Kryesore

Një amerikan në kërkim të muzikës së vjetër shqiptare

Aida Tuci

Christopher King, pesë herë i nominuar për “Gramy Award” dhe fitues i çmimit të nderit për “Albumin më të mirë historik” me punën e tij kërkimore dhe përmbledhëse të bluzit nga krijimtaria e Charley Patton, ka vendosur së fundmi t’i qëndrojë pikërisht kësaj linje. Ai gërmoi në arkivat amerikane dhe gjeti 78 incizime të rralla nga vendet e Ballkanit. Mes tyre dhe një disk me këngë tradicionale shqiptare që datojnë nga 1920-1930. “Çfarë prisni t’ju them? – iu drejtua ai gazetares në një intervistë të fundit. – Jam një koleksionues i disqeve të vjetra, madje i obsesionuar pas tyre. Nuk mund ta ndihmoj veten”. Vuri të dëgjonte diskun me këngë shqiptare dhe teksa dëgjonte “Ja thoshte bylbyli (Said the nightingale), ai u magjeps. “Ishte një muzikë unike që kurrë më parë s’e kisha dëgjuar: tingull i fortë, joharmonik, i shfrenuar disi jashtë kontrolli, por që tingëllonte estetik nga një tjetër gjuhë nga një tjetër kohë”, – thotë Chris. Përvoja e dëgjimit të 78 disqeve e çoi në një kërkim 2-vjeçar, për të zbuluar sa më shumë rreth muzikës shqiptare të asaj epoke. Menjëherë ndërmori një udhëtim në Turqi, Greqi dhe Shqipëri. Pas kësaj u konsultua me disa koleksionues të muzikës së vjetër në mbarë botën dhe vetëm pasi mblodhi informacionin që i duhej, vendosi t’i hidhte në një disk të ri për t’i shpërndarë nën etiketën e “Hinter Record”, muzikë të vjetër shqiptare, e padëgjuar ndonjëherë. Është mbresëlënëse puna që ka bërë ai në mbledhjen e tyre, ku në disk përfshihet dhe një informacion historik, jo vetëm për muzikën por dhe për muzikantët apo këngëtarët që këndojnë. Miku i tij i vjetër, Robert Crumb mori përsipër të ilustronte albumin, duke bërë kërkimet e tij në arkiv, ku gjeti fotografinë e një bande muzikore nga Shkodra, e “stampuar” diku në vitet 1920 në Amerikë. Po kaq i pazakontë për Chris ishte përpunimi i muzikës që vinte nga instrumentet e luajtura në atë kohë, veçanërisht klarinetës, që tingëllonte jashtë regjistrave të zakonshme, të zhvendosura në një ritëm paksa joharmonik që kishte elemente edhe të vokalit iso-polifonik. “Ballafaqimi i teknikave të njohura por dhe të panjohura të kompozimit i jep kësaj muzike një dhunti të veçantë”, – thotë Chris në intervistën e tij. Dëgjimi dhe improvizimi në këngët tradicionale të dasmave ishte e vështirë për Chirs për të kuptuar logjikën e brendshme që mbante bashkë ato pjesë muzikore që përcillnin mister, shpirt dhe “injorancën” e asaj epoke. “Që nga momenti i parë që i dëgjova ato këngë e ndjeva se isha duke dëgjuar një formë të huaj muzike, por që ishte hipnotizuese, paksa drithëruese, e krijuar nga muzikantë tashmë të vdekur që kishin lënë pas një trashëgimi tërësisht shqiptare. E tillë ishte për mua edhe ideja që pata për ta hedhur në treg diskun titulluar ‘Mos i besoni fqinjit tuaj: Këngë të hershme tradicionale shqiptare dhe improvizime 1920-1930)’ që ka dalë në fund të vitit që shkoi nën siglën e Hinter Rekord”. Që nga momenti që ai zbuloi këto këngë e gjeti veten shpesh duke dëgjuar këtë muzikë, që edhe pse i tingëllonte si e huaj, e hipnotizonte, e çonte në një epokë tjetër, në një tingull të panjohur violine e klarinete, në ritme dhe zërat e veçantë të meshkujve dhe femrave që dukeshin sikur endeshin sa brenda dhe jashtë asaj muzike. “Pothuajse jashtë vullnetit tim, unë e gjej veten duke e dëgjuar atë muzikë pa pushim, sikur ata zëra misteriozë diçka duan të më thonë. Pas dhjetëra herëve që i kam dëgjuar ende nuk e kam kuptuar se çfarë përpiqen të më thonë ata zëra nga e kaluara, por unë do të vazhdoj përpjekjet e mia t’i deshifroj ato mesazhe hipnotike”. Chris ka si synim që të nxjerrë në dritë koleksionin e parë të plotë të muzikës shqiptare të viteve 1920-1930.



 

 

Disku titulluar “Don’t trust your neighbors: Early Albanian Traditional Songs & Improvisations1920s-1930” (Mos i besoni fqinjit tuaj: Këngë të hershme tradicionale shqiptare dhe improvizime 1920-1930) sapo ka dalë në tregun muzikor amerikan. I zbuluar në 2009-ën, ai u përpunua për 2 vjet nga muzikanti dhe producenti Chirs King. Ai ka përmbledhur 12 këngë të regjistruara në Amerikë aty rreth viteve 1920-1930, nga dy shoqëri diskografike të asaj kohe, “Victoria” dhe “Odeon”.

 

Disku me këngët shqiptare

   

Madame Hafize & Selim– Kusteka Mayrush

Riza Bylbyli– Taxim Mysequarçe

Riza Bylbyli– Kishin Uj Ata Burime

Riza Bylbyli– Osman Taka

Riza Bylbyli– Korba O Çeço

Kju Pora – Ke tre Urat për matanë

Riza Bylbyli– Me zuri Taksimi me Plakat

Madame Hafize & Selim– Sta Triya

Riza Bylbyli– Ja thoshte Bybyli

Folk Band– Valle Zylesh

Paulin Pali– Taksim Shoyptar

Kju Pora– O Moj Tin Qi Man Flori

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas