Bota, Kryesore

Nuk ndalet lufta mes SHBA dhe Turqisë

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar t’i përshkallëzojnë sanksionet ekonomike ndaj Turqisë, nëse Ankaraja zyrtare nuk liron pastorin amerikan të mbajtur aktualisht në arrest shtëpiak, raporton TCH.

Andrew Brunson ka qenë i arrestuar në Turqi për gati dy vitet e fundit, për shkak të akuzave për lidhje me grupet politike rivale të Erdoganit.



Mosmarrëveshja për lirimin e tij ka bërë që dy vendet aleate të NATO-s të vendosin tarifa ekonomike ndaj prodhimeve të secilit vend, duke shkaktuar kështu përkeqësim të krizës së monedhës turke, lira, e cila ka humbur gati një të tretën e vlerës së saj kundrejt dollarit, që prej janarit.

Megjithatë, kriza turke ka shkaktuar edhe shitje masive në tregjet e tjera ndërkombëtare, duke nxitur kështu frikën për një krizë globale. Monedha turke është përmirësuar disi me fillimin e kësaj jave, pasi qeveria turke i rriti tarifat ndaj importeve të makinave, pijeve alkoolike dhe duhanit amerikan.

Por, ky përmirësim i përkohshëm i lirës po lëkundet, pas kërcënimeve të reja nga Shtetet e Bashkuara. Javën e kaluar, SHBA-të dyfishuan tarifat ndaj importeve të metaleve nga Turqia, ndërsa të enjten, Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin tha se “kemi ende shumë gjëra të planifikuara për të bërë, nëse ata nuk e lirojnë shpejt Brunsonin”.

Turqia e akuzon Brunsonin, i cili drejton një kishë të vogël në Izmir, se është i lidhur me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, por edhe me lëvizjen “gyleniste”, të cilën Ankaraja e bën përgjegjëse për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit, dy vite më parë.

Trump, ndërkohë, shkroi në Twitter se Turqia “ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara për shumë vite” dhe se Brunsoni ishte “një peng atdhetar”. “Ne nuk do të paguajmë asgjë për lirimin e një njeriu të pafajshëm, thjesht po ua ndërpresim përfitimet Turqisë”, tha ai.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas