Kryesore, Mapo Format

Nuk i takon shkencës të zgjidhë ekzistencën e Zotit

“Analizë shkencore e prejardhjes së matematikës e ballafaquar me Biblën”, me autor prof. dr. Fejzi Kolaneci.

Nga Hysamedin Feraj



Në studimin e tij, prof. dr. Kolaneci, duket se ka marrë përsipër që nëpërmjet analizës shkencore të dëshmojë prejardhjen hyjnore të matematikës. Për këtë i duhet të provojë, së pari, ekzistencën e Zotit, domethënë krijuesit dhe, së dyti, krijimin nga Zoti të matematikës, domethënë të krijesës. Mirëpo, ky është një “mision i pamundshëm” për sukses. Siç e pohon vetë në fund, e para, “ekzistenca e Perëndisë është plotësisht një çështje e besimit fetar”; pra, nuk është punë e shkencës. Dhe, e dyta, “njerëzit nuk mund të zgjidhin përfundimisht misterin ‘Perëndia e krijoi matematikën’ sepse, në analizën e fundit, ne njerëzit jemi të përfshirë në këtë mister”.

Për rrjedhojë, librit i mungon pikërisht sa analiza shkencore, e lajmëruar në titull, po aq dhe koherenca logjike – mbase që të dyja rezultat i mosvlerësimit nga autori të etikës shkencore.

Që në fillim vihen përballë dy pikëpamje, “e zbulimit” apo “e shpikjes” së matematikës nga njerëzimi. Mirëpo, veç tyre, ka edhe një të tretë që nga autori heshtet, por që mund të thotë: “matematika ka ekzistuar edhe para njerëzimit tokësor. Ne, njerëzit, thjesht e zbulojmë matematikën” – siç është pikëpamja e prof. Kolanecit. Por, të vazhdojë se “matematika nuk është krijim nga Zoti, siç nuk është as vetë bota. Dhe, ashtu si nga rregullsitë (harmonia) e botës nuk nxirret me siguri ekzistenca e Zotit, as nga rregullsitë matematike nuk nxirret krijimi i saj prej Zotit. Qoftë dhe po të lihen anash parregullsitë e botës dhe fushat e pamatematizueshme (si mund të matematizohet ringjallja e Krishtit?), dhe aq më pak po të faktorizohen këto në shpjegim”.

Analiza e premtuar është zëvendësuar nga deklarata: përgjatë gjithë tekstit autori vetëm e deklaron bindjen e tij subjektive se matematika është krijuar nga Zoti. Por as nuk analizon, as nuk argumenton. Deklaratën e vet e plotëson me deklarata matematikanësh dhe fizikanësh të shquar. Mirëpo, deklaratat nuk përbëjnë argument as shpjegim, aq më pak shkencor, sado që të jenë bërë nga matematikanë dhe shkencëtarë të shquar. Është e qartë se fjalitë e tipit si “ligjet e universit janë të ndërtuara me mendimet matematike të Perëndisë”, sado që të thëna nga Euklidi, as sipas kritereve euklidiane nuk përbëjnë argument shkencor. Është thënë gjerësisht se Euklidi e shndërroi gjeometrinë (egjiptiane, babilonase etj., dhe çka vlen po ashtu për matematikën, në saje të futjes të procedurës së provës – pikërisht të çkaje i mungon studimit të prof. Kolanecit për të qenë studim shkencor.

Edhe më pak bindës janë citimet nga Bibla, e cila sigurisht që nuk e thotë askund shprehimisht matematikën si krijim i Perëndisë. Megjithatë, duke i rënë krejt shkurt, nga pohimi “Perëndia krijoi gjithçka” autori nxjerr përfundimin, “pra Perëndia krijoi dhe matematikën”. Njësoj mund të nxirrnim se Perëndia e ka krijuar edhe logjikën, filozofinë, sociologjinë, letërsinë – gjithçka që ekziston “në qiej dhe ato mbi, gjërat që duken dhe ato që nuk duken”. Dhe, në stilin “Bibla nuk thotë se Perëndia i krijoi të gjitha gjërat, me përjashtim të matematikës” mund të argumentohet po aq se “Bibla nuk thotë se Perëndia i krijoi të gjitha gjërat, me përjashtim të sociologjisë, të kimisë, të alkimisë (pasioni i Newton), të pikturës…”.

Duket se instrumenti shkencor që përdorë autori për bazimin e studimit të tij është korrelimi i drejtë ndërmjet besimit të matematikanëve (dhe fizikanëve) të shquar se matematika ka prejardhje hyjnore dhe prejardhjes hyjnore të saj: “70% e matematikanëve ose fizikanëve gjenialë të njerëzimit, që nga lashtësia greke deri në ditët tona, kanë shprehur me vullnet të lirë pikëpamje të cilat harmonizohen plotësisht me prejardhjen hyjnore të matematikës, ndërsa pikëpamjet e shprehura nga pjesa tjetër (30%) e këtyre shkencëtarëve harmonizohen pjesërisht me prejardhjen hyjnore të matematikës”. Mirëpo, korrelimi është vetëm instrument dhe deklaratat e matematikanëve, pavarësisht numrit, mund të shërbejnë në shkencë vetëm si shtysë për studim dhe argumentim; përndryshe, mbetet vetëm matje opinionesh, por pa shkencë.

Në studim gëlojnë problemet lidhur me marrëdhëniet e Zotit me matematikanët dhe njohjen matematike.

Për autorin, Zoti është person dhe është Zoti i Biblës. Zgjedhja e këtij përfytyrimi për Zotin i sjellë shumë inkoherenca brenda mëtimeve të autorit:

Si person i gjallë, Zoti mendon, ndien, dëshiron dhe vepron. Tek e citon Biblën se Zoti e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vetë dhe se “njeriu u krijua nga Perëndia me aftësinë për mendim abstrakt, me aftësinë për arsyetim dhe vërtetim rigoroz, domethënë, me mundësinë për të mësuar matematikën”, autori nxitë optimizëm te “nxënësit dhe studentët”, optimizmin se duke besuar me devotshmëri mund të realizojnë arritje të rëndësishme në matematikë. Por optimizmi i zbehet shpejt nga autori, sepse “arsyetimi (ndriçimi) matematik i njeriut është dhuratë nga Perëndia”, dhe matematikanët janë të përzgjedhur nga Perëndia për të qenë të tillë: “matematicienët e famshëm Pythagoras, Euclid, Archimedes, Newton, Leibniz, Euler, Gauss, Hilbert, Gödel, Poincaré, von Neumann, Russell, Kollmogorov, Gelfand, Atiyah etj., konsiderohen ‘të përzgjedhur të Perëndisë’ për zhvillimin e matematikës në planetin tonë”. Nuk është i dhënë asnjë kriter mbi të cilët Perëndia blaton dhurata dhe përzgjedhë; blatimi dhe përzgjedhja është vullnet i tij; si person që ndjen dhe dëshiron, ai e realizon dëshirën e tij. Sa më sipër, kriter nuk del të jetë besimi në Zotin biblik, sepse Pythagoras, Euclid, Archimedes nuk e besonin Zotin biblik dhe megjithkëtë janë përzgjedhur prej tij; janë përzgjedhur njerëz të besimeve jobiblike, si Ramanujan; madje, janë përzgjedhur edhe ateistë si A. Einstein, P.A. M. Dirac etj. Sigurisht, përzgjedhja,vendimi dhe veprimi i Perëndisë mund të jenë mister. Por, atëherë nuk mund të thuhet se besimi në krishterim dhe në Bibël, madje besimi përgjthësisht është çka dëshiron Zoti për njeriun që ta përzgjedhë për matematikan.

Si biblik, Zoti “flet dhe zbulon vetveten” në Bibël. Në Bibël e gjejmë të vërtetën për prejardhjen e matematikës. Mirëpo vetë autori ka sjellë dëshmi se prejardhjen e matematikës e kanë njohur dhe dëshmuar shumë matematikanë para Biblës (Platoni, Pitagora, Arkimedi), dhe që nuk kanë besuar te Bibla (Ramanujan). Prej këtej del se e vërteta për prejardhjen e matematikës mund dhe është njohur pa e njohur Biblën dhe/ose pa i besuar asaj. Këtë situatë autori e zgjidhë duke cituar Ramanujan se për të “të gjitha fetë ishin njëlloj të vërteta”. Mirëpo, autori ka këmbëngulur se “Bibla është i vetmi libër i frymëzuar plotësisht prej Perëndisë, në të cilin Ai flet dhe zbulon të vërtetën”; dhe, prej këtej, se vetëm Zoti biblik është burimi i prejardhjes së matematikës.

Vendimi i autorit për Zotin biblik si krijuesi i matematikës e lë të mundshëm dyshimin për respektimin nga autori të ektikës shkencore: autori nuk i përmend askund matematikanët arabë, myslimanë dhe arritjet e tyre në matematikë. Lexuesit i mbetet mister se pse, si shkencëtar, autori nuk i përmend ata askund, ndonëse zero dhe aq më shumë algjebra, janë ndër arritjet më të mëdha, më të thella dhe më abstrakte të njerëzimit në matematikë. Ata i lë në heshtje ndonëse edhe ata besonin në Zot, dhe madje, ndoshta edhe se Zoti e ka krijuar matematikën bashkë me aftësinë e njeriut për ta njohur atë. Megjithatë, i lë në heshtje edhe pse përfshirjen e tyre mund ta legjitimonte njëlloj si përfshirjen e matematikanëve antikë grekë, indianë, etj., domethënë me fjalët e Ramanujan: “të gjitha fetë janë njëlloj të vërteta”. Përveç fesë islame?! Përfshirja e matematikanëve arabë-myslimanë mund të rriste numrin e matematikanëve që besojnë se matematika ka origjinë hyjnore dhe, me këtë, ta përforconte tezën e tij qendrore. Ndërsa mospërfshirja e tyre lë të hapur mundësinë e dyshimit se përjashtimi është rezultat i vendimit të tij për Zotin biblik, me pasojë shkeljen e etikës shkencore.

Studimit nuk i shtojnë ndonjë vlerë përsëritjet se: “NASA (National Aeronautics Space Administration, USA) dhe institucione të tjera kërkimore – shkencore ruse, kineze, japoneze, angleze, gjermane, franceze, kanadeze, italiane etj., kanë zbatuar prej vitesh programe kozmike për komunikim me qenie jashtëtokësore (aliene), të bazuara në matematikën, e cila besohet të jetë mundësia më e mirë për vendosjen e këtij komunikimi”. Por, teksa nuk i shtojnë ndonjë vlerë, mund të tregojnë njëfarë përzgjedhjeje të të dhënave, meqenëse, prapë, lihet në heshtje se nga NASA alienëve u është vënë në dispozicion edhe një disk muzikor, me mendimin se muzika është gjuha e universit (Pitagora). Pra, do të dilte se edhe muzika është krijim i Perëdisë me vlefshmëri universale; madje, pse jo, çdo aktivitet tjetër njohës e krijues njerëzorë – duke i zbehur kështu çdo privilegj matematikës.

Në fund, vendimi për Zotin personal dhe biblik mund të shoqërohet edhe me inkoherenca teologjike. Autori pohon se “Perëndia ka natyrë numerike”. Mirëpo numri, nëse ekziston realisht, është entitet abstrakt. Nëse numri është natyra, esenca e Perëndisë, atëherë del se Perëndia është esencialisht abstrakt. Nëse abstraktët ndiejnë, mendojnë dhe dëshirojnë, mbetet një tjetër mister. Por këto janë pa rëndësi.

Duket se autori vazhdon ta përdorë Zotin në traditën e përdorimit si sinonim eufemikë për “nuk e di”. Përgjatë shekujve, shumë dijetarë kur nuk kanë pasur përgjigje për pyetjet që shtronin, janë përgjigjur se “Zoti e di se…” dhe “Zoti bën që…”. Mirëpo, çështja nuk ishte “çka di Zoti”, por çka di dijetari konkret. Edhe sipas prof. dr. Kolanecit, dihet mirë se matematika përmban dhe problema që aktualisht janë të pazgjidhura (për shembull, hipoteza Goldbach: çdo numër çift paraqitet si diferencë e dy numrave të thjeshtë). Prandaj, kjo hipotezë aktualisht nuk mund të vlerësohet nga njerëzit as si pohim i vërtetë dhe as si pohim i gënjeshtërt”. Mirëpo, “i krishteri beson se Perëndia e di me saktësi nëse hipoteza Goldbach është e vërtetë ose e pavërtetë”. Argumenti për këtë: Letra e parë e Apostullit Gjon 3:20 “Perëndia është më i madh se zemrat tona dhe Ai njeh çdo gjë” etj.

Gjithsesi, përsa nuk i takon shkencës të zgjidhë ekzistencën e Zotit dhe as nuk mund të përgjigjet nëse matematika është e krijuar prej tij, studimi vetëm shton misteret. Ndër to, jo vetëm sa mister mbetet Perëndia për ne, por po aq se ai është person dhe Zoti biblik etj.

PasPara

1 koment

  1. A ka zot? , e pyeti studenti nga Australia shkencetarin me te madh te shekullit 20-21, Stefan Hawking. ” The question itself makes no sense to me “, iu pergjigj astrofizikani !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas