Editorial

Një vend si qëmoti

Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi

Epërsi italiane takohen në shumë fusha. Në parkun shkencor – teknologjik, të ndërtuar pranë Mirandolas mbas tërmetit të 2012, ka lindur një nga trevat më të mëdha europiane për mekanizma mjekësorë të vetëm një përdorimi, njëqind ndërmarrje, pesë mijë punonjës dhe rreth një miliard € qarkullim tregtar. Leonardo del Vecchio, me shkrirjen e Luxotica me francezen Essilor, sot kontrollon një grup që ka një miliard e gjysmë klientë, një numër që është në mes të klientëve të Facebook e atyre të Google. Dizajni i jashtëzakonshëm italian eksporton kudo në botë e na e kanë zili të gjithë.



Richemont, njëri nga grupet kryesore të luksit, ka blerë Yoox Net-A-Porter, ndërmarrjen e krijuar nga ravenasi Federico Marchetti, që sot faturon më shumë se 2 miliardë € në vit. Deri edhe bankat: Crédit Agricole, banka e madhe franceze, ka investuar 4 miliard € për të blerë institutet e kreditit n’Itali, madje dhe Deutsche Bank po e përforcon praninë e saj në Itali, një nga tregjet e pakta në të cilët banka gjermane rritet.

Në shumë fusha të kërkimit shkencor italianët shkëlqejnë, nga mjekësia në shkencat natyrore dhe ato shoqërore e universitetet më të mirë të botës janë plot të rinj italianë, shpesh ndërmjet studentëve e kërkuesve shkencorë më të mirë.

Para një muaji Alessio Figalli, matematicien romak, i diplomuar dhe doktoruar në Normalen e Pizës, që sot jep mësim në Zurih, ka fituar Fields medal, Nobelin e matematikës. Instituti italian i teknologjisë së Gjenovës është një qendër epërsie e njohur në nivel botëror, siç janë shumë laboratorë të shpërndarë nga pak kudo n’Itali, e do të kishin qenë shumë më tepër nëse mjaft universitete nuk do të ishin mbyllur si iriqi për të mbrojtur kërkuesit shkencorë vendas.

Kjo është Italia mbi të cilën synojnë investuesit e huaj. Një vend i hapur, ndërmarrjet e të cilit garojnë e fitojnë në botë duke krijuar pasuri për Italinë. Masa e suksesit të tyre është aktivi tregtar (ndryshimi ndërmjet eksportimeve dhe importimeve), që vitin e shkuar kapi shifrën e 60 miliard €.

Sigurisht, ka probleme. Një nga kryesorët është rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë, me pasoja si mbi prodhimin ashtu edhe mbi financat publike. Fluksi mërgimtar, sigurisht për t’u rregulluar, po na ndihmon. Një sondazh i Shoqatës industriale të Brescias tregon se 53% të ndërmarrjeve breshiane ka në vartësi punonjës jashtë Bashkësisë, me maja të 73% në ndërmarrjet metalurgjike dhe siderurgjike. Pjesa më e madhe (71%) e ndërmarrjeve që kanë punëtorë të huaj tregohen të kënaqura nga puna e këtyre. Vetëm 1 % është e pakënaqur.

Përballë këtyre të vërtetave cili është modeli që Lega dhe L5Y (lëvizja e pesë yjeve) na paraqesin? Një Vend i trembur nga të mërguarit, që janë vetëm 9 % e popullsisë sonë, kundrejt 12 të Gjermanisë e të Francës, 13 % të Britanisë së Madhe e 18 % të Suedisë. Një botë të mbyllur, në të cilën Bashkimi Europian shpërbëhet për të lënë Shtetet e Bashkuara, Rusinë e Kinën të jenë zotër, ndërsa Vende si i yni krejt të papërfillshëm. Është një model “i botës së vogël si qëmoti”, një Vend me dyqanet e mbyllura të dielën, ku familjet në të cilat të dy prindërit punojnë, kanë përsëri vështirësi të mbarështojnë kohët e tyre: sigurisht, në “botën e vogël si qëmoti” gratë nuk punonin.

Një Vend me një linjë ajrore përsëri në pronësi të Shtetit, e mbrojtur nga konkurrenca, kështu mund të kthehen kohët kur të fluturoje nga Bolonja në Londër kushtonte barasvlerën e 500 €, tarifë që vetëm të pasurit ishin në gjendje t’ia lejonin vetes. Madje me ndonjë lirë të re të zhvleftësuar, me të cilat jashtë Italisë mund të blihet fare pak. Një Vend që në vend që të ndihmojë ndërmarrjet të rriten ndëshkon ato që kërkojnë të bëhen globale duke hapur impiante rreth botës. Një Vend që nuk arrin të kuptojë se puna është transformuar dhe që dënon përkulshmërinë, me përfundim shkatërrimin e vendeve të punës, duke valëvitur për “dinjitet” papunësinë dhe rrogën e shtetësisë, në vend që të kërkojë forma të ndryshme punësimi që të jenë në të njëjtin hap me kohët.

Një Vend që do të dërgojë në pension njerëzit në një moshë që nuk mban parasysh zgjatjen e pritur të jetës, duke krijuar një peshë fiskale gjithnjë më të madhe për të rinjtë e sotëm dhe të brezave t’ardhshëm. Një Vend në të cilin për kërkimet shkencore nuk flitet fare. A keni dëgjuar ndonjëherë ministrin e Zhvillimit ekonomik, Luigi di Maio, të përmendë kërkimin shkencor si motorin e rritjes? Një Vend që ka frikë nga investimet e mëdha në infrastrukturat. Infrastrukturat nuk janë ilaçi çudibërës të cilin hymnizojnë pa kushte të gjithë ata që duan gjithmonë e në çdo mënyrë më shumë shpenzime publike. Por ndonjë infrastrukturë e re nevojitet (të kujtojmë Grondën e Gjenovës): “jo” gjithçkaje nuk ka kuptim. Një Vend që për inkompetencë dhe arrogancë t’atij që e qeveris shkakton dështimin e një zgjidhjeje të mirë për Ilvën e Tarantos dhe rrezikon të lerë në shtëpi 12 mijë punonjës.

Vendi i “rrëgjimit të lumtur” kur dihet se vetëm me rritjen mund të përmirësohen kushtet e atij që nuk ka një rrogë të përshtatshme, mbi të gjitha nëse rritjes i shtohet një rishikim i sistemit tonë të politikave shoqërore që sot shpërndajnë shumë keq rezervat që kanë në dispozicion. Kushedi nëse ministri Di Maio ka lexuar raportin e komisionit Onofri, që 21 vite më parë kishte ravijëzuar vijat drejtuese thelbësore të një reforme të politikave shoqërore. Dyshojmë.

Një Vend që do të luftojë evazionin fiskal duke ulur taksat për mospaguesit e duke futur falje të ndryshme, në vend që të pakësojë shpenzimet publike për të ulur sa më shumë taksat për të gjithë, duke luftuar ata që nuk i paguajnë me të njëjtën “egërsi” me të cilën trajton të mërguarit eritreas.

Një Vend që parapëlqen Shtete iliberale si Hungaria e Orbanit dhe Rusia e Putinit kundrejt Merkelit apo Macronit. Nëse mbas votimeve evropiane të pranverës së ardhshme Bashkimi do të shkërmoqet, siç urojnë hapur Salvini e Di Maio, pashmangshmërisht do t’i afrohemi Vendeve të Lindjes. Ministri Savona që tani e ndjell Putinin si shpëtimtarin tonë në rastin e një krize të borxheve. E kemi shmangur Bashkimin Sovjetik në kohët e Partisë komuniste në vitet 50, tani mund të gjendemi nën ndikimin e pasardhëses së saj të drejtpërdrejtë, Rusisë së Putinit.

E gjitha kjo nuk na duhet, na duhet një qeveri që ndihmon e lëmon qoshet, shtyn dhe nuk pengon, bisedon por nuk përplaset. Kjo i duhet Italisë që nuk i është dorëzuar krizës, ekonomia e së cilës me vështirësi po e merr veten./Mapo.al/

“Corriere della Sera”, e përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas