Mapo Format

Një vështrim ndryshe i historisë

Nga Prof. asoc. dr. Bashkim Gjergji

Punimi i dr. Artan Hoxha me titull “Kisha Ortodokse nën komunizëm. KOASH-i dhe regjimi diktatorial shqiptar, 1945-1967” prek një çështje, që në hullinë e botimeve tona të profilit historik nuk ka gjetur vend si një trajtim specifik, por ose është parë në kuadër të botimeve ideologjike të para viteve ’90, ose është përmendur në sfondin e interpretimit të përgjithshëm që zë vend pas viteve ’90 si shprehje e rishikimit të qëndrimit ndaj fesë në periudhën pluraliste. Në këtë mënyrë, po e theksojmë që në krye se punimi i dr. Hoxhës paraqet një vepër, fryt i kërkimit dhe i studimit disavjeçar, që për herë të parë sjell në lëmin e studimeve të këtij lloji një vështrim origjinal mbi historikun e kishës ortodokse në vendin tonë.



Punimi ndahet në katër kapituj që marrin në shqyrtim: a) situatën dhe përpjekjet për përshtatje nga ana e kësaj kishe në vitet e para të regjimit komunist; b) zhvillimin e raporteve kishë – shtet, ku dallohen qartë dy linja, që hedhin dritë mbi kristalizimin e vijës partiake e shprehur në ligj dhe mbi modalitetet administrative kishtare të shprehura në statut; c) hartimin e politikave fetare nga ana e shtetit dhe institucionet e tij të ngarkuara me përgjegjësi të drejtpërdrejtë, si dhe situatën tensionale brenda vetë kishës si pasojë e ndërhyrjeve të faktorëve politikë të brendshëm e të jashtëm dhe d) ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e udhëheqjes komuniste që nga cenimi dhe rrënimi i pasurisë së kishës, bllokimi i procesit të arsimimit e deri te paralizimi i plotë dhe ndalimi i fesë ortodokse, krahas asaj katolike e myslimane.

Në një vëllim mbi 280 faqe, dr. Artan Hoxha ka ditur ta japë ecurinë historike të kishës ortodokse nën regjimin komunist përmes fakteve të shumta, të dokumentuara, që nuk vijnë thjesht si elemente dëshmuese në një narrativë, por si bazë e fuqishme të dhënash mbi të cilat ngrihet struktura analitike e autorit, e argumentuar në mënyrë solide dhe e realizuar në lidhje të ngushtë me kontekstin historik të zhvillimeve të përgjithshme në Shqipërinë e viteve 1945 – 1967.

Parë me këtë sy, jemi të mendimit se vepra në fjalë ka një vlerë të madhe, sepse hedh dritë mbi një çështje të ndjeshme, sinjifikative kur është fjala për raportet shtet – fe në periudhën e sundimit komunist dhe njëkohësisht ofron një model për studimet e tjera të këtij profili. Vlerësojmë seriozitetin dhe përkushtimin e dallueshëm të dr. Hoxhës, i cili në respekt të kërkesave të rrepta të studimeve akademike, e orienton qartë lexuesin e interesuar në procesin e njohjes së përmbajtjes duke evidentuar qartazi metodologjinë e punimit, si dhe duke sqaruar termat e përdorur prej tij. Bibliografia e gjerë e shfrytëzuar mjeshtërisht nga autori reflekton angazhimin e tij për të shteruar burimet institucionale e ato shkencore, provë e konsultimit me një pluralitet mendimesh, të shprehura në studime, fjalime publike, komente e intervista shtypi, dokumente vendimesh e hapash konkretë në rrafshin politik, që kalojnë në filtrin analitik e seleksionues të studiuesit .

Në tekstin e shkruar me një kulturë të lartë gjuhësore, me një stil të zhdërvjelltë dhe të qartë, me referenca të shumta (me pesë apo më shumë të tilla pothuaj në çdo faqe), Artani ka ditur të përshkruajë me përpikëri e thellësi luhatjet e udhëheqjes komuniste, që nga dilemat dhe inaktivitetin e saj, për shkak të paditurisë në lidhje me procesin e ndërtimit dhe drejtimit të strukturës shtetërore deri te hartimi dhe zbatimi i një platforme politike antifetare më vonë, kur kishte konsoliduar pushtetin e vet. Por në të njëjtën kohë, kamera vëzhguese e Hoxhës sjell një panoramë shumë interesante brenda ambientit të vetë kishës. Në ditët e para të pushtetit të ri, njerëzit e kishës janë në pritje, motivojnë kërkesën e tyre për bashkëpunim me të (madje priren të kenë kontakte me aleatët sovjetikë); më pas shfaqen kundërshtitë brenda llojit, ndërkohë që nisin makinacionet e shtabeve politike brenda e jashtë vendit në zhvendosjen, heqjen dhe zgjedhjen e drejtuesve të lartë klerikë. E vumë në dukje këtë aspekt për të theksuar se dikotomia shtet – fe në punimin e prezantuar jepet e detajuar në hapat, lëvizjet e të dy krahëve sipas interesave të tyre strategjike duke evidentuar me këtë rast si praninë e tipareve globale në aspektin e marrëdhënieve mes tyre, po ashtu edhe karakteristikat e veçanta të kushtëzuara nga tradita e sidomos nga linja e përgjithshme që ndoqi establishmenti komunist shqiptar në faza të ndryshme historike.

Në përfundim të mendimeve të shprehura sa më sipër konkludojmë se, punimi i dr. Artan Hoxhës, përbën një kontribut origjinal në fushën e historisë së vendit, plotëson një zë në bibliotekën e mangët të këtij lloji dhe me siguri që do të shërbejë si burim reference për të gjithë ata, që do të ndërmarrin hapa të tjerë studimorë në këtë lëndë. Po kështu, jemi të bindur se auditori i historisë dhe në përgjithësi ai i shkencave humane në universitetet e hapësirës shqiptare do t’u ofrojë studentëve një vepër të re e me nivel të spikatur shkencor që do të shërbejë si literaturë për përgatitjen e tyre.

Njëkohësisht duam të theksojmë këtu se po ashtu njerëzit e medias, që trajtojnë ngjarje e fakte historike, do të kenë një mundësi të mirë të njohin punimin dhe mbi këtë bazë të përmirësojnë më tej trajtimin e historisë së feve dhe në përgjithësi trajtimin e dokumenteve dhe ngjarjeve me peshë në historinë e Shqipërisë./Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas