Mapo Letrare

Odil Daniel/ Një franceze në Tiranë më 1978, dashuria e pamundur e Maks Velos

Nga Fatmira Nikolli

Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit për Maks Velon do të vijë shumë shpejt në një libër nga UETPRESS. “Maks Velo, jeta paralele”, titullohet libri i përgatitur nga Alda Bardhyli, i cili për herë të parë zbardh dosjen e plotë të artistit duke nisur nga përndjekja, hetuesia dhe burgu. Janë më shumë se 100 dokumente raportimesh mes të cilëve dhe personazheve të njohur në jetën artistike shqiptare, përmes së cilave ne shohim jetën tjetër të Velos.



Ajo çfarë e bën të veçantë këtë libër është fakti se Bardhyli sjell anën tjetër të rrëfimit të asaj çfarë është raportuar në dosje. Kështu lexuesi ka mundësi të shohë dy histori të së njëjtës ngjarjeje, atë të treguar nga Sigurimi i Shtetit dhe atë të treguar nga vetë Velo.

“Botimi i dosjes së plotë të Maks Velos shoqëruar me rrëfimin e tij për raportime të ndryshme kërkon jo vetëm të tregojë historinë e jashtëzakonshme të një artisti tepër bashkëkohor në kushtet e një diktature të ashpër, antikonformist dhe me vizione liberale për artin, vizione të cilat i kushtuan vite burg, por dhe të hapë një debat të munguar rolin e arteve dhe kulturës gjatë soc-realizmit”,- thotë Bardhyli.

Rasti Velo, sipas saj është një rast i qëndresës që arti mund ta bëjë përballë regjimeve totalitare. “Nëse lexon gjithë dosjen e përndjekjes, raportimet, shikon një rritje të figurës së Velos si një ëndërrimtar dhe një profil kulturor superior, përballë kulturës së kohës”, thotë Bardhyli.

Edhe pse kemi të bëjmë me botimin e një dosjeje të plotë, Bardhyli thotë se ky libër i ngjan një romani thriller.

“E gjithë skema e përndjekjes së Velos i ngjan një romani thriller. Në pjesën më të madhe raportuesit janë miq të artistit deri tek njerëzit e afërt të shtëpisë. Kam pasur hezitime se si duhet ta botoja dosjen, por në fund vendosa t’i lë ashtu siç janë, pasi janë raporte ku ngjarja tregohet me kureshtje. Kjo pasi raportuesit nuk ishin punonjës të zakonshëm të Sigurimit, por artistë”,- thotë ajo.

Sigurisht që ky libër do të prekë shumë emra njerëzish që përmenden në dosje, por që UET PRESS dhe Velo kanë vendosur t’i lënë me emrat realë duke mos fshehur asgjë. Sipas saj, artet shqiptare me Velon kanë përfaqësimin e tyre më dinjitoz në komunizëm, si një figurë e cila nuk u dorëzua as në kushtet e një presioni në hetuesi, ashtu siç ndodhi me shumë artistë të tjerë që përmenden në libër.

PJESË NGA LIBRI

DËSHMITARI HETUESI
/Genc Hajdari/ /Dhimitraq Shkodrani/

***

PROCESVERBAL
/DËSHMI/
Në Tiranë, më 8/XII/1978
Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani mora në pyetje me cilësinë e dëshmitarit qytetarin Miltjadh Jorgji, i biri i Jorgjit dhe i Theodhorës, i datëlindjes 1938, lindur në Leskovik dhe banues në Tiranë në lagjen 8, Rr. ‘Lidhja e Prizrenit’, P.6, Sh.1, Ap.4, pa parti, i padënuar, i martuar, me arsim të mesëm, me punë piktor pranë R.Televizionit, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale në bazë të nenit 202 të K.P për dëshmi të rreme.

DËSHMITARI
/Miltjadh Jorgji/

Dëshmitari u pyet rreth çështjes dhe deklaroi:
Unë me Maks Velon njihem që nga viti 1966-’67, por me të ndonjë shoqëri nuk kam pasur. Me të nga afër jam njohur në dasmën e inxhinierit Luan Pipës, ku që të dy i kemi shkuar Luanit për t’i uruar martesën. Në dasmë Maksi kishte sjelle si peshqesh një portret të një malësoreje. Në lidhje me këtë u hap biseda. Portreti ishte pak i deformuar, me tendencë moderniste, sidomos qafa e saj e gjatë. Maksi na tha se një punë të tillë ia kam dhuruar një mikeshës sime franceze që kishte ardhur në Shqipëri. Ajo e ka marrë me vete dhe e kishte vënë në laboratorin e saj. Pas ca kohësh kjo francezja ka ardhur përsëri në Shqipëri dhe më ka thënë mua që në kohën e revolucionit të studentëve në Francë kanë ardhur studentët në laboratorin tim e kanë shkatërruar çdo gjë, me përjashtim të portretit tënd.

Në një rast tjetër kur ka qenë një ekspozitë të ushtrisë e piktorët ishin mobilizuar për të punuar për ekspozitën. Edison Gjergo po bënte një tablo me temë zbori ku flitej për tri vajza zboriste të cilat kishin në sfond monumentin e Skënderbeut dhe një qiell të errët, shumë pesimist. Për këtë tablo Maksi fliste me simpati dhe e përkrahte Edisonin që ta përfundonte. Unë aty kam ndërhyrë dhe i kam thënë si Maksit ashtu dhe Edisonit se kjo tablo nuk ka vërtetësi, nuk i përgjigjet realitetit. Maksi m’u përgjigj me përbuzje: “Unë nuk po flas me ty”. Pas kësaj unë kam ikur. Për tablonë nuk di gjë se çfarë u bë.

Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të partisë u hap një ekspozitë e arteve figurative, ku ndërmjet të tjerave kishte tablo me ndikime të huaja siç ishte “Epika e yjeve të mëngjesit”, e Edison Gjergos dhe ajo e Edi Hilës “Mbjellja e pemëve”. Kur u bë diskutimi krijues në sallën e vjetër të ekspozitës, midis të tjerëve ka folur edhe Maksi. Ai ka mburrur punën e Edisonit duke e quajtur një tablo progresive dhe ka kritikuar tablonë “Demaskimi i Ballit Kombëtar” të piktorëve vlonjatë Skënder Milori, Nestor Jonuzi dhe Himi Bani. Në tablo ishte figura e udhëheqësit kryesor të Partisë i cili demaskonte krerët e Ballit. Pikërisht për këtë tablo Maksi është shprehur me këto fjalë se: “Ne përpara kësaj tabloje kalojmë indiferentë dhe ndalemi te tabloja e vogël e Abdurrahim Buzës “Shqipëria në feste”. Këtu Maksi e kishte fjalën se tabloja e piktorëve vlonjatë nuk kishte vlera artistike.

Po në këtë mbledhje, duke folur për estetikën, Maksi ka patur në dorë një ftesë ku ishte në kopertinë kazma dhe pushka. Maksi për këtë ka thënë se kjo është një ftesë banale. Nuk ka përse të vëmë kazmën dhe pushkën në ftesë, por diçka tjetër më estetike. Në këtë mënyrë mundet që të edukojmë njerëzit me ndjenjën e të bukurës.
Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkruar drejt, të cilat i vërtetoj me firmën time.

I PANDEHURI HETUESI
/Maks Velo/ /Dhimitaq Shkodrani/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

***

PROCESVERBAL
/Mbi pyetjen e të pandehurit/
Në Tiranë, më 14/XI/1978
Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani mora në pyetje të pandehurin Maks Velo, i cili pohoi:
Pyetje: Na tregoni i pandehur nëse jeni njohur me ndonjë grua franceze, në rast se po në çfarë rrethanash jeni njohur?
Përgjigje: Unë me albanologen Odil Danjele jam njohur në vjeshtën e vitit 1964. Në atë kohë shkoja studioja në Bibliotekën Kombëtare te godina e vjetër në Rrugën e Elbasanit. Aty në Sallën Shkencore vinte edhe Odila. Një pasdite e kam ndihmuar atë të sporteli i librave duke i përkthyer bibliotekares se çfarë kërkonte ajo. Më vonë kemi biseduar në pushimin e leximit. Ajo më tha se kishte studiuar në shkollat e gjuhëve orientale për shqipen. Në atë kohë kishte ardhur për t’u specializuar për gjuhën shqipe.

E kam shoqëruar atë disa herë në hotel “Dajti” ku ajo banonte. Pasi dilnim nga biblioteka, kemi shëtitur dhe kemi shkuar në pastiçeri. Ajo ishte një vajzë shumë studioze, e urtë dhe e thjeshtë. Mua më la përshtypje shumë të mira dhe për këtë e kam çuar një ditë për vizitë në shtëpi, e kam njohur me nënën time. Odila më ka treguar për familjen e saj. I ati i kishte vdekur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte sëmurë në kampet gjermane.

Kishte gjyshen, nënën dhe dy motra të tjera. Më ka thënë se jemi rritur me vështirësi, vetëm me pensionin e vogël të babait. Të dyja motrat i kishte të martuara. Këtu ka ndenjur 4-5 muaj e pasi ka mbaruar specializimin në fillim të vitit 1965, ajo ka shkuar në Francë. Unë asaj i kam dërguar libra dhe revista shkencore si studimet historike, studime gjuhësore, libra mbi gjuhësinë, revistën “Shqipëria e Re”, albumin “Shqipëria marshon” etj.

Në verën e vitit 1969 ose 1970 Odila ka ardhur për herë të dytë. Ajo ka ardhur përsëri për vizitë në shtëpinë time. Në hotel “Dajti” ka qëndruar rreth dy muaj, e ftuar nga Instituti i Gjuhësisë. Ajo më ka thënë se kishte ardhur për të grumbulluar materiale në bibliotekë për dizertacionin shkencor që ishte duke punuar për të marrë gradë shkencore. Më ka thënë se ajo ishte shumë e kënaqur që vinte në Shqipëri. Tirana ka bërë kaq ndryshime, biblioteka e re në Pallatin e Kulturës është shumë komode, e ndiej veten shumë të kënaqur sa herë që vij në Shqipëri. Me mua sillej shumë mirë. Pasi ka mbaruar periudhën e caktuar, është larguar.

Kur Odila ka ikur për herën e dytë, jam thirrur nga organet kompetente dhe më kanë thënë që të mos shoqërohesha me të. Pastaj me të e kam rralluar korrespondencën derisa e kam prerë fare.

Në dhjetorin e vitit 1977 Odila ka ardhur përsëri në Shqipëri e ftuar nga Instituti i Historisë. Ajo ka ardhur për vizitë në shtëpinë time, ne e kemi pritur dhe e kemi qerasur. Dua të shtoj se Odila më ka dërguar me postë “Pikason”, “Martin Ferier” e disa libra të tjerë të vegjël arti.

Dua të shtoj se unë asaj i kam dhuruar 3-4 piktura (vizatime). Gjatë kohës që ajo ka qenë në Shqipëri më ka propozuar për t’u martuar me mua, duke më thënë që të rrijë këtu të punojë në Institutin e Studimeve Gjuhësore. I thashë se në rast se të lejojnë, unë jam dakord që të martohemi. Ajo ishte interesuar në organet kompetente për këtë punë, por unë jam thirrur dhe më kanë thënë që ti të heqësh dorë nga ajo dhe unë kam rënë dakord me ta.

Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkruar drejt të cilat i vërtetoj me firmën time.

I PANDEHURI HETUESI
/Maks Velo/ /Dhimitaq Shkodrani/

***
PROCESVERBAL

/Mbi pyetjen e të pandehurit/
Në Tiranë, më 20/XI/1978
Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani mora në pyetje të pandehurin Maks Velo, i cili pohoi:
Pyetje: Na tregoni i pandehur nëse keni dhënë leksion në Institutin e Arteve, në rast se po çfarë lënde keni dhënë?
Përgjigje: Unë në Institutin e Arteve kam dhënë leksion perspektivën që nga viti 1970 deri 1973. Për bazë ishte një libër “Perspektiva për Institutin e Lartë të Arteve”. Atë tekst e jepja leksion. Përveç tekstit, gjatë kohës që unë jepja leksion e kam zgjeruar mësimin duke iu folur studentëve edhe për autorë modernë si p.sh. Pikason, Vangogun, Gogen etj. Gjatë shpjegimit të mësimit studentëve iu kam dhënë edhe citate nga këta autorë modernistë, se si mendonin këta piktorë modernist, format, volumet, perspektivën e tyre, raportet dritë-hije dhe të proporcioneve të trupave. Këto mendime të tyre ishin në kundërshtim me ligjet e perspektivës së artit realist. Citate të tyre i kisha nxjerrë nga leximet e librave mbi autorët dhe rrymat moderne.
Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkruar drejt të cilat i vërtetoj me firmën time.

I PANDEHURI HETUESI
/Maks Velo/ /Dhimitaq Shkodrani/

/G.SH./

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas