Kryesore, Politika

Nuk deklaroi 10 mln lekë, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar: Dvorani nuk kishte ‘qëllim’ fshehjen e llogarive 

Më 25 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Roland Ilia kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Etleda Çiftja si anëtare, konfirmoi në detyrë anëtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani.

Edhe pse Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, ILDKPKI, në raportin e dërguar në KPK ka konkluduar se deklarimi i subjektit ka qenë i pasaktë, jo në përputhje me ligjin dhe ka fshehje pasurie; Komisioni ka arritur në përfundimin se pasaktësitë në deklarimet e gjyqtarit ka qenë të pa qëllimshme.



Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka konstatuar se subjekti nuk ka pasur kontakte të papërshtatshme dhë në këtë aspekt nuk janë konstatuar probleme as nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Një vlerësim pozitiv për gjyqtarin ka dhënë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD, për sa i përket aftësive profesionale, etikës dhe integritetit. KPK ka shqyrtuar gjithashtu 8 denoncime të marra nga publiku në lidhje me subjektin në të cilat nuk janë konstatuar fakte për korrupsion.

Gjitashtu Komisioni ka marrë në shqyrtim akuzat për konflikt interesi në media në lidhje me një takim të subjektit me drejtorin e një televizioni kombëtar të përfshirë në një çështje civile në Gjykatën e Lartë, për të cilën gjyqtari ka hequr dorë nga gjykimi.

Dvorani është një nga katër anëtarët e Gjykatës së Lartë që i mbijetoi procesit të vetingut, i cili shkarkoi nga detyra 5 gjyqtarë, ndërkohë që një numër po aq i madh gjyqtarësh dhanë dorëheqjen në prag të fillimit të procesit.

Konfirmimi i tij në detyrë ka sjellë akuza ta ndërsjellta midis Partisë Demokratike dhe qeverisë. PD e sulmoi procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve si të njëanshëm duke e konsideruar rastin e gjyqtarit Ardian Dvorani si shembull të “standardeve të dyfishta”, ndërsa kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se “vetingu po vepron me pavarësi të plotë”.

Mosdeklarimi i llogarive bankare

Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut bazohet në tre shtylla kryesore; në kontrollin e pasurisë, në kontrollin e pastërtisë së figurës dhe në profesionalizmin e subjektit.

Si pjesë e kontrollit të pasurisë së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka administruar raportin e ILDKPKI-së dhe ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur administrativ, i cili ka pasur si qëllim verifikimin e vërtetësisë së deklarimeve në lidhje me gjendjen pasurore të subjektit dhe personave të lidhur, verifikimin e burimeve financiare, evidentimin e rasteve të fshehjes së pasurisë, të deklarimit të rremë dhe konfliktit të interesit.

ILDKPKI ka kryer kontrollin e plotë të deklaratave të pasurisë së subjektit të rivlerësimit dhe aktin e dorëzuar në KPK me datë 17 nëntor 2017, ka konkluduar se deklarimi i gjyqtarit Dvorani nuk është ‘i saktë dhe në përputhje me ligjin, subjekti ka kryer fshehje pasurie dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. ILDKPKI ndërkohë nuk është shprehur nëse subjekti ka ose je mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasurinë.

Pas administrimit të aktit të vlerësimit nga ILDKPKI, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të pavarur mbi konkluzionet e përcjella nga Inspektoriati, si dhe faktet dhe informacionet e nxjerra nga subjekti.

Si pjesë e hetimit administrativ ILDKPKI ka marrë në shqyrtim një apartament banimi në Tiranë me sipërfaqe 103.4 m2, i blerë nëpërmjet privatizimit në vitin 1993, ku subjketi zotëron 1/6. Apartament banimi me sipërfaqe 76.8 m2, në bashkëpronësinë e bashkëshortes së subjektit. Apartament banimi me sipërfaqe 120 m2, i blerë në vitin 2001 për 34410 USD.  Një automjet Skoda Octavia me çmim 19.500 euro dhe likuditet bankare të padeklaruara nga subjekti dhe personat e lidhur në vlerë 9.97 milionë lekë.

“Rezulton se totali i gjithë likuiditeteve të padeklaruara në Deklaratën – Vetting është 9,980,990 lekë. (7,882,353 lekë likuiditete të subjektit dhe bashkëshortes së tij dhe 2,098,637 lekë likuiditete të prindërve të tij),” shprehet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin e shpallur.

Nga analiza financiare e ndërmarrë nga KPK për subjektin, bashkëshorten dhe djalin e tyre, e cila është bazuar në deklaratat periodike dhe në deklaratën veting, si dhe dokumentacionin e administruar nga ILDKPKI dhe Komisioni, rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë.

Në lidhje me mosdeklarimin e likuditeteve bankare nga hetimi administrativ i KPK-së ka rezultuar se edhe pse këto llogari janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë së subjketit ato nuk janë deklaruar në deklaratën veting të tij. Në parashtrimet e tij në seancë dëgjimore, subjekti e ka pranuuar këtë pasaktësi të dukshme në deklaratën veting, në të cilën nuk gjenden fizikisht katër faqe me deklarimin e likuditetve.

Megjithatë, sipas KPK-së fakti që subjekti nuk ka deklaruar likuditetet në shumën 9.9 milionë lekë nuk përbën fshehje pasurie bazuar në ligj dhe provat e administruara, pasi llogaritë e subjektit dhe të bashkëshortes që nuk janë deklaruar në deklaratën veting janë deklaruar në deklaratat periodike, ndërsa llogaritë e prindërve nuk kanë qenë detyrim për tu deklaruar në deklaratat periodike. KPK nënvizon që deklarat periodike ndër vite janë marrë si provë që subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur qëllim fshehjen e likuiditeteve.

KPK ka konkluduar se edhe pse ka pasur deklarim të pasaktë nga ana e gjyqtarit, nuk ka pasur fshehje pasurie dhe ai nuk ka kryer deklarim të rremë.

Vlerësimi i figurës dhe profesionalzimit

Si pjesë e procesit të vlerësimit të figurës së gjyqtarit Ardian Dvorani, Komisioni i Pavarur i kualifikimit ka administruar raportet e përpiluara DSIK dhe KLD.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka kryer kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit, me anë të verifikimit të deklarimeve dhe të dhënave të tjera, me qëllim që të identifikonte nëse subjekti ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar.

“Në përfundim të rivlerësimit për kriterin e kontrollit të figurës, Komisionit i rezulton se për subjektin e rivlerësimit, z. Ardian Dvorani, nga verifikimet e kryera nuk rezultoi të ketë kontakte të papërshtatshme,” shkruhet në vendimin e KPK-së.

Për sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, Komisioni ka administruar raportin e përpiluar nga Inspektoriati i KLD-së të bazuar tek formulari i vetëdeklarimit, 3 dokumente ligjore të përzgjedhura nga vetë subjekti, të dhënat nga burimet arkivore të KLD-së, si dhe 5 dosje gjyqësore të përzgjedhura me short.

Analiza e Inspektoriatit të KLD-së mbi dokumentet e paraqitura nga gjyqtari, ato të siguruara nga arkiva e KLD-së, si dhe dosjet e marra me short dhe të përzgjedhura nga subjekti, është konstatuar se gjyqtari ka aftësi në drejtim të interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, identifikon normën ligjore të zbatueshme, jep arsye për mënyrën e zbatimit të saj, i kushton vëmendje dhe respektimit ose jo të dispozitave procedurale nga gjykatat më të ulëta. Për arsyetimin ligjor është konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka aftësi në arsyetimin ligjor dhe del në vendime përfundimtare të arsyetuara qartësisht dhe të kuptueshme. Gjyqtari Dvorani ka një rendiment të përfundimit të çështjeve në 71.9 % dhe në disa raste kohëzgjatja e gjykimit ka qenë jashtë afatit ligjor.

Nisur nga parregullsitë e konstatuara KLD ka konkluduar se në efektivitetin dhe eficiencën e veprimtarisë së subjektit të rivlerësimit, ka ndikuar ngarkesa e lartë sasiore në punë, në të cilën ai ka treguar integritet dhe etikë. Gjithashtu është konstatuar se subjekti ka treguar paanësi në gjykimin e çështjeve, si dhe nuk ka cënuar interesat dhe të drejtat e grupeve në nevojë.

Si pjesë e vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit, KPK ka marrë në shqyrtim 8 denoncime nga publiku dhe ka hetur një rast të mundshëm të konfliktit të interesit të bërë publik në media.

Nga denoncimet e ardhura në KPK nuk janë konstatuar fakte ose të dhëna që mund të ngrenë dyshime për paaftësi profesionale të subjektit të rivlerësimit, apo cilësi që cënojnë figurën e gjyqtarit.

Ndërkohë për akuzën e konfliktit të interesit, Komisioni është njohur nga mediat audiovizive mbi një regjistrim nga i cili ngriheshin dyshime për nje konflikt interesi të mundshëm, pasi subjekti ka pirë kafe me drejtorin e televizionit Top Channel Ben Blushi. Ky takim dyshohej se mund të ishte një ndërhyrje në një çështje civile në Gjykatën e Lartë mbi pronësinë e aksioneve të televizionit Top Channel.

Pas publikimit të videos në media, KPK ka kërkuar informacion mbi çështjen nga subjekti i rivlerësimit. Nga vlerësimi i fakteve të çështjes ka rrjedhur se se subjekti i rivlerësimit nuk ishte në kushtet e konfliktit të interesit apo ndikimit, për këtë çështje civile.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, bazuar në faktet dhe provat KPK ka vlerësuar se subjekti ka aftësi të larta profesionale, organizative si dhe etikë të lartë në punë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas