Kryesore, Mapo Format

Nisma befasuese në Durrës: Ish-nxënësit kthehen për të ndihmuar gjimnazin ku mësuan

Një grup maturantësh të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, me karriera të rëndësishme jashtë dhe brenda vendit,  kanë në plan krijimin e një klubi “Alumni” që do financojë nxënësit më të mirë të gjimnazit dhe po ashtu të ndihmojnë financiarisht shkollën.

Nga Gëzim Kabashi, BIRN



Ish-maturantë të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, financuan më 1500 euro ndërtimin e një mozaiku në hyrje të saj, blerjen e një kompjuteri ndërsa i dhuruan shkollës edhe një sasi të vogël parash.

Maturantët e vitit 1979 dhe të viteve të tjera,  u mblodhën në shkollë për të festuar 50-vjetorin e saj, por kushtet në të cilat ajo ndodhet kanë shtyrë një grup prej tyre të mendojë krijimin e një klubi “Alumni”, për të ndihmuar financiarisht ish-gjimnazin e tyre dhe ata që mësojnë aty tani.

Doranin Agalliu i cili organizoi festën bashkë me drejtuesit e shkollës pohon se po kërkojnë forma që të jenë gjatë gjithë vitit më afër shkollës së mesme, ku sot po mësojnë edhe një pjesë e fëmijëve të tyre. “Këto ditë po krijojmë një rrjet komunikimi në internet, me të cilin do ta njohim njeri tjetrin me të rejat e fundit nga shkolla, por edhe nga projektet e ngjashme në vende të ndryshme”, thotë Agalliu.

Disa nga ish-nxënësit, një pjesë e të cilëve jetojnë prej vitesh jashtë vendit dhe kanë njohur sukses personal në disa fusha, i thanë BIRN, se nostalgjia nuk mjaftonte dhe se ata mendonin që duhej të bënin më shumë për institucionin e dijes, në të cilin u formuan shumë vite më parë.

“Nuk mund të ketë një edukim normal, në klasa pa ngrohje, në një shkollë ku mungojnë laboratorët apo biblioteka-tha për BIRN Anila Hyka, maturante e vitit 1984 në shkollën “Gjergj Kastrioti”, e cila prej vitesh jeton jashtë dhe punon për kompaninë telefonike Orange në Francë.

Tani për tani ish-nxënësit e Maturës 1979, dhe viteve të tjera financuan realizimin e një mozaiku, vepër e një tjetër ish-maturanti të shkollës, Qazim Kërtusha, një simbol artistik që prej pak ditësh zbukuron hyrjen e shkollës 50-vjeçare. Po ashtu ata dhuruan një kompjuter dhe i dhanë shkollës 500 euro. Ndihma që u mblodhën në një kohë të shkurtër përmes njoftimit në rrjetet sociale.

Mbledhja më shumë se festimi i ndihmoi ata të kuptonin se shkolla ku kishin mësuar për katër vite kishte plot mangësi.  “Më duket edhe më e pafalshme gjendja e mjediseve, kur tre nga ish-nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Gjergj Kastrioti” kanë qenë kryebashkiakë në Durrës”, tha Hyka.

Të njëjtin mesazh dha për të rinjtë dhe për bashkënxënësit e tij edhe kërkuesi shkencor Edor Kabashi, i cili nuk mundi të vijë nga Parisi në ceremoninë e shkollës, ku mësoi në periudhën 1991-1995. “Kam bindjen se gjimnazi në të ardhmen do të japë bazat e një edukimi cilësor, pasi edukimi mbetet pasqyra e shoqërisë”-u tha Kabashi i ri në një videomesazh, moshatarëve të mbledhur në festën e shkollës. I shpallur për vitin 2016 shkencëtari më i mirë në botë në moshat e reja, 40-vjeçari durrsak ka ruajtur lidhjet me kolegët shqiptarë.

Profesori i ri, që përveçse drejton një grup shkencëtarësh në kërkim të trajtimit të Sklerozës Amiotrofike Laterale, punon në universitetin “Pier e Mari Kyri” në Paris e pëlqen idenë e një grupi të përhershëm në mbështetje të shkollës ku u rrit dhe edukua. “Vetëm nga ish-matura ime nëpër botë punojnë edhe shokë të tjerë: Oliver Kushova, inxhinjer në Gjermani apo Julian Tole, dentist në SHBA”-thotë Edori.

Mësuesi Bardhyl Ballanca tha se prej fillimit shkolla kishte nxjerrë nxënës që kishin shkëlqyer edhe në vende të tjera. “Që nga viti 1968 në shkollën tonë janë diplomuar afro 10 mijë maturantë”-shton Ballanca.

Ndër ta Eranda Çela është pedagoge e matematikës së aplikuar në Universitetin politeknik të Graz-it (Austri) që nga viti 1992. “Kishte cilësi të jashtëzakonshme dhe po aq vullnet. Megjithëse fitonte olimpiadat në shkallë rrethi, asnjëherë nuk e shpallnin si fituese. Një problem biografik ia hiqte të drejtën e paraqitjes në olimpiadat kombëtare”, thotë mësuesi Ballanca.

Një tjetër ish-nxënës është mjek kardiolog në Los Anxhelos. Gentian Lluri që prej katër vjetësh është zgjedhur nga kolegët si kryetar i Shoqatës së Mjekëve shqiptaro-amerikanë, ku President Nderi është Nobelisti shqiptar Ferid Murati.

Organizatorët e takimit i thanë BIRN se të gjithë këta ish-nxënës ishin gati për të ndihmuar shkollën e tyre. Madje Anila Hyka  thotë se është i domosdoshëm krijimi i një shoqate që mbledh fonde për shkollën, njëlloj siç bëjnë shumë bashkëmoshatarë nëpër botë. “Krijimi i Alumni-t, klubit të ish-nxënësve të shkollës në Shqipëri dhe në vende të tjera, krijon kushte për krijimin e një fondi në favor të shkollës”-thotë Hyka.

Fillimisht ata mendojnë  të financojnë studimet e një prej maturantëve më të mirë të shkollës, më pas edhe të realizojnë projekte të tjera me synim edukimin dhe kushtet më të mira të shkollimit.

“Në Paris ne kemi ngritur një organizëm të tillë që kujdeset për integrimin e grave dhe vajzave shqiptare në shoqërinë franceze. E kemi quajtur “Maisons de l’Albanie”, thotë Anila për përvojën e saj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas