminalitetit në këtë zonë. Ashtu si tre ditë më parë kur u zhvendos në Shkodër, edhe këtë radhë pritet që të denoncohen disa personazhe të Partisë Socialiste, që sipas opozitës janë të lidhur me bandat kriminale që veprojnë në Elbasan. Megjithatë, kërkesa surprizë e Partisë Demokratike lidhet me shkarkimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Jo për “akuzat” si të lidhur me krimin apo për “paaftësi”, por paradoksalisht dyshohet se kanë penguar Komisionin Hetimor Parlamentar që është ngritur për të hetuar ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Partia Demokratike i ka dërguar përmes Edi Palokës një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku kërkohet të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht ministri Xhafaj dhe kreu i policisë Veliu, pasi sipas PD akuzohen për pengim të qëllimshëm të Komisionit Hetimor “Tahiri”.



Paradoksi, Xhafaj ta pësojë nga Tahiri…

Partia më e madhe opozitare thotë se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisionit Hetimor. PD akuzon ministrin Xhafaj për asgjësim provash në mbrojtje të vëllait trafikant, si dhe Tahirit, Ballës, Çyrbjës etj. “Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, deri më sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, Komisionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, duke pamundësuar punën e tij”-thuhet në letrën e Palokës. Përveç qëndrimit edhe politik, opozita ka renditur edhe shkeljet ligjore që sipas saj në rastin e komisionit “Tahiri” janë kryer nga Xhafaj dhe Veliu. “Pengimi i Komisionit Hetimor është bërë me qëllim për të fshehur gjurmët e lidhjes së qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllanë e dënuar për trafik droge të ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja etj.”-thuhet në reagim. Nënkryetari i Parlamentit Paloka thekson se heqja e të drejtës kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverinë shënon fundin e parlamentarizmit dhe është dhunim flagrant i demokracisë funksionale në vend. “Kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë qëndrim të prerë ndaj aktit të pengimit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, duke marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pengimi i qëllimshëm i Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre, që sjell shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi penale”, thuhet në kërkesën e Palokës. Gjithashtu, ai kërkoi në emër të Partisë Demokratike shtyrjen me 3 muaj të tjerë të veprimtarisë së Komisionit. Komisioni Hetimor Parlamentar për “çështjen Tahiri” është shtyrë për disa javë, kjo e kushtëzuar edhe nga pushimet verore, por sipas opozitës ky komision nuk ka funksionuar siç duhet pasi nuk ka mundur të sigurojë informacion zyrtar nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në tetor të vitit të kaluar Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal si pjesë e grupit “Habilaj”. Pavarësisht se PD pretendon se Xhafaj ka qenë pengesë për të hetuar rreth Tahirit ngjan paksa paradoksale pasi si Xhafaj ashtu edhe Tahiri kanë patur një raport konfliktual mes tyre.

Opozita me projekt të ri

Forcat opozitare kanë kapur çështjen e kriminalitetit në vend për ta kthyer në një “kauzë” të fortë, pasi çdo qytetar preket nga çështja e rendit. Ndonëse në letra statistikat e vrasjeve kanë njohur ulje, krahasuar me vitet e mëparshme, duket se është kthyer në problem mjaft serioz aktivizimi i organizatave dhe grupeve kriminale. Situata më e rëndë paraqitet në Elbasan dhe Shkodër, dy qarqe ku mendohet se veprojnë të paktën gjashtë grupe kriminale, që përveçse kanë konflikte të dhunshme mes tyre, po shantazhojnë biznesin dhe po krijojnë pasiguri të madhe te qytetarët. Akuzat e opozitës janë se disa nga krerët e grupeve kriminale të njohura për veprimtari të paligjshme në trafiqe dhe gjobëvënie kanë mbështetje politike të qeverisë dhe të disa eksponentëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Pas një turi me “ngritje Parlamenti” në disa qytete të vendit, opozita pritet që të organizohet edhe për protesta. Nga ana e saj, Partia Demokratike ka edhe zgjedhjet brenda strukturave të saj që do të diskutohen në javët në vijim. Synohet që në zgjedhjet e ardhshme lokale të nxjerrë kandidatë të përbashkët si bllok opozitar dhe të tentojë surprizën në disa bashki të mëdha që prej vitesh konsiderohen si bastion i Partisë Socialiste. Tashmë qëndrimet e opozitës duket se shkojnë në një linjë, pasi krerët e saj kanë diskutuar duke u dakordësuar për nisma të përbashkëta. Përveç denoncimeve të atyre që i konsiderojnë si raste korruptive, apo si lidhje të qeverisë me eksponentë të krimit opozita po planifikon që në muajt në vijim të parashtrojë edhe ide për të ofruar një alternativë të re. Në zgjedhjet lokale është mundësia që opozita të masë forcën e saj dhe për këtë qëllim pritet që të punohet me strukturat partiake duke nisur që nga baza./Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas