Kryesore, Mapo Format

OPEN- OPINION- REAL STORY: Një skaner i etheve të së enjtes mbrëma

MEDIA TREND

Nga Irena Myzeqari



E Enjtja që shkoi shënoi çeljen e sezonit të ri në ekranet e tri televizioneve më të mëdha në vend, Top Channel, TvKlan dhe Vizion Plus. Pas një stine “të thatë” informacionesh, kjo vjeshtë ishte kaq e mirëpritur, aq sa vetëm mendimi se AMA, me fikjen e sinjalit analog, do ta zgjaste edhe pak këtë “thatësirë”, ndërgjegjësoi të madh e të vogël se ne shqiptarëve, televizioni na qenka kthyer në një adet ditor, nga i cili nuk ndahemi dot. Kjo besnikëri nuk mund të mbetej pa u shpërblyer, ndaj televizionet e lartpërmendura, vrapuan të plotësonin dëshirat e audiencës; ‘Open’ nga Eni Vasili erdhi me Edi Ramën; Blendi Fezviu riktheu në ‘Opinion’ Sali Berishën, ndërsa ‘Real Story’ e Sokol Ballës, siguroi intervistën e fundit me ambasadorin Donald Lu. Mbrëmja nuk mund të ishte më premtuese se kaq, por siç ndodh gjithmonë me pritshmëritë e mëdha, të tria emisionet, edhe pse me ngjyra, logo e fytyra të ndryshme, imituan përpikërisht njëri-tjetrin, duke na bërë të mendojmë: pse na duhen kaq shumë talk show-s për të njëjtën politikë?

Të famshëm për aftësinë e tyre për të ndarë dhe bashkuar kufijtë midis privates dhe publikes, talk show-ut shqiptare janë kthyer në agorën, ku politikanët deklarojnë qëndrimet e tyre ndaj çështjeve me ndjeshmëri publike, debatojnë qëndrimet e kundërshtarëve dhe herë pas herë u lejojnë vetes të përloten apo të tregojnë anën e tyre njerëzore. Duke ditur këtë lloj pushteti, talk/show man-it, i duhet vetëm të gjejë figurën e duhur për t’i siguruar vetes suksesin e audimatit. Tregu është i vogël, politika po ashtu, ndaj emrat me të cilët vërtet mund të bësh lajm vërtiten brenda një trinomi, pozitë, opozitë, ndërkombëtarë. Shifrat treguan se pavarësisht vajtjes së Ramës, në shtëpinë ku drejton armiku, rikthimi i Berishës në ‘Opinion’ tërhoqi më shumë shikues, ndërsa Lu mbeti me vëmendjen e limituar që të jep rënia nga vakti për kulturën tonë. Mjafton të hedhësh një sy edhe në YouTube, për të kuptuar se klikimet më të mëdha në numër i ka sërish ‘Opinion’, me 105 mijë klikime, i cili me sa duket diti të zgjidhte gurin e duhur për të tërhequr pas vetes shikimet/klikimet e shqiptarëve.

Në trinomin qarkullues pozitë, opozitë, ndërkombëtarë, ku aktorët vërtiten nga një talk show në tjetrin, shpresa mbetet tek ajo çfarë do thuhet. Studiot dinjitoze, cilësia shumë e mirë e regjistrimit, grafika unike e secilit emision, duket të ishin konturet e vetme që bënë ndryshimin në terma ligjërimorë midis ‘Opinion’, ‘Open’ dhe ‘Real Story’. Duke ndjekur pothuajse të njëjtin rend, në të tria emisionet u fol për të njëjtat tema, Kosova, Vettingu dhe Kundërshtari; u shtruan të njëjtat pyetje dhe diku më pak e diku më shumë u ruajt e njëjta retorikë, aftësi kjo e politikanëve si Rama dhe Berisha, apo edhe ambasadorit Lu, për të manovruar publikun dhe popullaritetin e tyre. Në terma të pragmatikës, Rama dhe Berisha bashkoheshin të dy nga një gjuhë e moderuar kur flitej për Kosovën, dhe ndaheshin qartazi nga tonet me të cilat flisnin për kundërshtarët e tyre politikë. Katragjyshi digjital përballë të pashpirtit; artisti prestidigjitator, kulla e Surrelit, Kulla e Kristaq Ramës etj., të gjitha referenca për liderët, të cilat janë stërthënë e stërdëgjuar nga të gjithë ne. Nëse e kishim pritur sezonin e ri për të marrë vesh ndonjë gjë më shumë për kufijtë e Kosovës apo do të bëhet apo jo vettingu, politika na vërtetoi se brenda saj shumë pak gjëra ndryshojnë. Ndërsa televizionet na bindën se revolucioni teknologjik jo gjithmonë mund të fshijë pas shkëlqimit të tij, mungesën e pyetjeve të thelluara, kërkimit të llogarisë dhe bërjes së një gazetaria cilësore.

E Enjtja vjen shpejt! Dhe që në fillim jave të njëjtët emra fillojnë e qarkullojnë sërish. Aktualiteti duket po ai, me disa luhatje të vogla dhe ngjarje mediatike, të cilat me sa duken nuk ka fuqi për të tërhequr vëmendje. Çfarë do të dëgjojmë të re? Çfarë do të shohim ndryshe? Për shikuesit, televizioni është kthyer në zakonshmëri, ndërsa politika si elementi ekzistencial i tij. Dikur thuhej se kombet e vogla prodhojnë shumë histori, ndërsa sot duket sikur kombe si ne po prodhojnë shumë televizion. Dhe kur prodhon shumë televizion, kthen gjithçka në lajm, dhe kur gjithçka kthehet në lajm… e vetmja e vërtetë mbetet se e Enjtja vjen sërish!

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas