Op Ed

Një strategji për fëmijët tanë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:34 - 20/04/15 |
mapo.al

karametaNga Pëllumb Karameta


 


Në gazetën MAPO, znj. Valbona Nathanaili publikoi vlerësimin e saj për disa aspekte të strategjisë së arsimit parauniversitar 2014-2020. Që në krye, e përgëzoj atë që i ka shprehur publikut gjithë sa gjykon me sinqeritet se i vlen planifikimit strategjik të arsimit tonë. Për më tepër, ajo është ndër të paktët studiues/e që i ka kushtuar kohë nga koha e saj këtij momenti të rëndësishëm për fatin e reformës arsimore. Në vijim publiku informohet për disa karakteristika të zhvillimit të strategjisë dhe paraqiten alternativat e argumenteve të znj. Nathanaili.



Është hera e parë në këto dy dekada që Strategjia e arsimit parauniversitar u zhvillua duke përdorur vetëm burimet njerëzore, materiale e financiare të MAS-it dhe iu paraqitur publikut, për afro 3 muaj, për ta njohur dhe për ta komentuar në web-in e MAS-it (http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/apu/karta/Strategji_APU_dokumenti_perfundimtar_24_03_2015.pdf). Dokumenti është diskutuar hollësisht me kërkues arsimorë, me përfaqësues të universiteteve, me administratorë të arsimit të çdo niveli, me organizata të shoqërisë civile dhe me donatorë ndërkombëtarë. Për herë të parë, zhvillimi i Strategjisë u parapri nga analiza e hollësishme e gjendjes, e nevojave dhe e mundësive të shtetit dhe shoqërisë shqiptare (“Raporti paraprak për reformën në arsim”). Strategjia konsideron thelbësisht dhe mbështet fort trajektoren e unifikimit të sistemeve arsimore parauniversitare të Shqipërisë dhe të Kosovës (“Marrëveshja e bashkëpunimit për unifikimin e kurrikulës së sistemit arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”). Në Strategji, përparësitë dhe objektivat politikë arsimorë pasqyrojnë filozofinë, teoritë dhe praktikat bashkëkohore, ndryshe, zhvendosjet revolucionare që kanë ndodhur dekadën e fundit në teoritë e njohjes, në teoritë kurrikulare dhe në metodat / teknikat e të nxënit (Paketa kurrikulare e arsimit parauniversitar – 2014). Sakaq, dokumenti shpreh qartë orientimet dhe direktivat e BE-së për ndërtimin e një sistemi arsimor i cili, përmes ndërtimit nga nxënësit të vlerave dhe të qëndrimeve për jetën në demokraci, mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare dhe të ekonomive vetjake (“Korniza strategjike për bashkëpunimin në arsim dhe trajnim – Europë 2020” dhe “Strategjia europiane e arsimit 2020”). Gjithashtu, në Strategji, përmirësimi i arsimit parashihet të ndodhë në kontekstin e një kuadri të njësuar konceptimi, planifikimi dhe financimi. Kjo ka bërë që, për herë të parë, ndryshimet e planifikuara t’u paraqiten vendimmarrësve me faturat përkatëse financiare për çdo vit buxhetor. Lexuesi ftohet të konsultojë strategjinë e vitit 2004 (https://app.box.com/s/udclptëdg1b0hpe9ii91) dhe strategjinë e vitit 2009 (http://planipolis.iiep.unesco.org/upload/Albania/Albania-Strategy-Pre-university-2009-2013-alb.pdf ), për të konstatuar dallimet e tyre me Strategjinë e re dhe gjithë sa theksova më sipër.


  1. Vizioni që shpalos Strategjia (sistem arsimor që ka në qendër nxënësin, që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe i shërben konsolidimit të shoqërisë demokratike) kuptohet si përshkrim i aspiratës për atë që duam të arrijmë me sistemin arsimor në vitin 2020. Si i tillë, ai shërben si udhërrëfyes për zgjedhjen e veprimtarive / masave / mjeteve. Jetësimi i tij – përmirësimi i sistemit – shprehet përmes arritjeve që nxënësit ndërtojnë gjatë viteve të shkollimit. Me këtë në mendje dhe duke shpresuar mirëkuptim, po komentoj kuptimin e znj. Nathanaili për vizionin. Ajo e konteston vizionin e Strategjisë kështu: “sa kohë që sistemi ynë arsimor, edhe pas dy strategjive të mëparshme, vazhdon të paraqesë të njëjtën gjendje për “të qarë hallin”, atëherë ajo që duhet të ndryshojmë është vetë vizioni”. Më tej, ajo shton se “shkolla … duhet të edukojë te fëmijët vlerat më të mira, t’i përgatisë si qytetarë për një shoqëri diverse, të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, të dinë çfarë kërkojnë në atë masë që u takon dhe, nëse arrijnë deri këtu, të jenë në gjendje të marrin përgjegjësi jo vetëm për zhvillimin, por të shkojnë edhe më tej, ta bëjnë zhvillimin të qëndrueshëm”.

Sa i takon pohimit të parë, ka argumente të shumta që bindin se kriza e thellë e sistemit arsimor nuk ka ardhur, pse në strategjitë e mëparshme (dhe në Strategjinë e re) është aspiruar për një sistem arsimor që ndihmon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe konsolidimin e shoqërisë demokratike. Përkundrazi, kriza u mbars dhe u thellua nga politikat e mbrapshta arsimore (Alterteksti, Matura shtetërore, E-shkolla, ndër të tjera), nga objektivat dritëshkurtra aspak efikase dhe nga investimet, përgjithësisht klienteliste.


Pohimi i dytë, vërtet, shpreh mjaft prej cilësive që duhet të bartin të rinjtë tanë, por vizioni i Strategjisë dallon nga sa ndërtohet prej nxënësve nga përmirësimi i sistemit arsimor. Cilësitë e karakterit dhe të mendjes apo kompetencat kyçe dhe ato specifike janë produkte (outpute) që subjektet i ndërtojnë nga nxënia e frytshme, formale ose jo. Ato ndihmojnë arritjen e rezultatit (outcome) të pritshëm – përgatitjen e të rinjve për të ardhmen, përgatitje që u shërben zhvillimit të qëndrueshëm dhe konsolidimit të shoqërisë demokratike. Janë këto raporte të përgjithshme, ato që respekton vizioni i Strategjisë për arsimin e breznive të reja.

  1. Znj. Nathanaili, gjithashtu, konteston modelin e financimit të sistemit “për nxënës”, por nuk ofron një model alternativ. Ndërkaq, në Strategji, financimi i sistemit respekton dispozitat e ligjit 69/2012, sipas të cilit “financimi nga Buxheti i Shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike”. E kuptuar më thellë dhe e thënë ndryshe, financimi i institucioneve arsimore, nuk bazohet në atë që autorja e përcakton si “formulë e thjeshtë përpjesëtimore”. Përkundrazi. Modeli i financimit vërtet përpjesëton, por dhe kompenson, përmes një sistemi parametrash, të përcaktuara në vendime të Këshillit të Ministrave, ato institucione arsimore që kanë vërtet nevojë për mbështetje. Kthimi i shkollave në qendra komunitare, forcimi i autonomisë institucionale, harta digjitale e rrjetit shkollor, karta e performancës së shkollës etj., janë politika dhe instrumente që Strategjia i ka konceptuar edhe në aspektin e rritjes së efikasitetit dhe të eficiencës së financimit të arsimit.
  2. Kontestimi i tretë i autores i referohet objektivit për ndërtimin e “mjediseve shkollore miqësore”. Ndaj me znj. Nathanaili përshkrimin që i bën ajo situatës: “Njëlloj si përpara 10, 20, 25 vjetëve, fëmija i shkollës “publike”, ose “shtetërore” sikundër njihet ndryshe, shkon në shtëpi me të mbaruar ora e mësimit. Pra, klima miqësore, në rastin më të mirë, është part-time dhe e kufizuar vetëm brenda orëve të mësimit”. Por, lexuesi mund të konstatojë vetë se sistemi i masave të planifikuara për t’u ndërmarrë, ndihmon pikërisht tejkalimin e kësaj gjendjeje. Kështu, p.sh., vetëm për të mbështetur përmirësimin e mekanizmave për hartimin dhe zbatimin e planeve të zhvillimit të institucioneve arsimore dhe pjesëmarrjen në procesin e marrjes së vendimeve, Strategjia ka parashikuar 62. 7 milion dollarë. Kësaj shifre u shtohen 420 milion dollarë fondet plotësuese nga buxheti dhe nga transfertat e kushtëzuara për bashkitë. Nuk përfshihen këtu financimet për përmirësimet e aspekteve të ndryshme të veprimtarisë arsimore (kurrikul, zhvillime profesionale etj.).
  3. Mendoj se është i pasaktë edhe komenti i autores për sigurimin e cilësisë arsimore. Ajo ka të drejtë kur konstaton se “Inspektorati Shtetëror i Arsimit, aktualisht, realizon 25-30 inspektime të plota në një vit shkollor, ndaj nuk mund të ndikojë sa e si duhet në sigurimin e cilësisë së sistemit”. Por, gjithë sa ajo parashtron në vijim, nuk shprehin aspak ndryshimet e planifikuara në Strategji. Nisur nga kufizimet dhe dobësitë në këtë aspekt, Strategjia ka konsideruar sigurimin e cilësisë një nga katër përparësitë e saj (fq. 48-50; 81-83). Një varg masash janë planifikuar, si për ristrukturimin e institucioneve vlerësues dhe inspektuese, ashtu dhe për format / teknikat e vlerësimit. Kështu, p.sh., Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të riorganizohet në dy nivele (qendror dhe rajonal). Do të shtohet numri i inspektorëve dhe do të ligjërohet licencimi i tyre. Matura shtetërore ndryshon dhe do të kufizohet vetëm si provim që certifikon përfundimin e arsimit të mesëm. Gjithashtu, do të ndryshojnë brendia, format dhe teknikat e proceseve inspektuese dhe vlerësuese etj.

Në sintezë, një strategji, sidoqoftë ajo, është thjesht një dokument. Ajo që vlen është ndryshimi që sjell te fëmijët tanë, duke i bërë shkollat tona më të mira. Këtë duket ka parasysh Znj. Nikolla, ministrja e Arsimit dhe Sportit, kur thotë në hyrjen e dokumentit: “Jemi të vetëdijshëm dhe kemi kuptuar se për zhvillimin e sistemit nuk ka zgjidhje të lehta dhe të shpejta. Ndryshimeve do t’u qasemi hap pas hapi, duke përfshirë në këtë proces të gjithë faktorët shoqërorë të interesuar. Ndaj, jam besimplotë se gjithë sa ofrohet në këtë dokument, do të mundësojë që hapësira arsimore shqiptare të integrohet në hapësirën europiane dhe të ndajë kualitete, vlera dhe qëndrime të njëjta me të.

Nga një këndshikim më i përgjithshëm, nuk ka asgjë më të vështirë dhe më të rrezikshme për t’u ndërmarrë, as dhe më të dyshimtë për suksesin, se sa udhëheqja e rendit të ri të gjërave. Kjo pasi novatorët kanë armiq të gjithë ata që ia kanë kaluar mirë në rendin e vjetër dhe mbështeten në mënyrë të vakët nga të gjithë ata që mund t’u ecë në rendin e ri. Kjo ftohtësi pasqyron edhe drojën e njerëzve ndaj novacioneve me të cilët ata nuk janë familjarizuar.

 



CLOSE
CLOSE
Pas