Kryesore, Mapo Format

Opera me 170 artistë: “Carmen”, si do jetë fati i saj këtë herë?

Opera Carmen, e konsideruar si projekti më gjigant që hap sezonin e ri operistik, në TKOB vjen në fund të janarit në skenën e Pallatit të Kongreseve, me ekselencën shqiptare në botë, si dhe me emra të njohur të muzikës operistike shqiptare; baritoni Gëzim Myshketa rikthehet si regjisor në veprën që do ngjitë në skenë rreth 170 artistë

Në një produksion lirik si kjo e operës “Carmen” e George Bizet, nuk janë angazhuar ndonjëherë aq shumë artistë, e siç shprehet baritone Gëzim Myshketa aq ide dhe punë. Në fakt baritoni është regjisor në këtë vepër që do ketë premierën në fund të janarit, në skenën e Pallatit të Kongreseve. Me entuziazmin e një pjesëmarrjeje eskelente Myshketa është shprehur para pak ditësh se “mbi të gjitha nuk është krijuar ndonjëherë një buqetë e tillë artistësh të ftuar si aktorja e madhe Tinka Kurti, tenori Kilen Giancarlo Monsalve, balerina soliste Anbeta Toromani dhe balerini solist Alessandro Macario, dirigjenti spanjoll maestro Ricardo Casero dhe koreografi me famë botërore Gheorghe Iancu, të cilët iu shtohen artistëve të mrekullueshëm të TKOB Kamenica, Golemi, Kllogjeri, Likaj, Hoxha, Beljeri etj…”.



Si do të përfundojë fati i Carmen kësaj radhe? Çfarë hijesh ka e shkuara e Don Jose?

Siç duket Carmeni i Myshketës do ketë dy shtylla të forta mbështetëse si mezzo soprano e TKOB Vikena Kamenica që vjen në rolin e Carmen, në një moment të karrierës së saj që vlerësohet në kulmin e pjekurisë artistike, që do të interpretojë në krah të një kasti shqiptar dhe ndërkombëtar. Pas këtij imazhi skenik, është edhe pjesëmarrja e koreografit me famë ndërkombëtare, Gheorghe Iancu i është bashkuar kastit realizues të operës.

Për t’u ndalur pak më gjatë në rikthimin tjetër të bujshëm, balerina Anbeta Toromani që risheh skenën shqiptare pas 16 vjetësh e ftuar nga TKOB për të qenë pjesë e kastit të operës “Carmen”. “Të gjithë e mbajnë mend vajzën ambicione, balerinën e cila nuk reshtte së punuari, që pas studimeve në Akademinë e Arteve për balet, Anbeta u specializua në Baku, Azerbajxhan. Kthimi në Shqipëri e gjen Teatrit të Operas dhe Baletit si soliste e parë duke interpretuar rolet kryesore në balete të famshme, si: “Giselle”, “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Paquita”, “Carmen” etj. Largimi në Itali në vitet 2002-2003 e bën pjesë të spektaklit famoz “Amici” të Maria de Filipit, duke u bërë një prej figurave më të njohura të skenës italiane të baletit. Aty u zgjodh nga regjisori Patrick Rossi Gastaldi për të kërcyer në skenën e tij “L’Histoire du soldat” me balerinin Roço Papaleo. Gjatë karrierës së saj artistike ka fituar shumë çmime si Çmimi “Gino Tani” në (2004) çmimin “Danza & Danza” (2005).

Karriera e Anbeta Toromanit do të shoqërohej me ftesa të shumta për të kërcyer në Teatrin “Sferisterio di Macerata” në shfaqjen “Macbeth”, me regji të Pier Luigi Pizzi dhe koreografi nga Gheorghe Iancu, dhe më vonë në “Carmen”, me koreografi nga Gheorghe Iancu dhe regji të Dante Ferretti. Në verën e vitit 2009 ka qenë protagoniste e “Anbeta & José – Tour 2009”, pjesë e së cilës ishin një grup valltarësh nga kompanitë më të mira në botë. Në 2010, është e ftuar nga Teatro “San Carlo” në Napoli për të interpretuar në disa net Gala dhe në Teatrin “Sferisterio e Macerata” për shfaqjen “I Lombardi all’ultima crociata” me regji nga Pier Luigi Pizzi dhe koreografi të Gheorghe Iancu. Në vitin 2012 Anbeta bëhet pjesë e shfaqjeve Gala në Parma, Udine për Kryqin e Kuq Italian për t’iu ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit duke interpretuar pjesë nga “Carmen” dhe “Romeo dhe Xhulieta” me koreografi të Mastro Amedeo Amodio. Në vitin 2013 ka interpretuar në Teatrin e Operas së Bratislavës në shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta” nga Massimo Moricone dhe në Teatrin “San Carlo” baletin “Arrëthyesi”. Në vitin 2014 interpreton në “Mozart Requiem” për Teatrin San Carlo të Napolit. Në vitin 2015 Anbeta vijon të interpretojë për Teatrin “San Carlo” në shfaqjet “Arrëthyesi” , “Otello” dhe “Giselle” dhe në Teatrin Massimo të Palermos interpreton në shfaqjen “Coppelia” të cilën e risjell në 2016 për teatrin “San Carlo”, teatrin “Verdi” në Trieste dhe Teatrin “Regio” në Parma. Nga tetori i viti 2016 deri në shkurt të viti 2018 Anbeta është pjesë e një turneu të shfaqjes së baletit “Arrëthyesi” të koreografit Amedeo Amodio, turne i cili vijon në teatrot kryesore italiane.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas