Aktualitet, Kryesore

Një udhëtim në jetën artistike të legjendës së Estradës së Durrësit, Fadil Hasa

Sot u nda nga jeta një nga aktorët më popullor dhe të dashur për publikun, si cili bëri epope në estradën shqiptare.

Fadil Hasa ka lindur në Krujë, më 8 prill, 1940. Kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër dhe më pas u aktivizua dhe u bë i njohur si aktor, me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë, që me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970). Për pasojë në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist, në Estradën e Durrësit, ku punoi deri sa doli në pension, në vitin 1993.



Ka luajtur shumë role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogë dhe forma të tjera të shkurtra të estradës. U bënë të njohura për publikun e gjerë interpretimet e disa roleve, si: Latifi te Sheqer-sheqer, Rrema tek Or ti i këshillit, Hamdiu te Mysafiri i paftuar, Qyli (monolog) etj. F. Hasa ka luajtur edhe në disa filma, si: Zëvendësi i grave, Mao Ce Dun (Hekurani, 2004), Trapi i vjetër (oficeri, 2005), Lutje dashurie (besimtar mysliman, 2005).

E veçanta e tij ishte loja me “seriozitetin” e shitur të personazheve, duke nxjerrë në pah që andej budallallëkun, naivitetin, dobësi e mangësi të caktuara karakteri, falë shumë befasimeve të këndshme humoristike, që ai përdor, si dhe ndjenjës së lartë të ritmit, apo përdorimit të frytshëm të kontrapunkteve.

Me një veprim dinamik në skenë, Fadil Hasa ishte spontan dhe i shpenguar, me një përshtatje të mirë aktoriale në përjetimin e situatave, ku gjenden personazhet. Me karakterizime të imëta e me shije në mënyrën e të folurit, në gjeste e mimike, Fadil Hasa në rolet e tij ka realizuar tipa të shumtë nga shtresat popullore, bujq, punëtore krahu, familjarë, prindër; herë të mençur e herë të trashë; herë të ngathët e herë të shkathët; por duke e ruajtur ngaherë sensin e masës.

Si pasojë e një sëmundje të rëndë, bashkëshortja Hurma u nda nga jeta pasi la pas dy vajza që Fadili i quante, “krenaria ime”, së bashku me shumë nipa dhe mbesat.

Gjatë karrierës së gjatë, ai ka fituar shumë tituj dhe vlerësime, që nga “Artist i Merituar” e deri te katër herë aktori më i mirë i humorit, por çmimi i fundit është ai që i ka mbetur veçanërisht në mend.
Qëndroi më shumë se 30 vite pa u shkëputur nga skena. Veçantia e tij ishte se nuk mund ti veçoje asnjë rol si më të mirin, sepse të gjithë i ka realizuar në mënyrë unike.

Gjithsesi në mendjen e publikut do të mbeten rolet e tij tek “Dajrja”, skeçi “Sheqeri”, tekniku i lavatriçes, apo ai tek filmi “Mao Ce Dun”.

Muajt e fundit përpara se sëmundja ta shtrinte në shtrat, Fadil Hasa e kalonte kohën i rrethuar me miqtë duke pirë kafe çdo mëngjes në shëtitoren e Durrësit. Edhe pse e quante veten “pensionist”, barsaletat dhe anekdotat pikante mbetën specialiteti i Fadilit Hasës deri në çastet e fundit të jetës.

<
>
fadil-hasa fadil-hasa-1-800x450 FADIL-HASA-3
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas