Rajoni

Një “Dayton” për Kosovën, serbët duan konferencë me fuqitë e mëdha

Pas debateve për tezat që qarkulluan ditët e nxehta të verës për korrigjim, ndarje apo bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, tani mediet serbe dalin me një tjetër opsion.

Një konferencë ndërkombëtare, në të cilën do të arrihej zgjidhja për çështjen e Kosovës, si e vetmja zgjidhje për të dalë nga ngërçi ku kanë mbetur të mbërthyer Serbia dhe Kosova, pas më shumë se 7 vitesh dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.



E përditshmja e Beogradit “Novosti” vjen me këtë ide, pasi – siç shkruan ajo, – në dialogun e Brukselit, që duhet të finalizohet këtë vjeshtë, nuk shihet në horizont asnjë epilog i pranueshëm për palët.

Ndaj, ulja në tryezën e bisedimeve të disa fuqive të mëdha për të negociuar do të çonte në mbylljen e këtij procesi me një marrëveshje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndezur jo pak debate me tezën e tij të korrigjimit të kufijve dhe bashkim me Kosovën të Luginës së Preshevës.

Por, në anën tjetër, krerët në Beograd flasin për ndarje të Kosovës, gjë që kundërshtohet ashpër nga të tjera qarqe në Kosovë, Serbi, por edhe në arenën ndërkombëtare, me Kancelaren gjermane Angela Merkel që e tha prerë pak ditë më parë se, në Ballkan nuk do të ketë ndryshime kufijsh.

Deklaratat e saj janë përforcuar madje edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

“Mendoj se ky kontinent ka parë mjaft sa i përket kufijve në shekujt e kaluar. Pra, le të përpiqemi të përmirësojmë jetën e qytetarëve, të cilitdo komunitet që i përkasin në vendet përkatëse dhe të mos përpiqemi të zgjidhim ndryshimet kufitare. Unë mendoj se këto kohë kanë kaluar njëherë e përgjithmonë”,- tha Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Diplomati gjerman ka përsëritur edhe një herë mbështetjen për liberalizimin e vizave në Kosovë, por hezitoi të jepte një datë të saktë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë të lirë drejt vendeve europiane.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas