Mapo Letrare

Një protestë kundër mosdashurisë

agim baciNga Agim Baçi

Shënime për romanin “Arkipelagu Spiritus” të Zija Çelës.



Ka ndërtuar një realitet tjetër për t’i bërë thirrje së tashmes që të mos mbetet peng i pafuqisë për të ndryshuar. Një protestë e pandalshme ndaj mosdashurisë, ndaj vanitetit, ndaj humbjes së kurajës. Ka sugjeruar prozën e tij për t’i kthyer sytë nga humbja e përditshme e shpirtërores dhe, përmes ironisë – një ironi që fle në shtratin e cinikes- Zija Çela vjen si një libër i hapur ndaj asaj që thuajse na shqetëson të gjithëve – po humbim shpirtin tonë përballë furisë së përditshme të botës që na tërheq drejt pamundësisë për të kuptuar tjetrin.

Është një “ferr paraprak”, që ne e shohim e s’po mundemi dot t’ia shuajmë flakën për aq kohë sa e kemi në dorë Ujin – forcën tonë shpirtërore. Por kur ajo shteron, atëherë qytetet tona nisin e të rrëzohen nën këmbët e “gjithçkaje që është veçse asgjë”.

“Çfarë aromash duhet të mbajë një qytet kur është duke i dalë shpirti?”, pyet që në fillim personazhi i Zija Çelës, duke paralajmëruar se gjithçka në këtë udhëtim proze është për të hulumtuar mbi trenin e pamundësive që po udhëheq përditshmërinë e mjaft qytetarëve. Është një shqetësim i përbotshëm, që s’e fshehim dot.

Veçse kemi nevojë për përgjigje, kemi nevojë që të mos e injorojmë mbretërinë e pamundësive për të udhëtuar drejt dashurisë për tjetrin. Është një udhëtim që na duhet, na nevojitet që ta ndjejmë lëvizjen brenda nesh, por tashmë kemi dhjetëra e dhjetëra pengesa që nisin e na zënë dritaret për të parë atë që dëshirojmë, e mbi të gjitha, për të parë tjetrin. “Gabojmë se dashurojmë pak ose vonë”, thoshte Roberto Benigni disa ditë më parë në një show në “RaiUno”, duke çuar peshë miliona spektatorë në vendin fqinj. Si për të thënë që na duhet të shqetësohemi të gjithë, kudoqofshim, sepse ky është një ortek i përbotshëm.

Po cila mund ta ndalur këtë ortek që ka nisur tashmë të na peshojë, që po na merr frymën, që nuk po na lë të ngremë kokën e të shohim vetën në “pasqyrën e të qenit vetvetja”. Nuk është thjesht banka. Nuk është thjesht vënia e çmimit për gjithçka.

Është më së pari brenda shumë prej nesh, që përditë e nga pak dorëzojnë nga pjesa e kurajës për të ndryshuar, e kurajës për të qenë vetvetja, e kurajës për të besuar se mund t’ia dalësh pa humbur dinjitetin, pa humbur krenarinë – pra pa humbur shpirtin tënd, që do të mund të ndihmojë të kuptosh artin e Dashurisë për Njeriun!

Alegoria në një çast ndalon, futet në hartën e reales, e autori, si të ketë merakun e lexuesit që ta ndjekë si duhet në shqetësimin e tij, lejon dikë që të pyesë më drejtpërdrejtë:

“Po Tirana ka shpirt?”, u dëgjua një zë.

Askush s’po dinte të përgjigjej, prandaj e përjashtuan këtë pyetje përkohësisht…(Zija Çela, Fragment nga “Arkipelagu Spiritus”)

Këtu duket sikur Çela nuk ia ka lejuar vetes të japë përgjigjen përfundimtare, si një njeri që beson se ende mundemi, ndaj dhe ka vendosur ta përjashtojë, të paktën përkohësisht, përgjigjen për qytetin dhe bashkëqytetarët e tij, sepse ende beson se…nuk vlen që kockat tona të jenë rojtare të hiçit.

Duhet të jenë rojtare të shpirtit- të një shpirti që guxon të shohë më shumë se sa nevoja për të ngrënë, se sa nevoja për t’u argëtuar. Na duhet Tjetri, si mundësia më e mirë për të kuptuar veten dhe botën. Dhe kjo kalon përmes Dashurisë. Nuk na duhet pak. Nuk na duhet vonë. Na duhet për të qenë të gjallë dhe plot kuptim, e duke fjetur në shtratin e kurajës për të guxuar ndryshimin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas