Universitet

Nis sot aplikimi, 6 ditë afat për të zgjedhur universitetin…

Mijëra maturantë nisin sot aplikimin në universitete, hapin e parë dhe vendimtar për të ardhmen e tyre. Brenda gjashtë ditëve, deri në datën 4 gusht, ata duhet të plotësojnë Formularin A2, duke renditur dhjetë degët që do të dëshironin t’i ndiqnin në publik e privat.

Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet nuk do të ketë një kalendar datash për aplikimet sipas rretheve. Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në portalin U-Albania vetëm online përmes ID personale. Në këtë fazë, ekspertët e arsimit apelojnë vigjilencë të shtuar për shkak se asnjë gabim nuk mund të rikorrigjohet pas aplikimit.



Prej vitesh, me rëndësi nuk është më renditja e degëve, por përzgjedhja e të duhurave. Dëshira për të ndjekur një program të caktuar e kombinuar me mundësinë reale për ta fituar atë është përllogaritja që çdo i ri duhet të bëjë në kohë, përpara se të bëjë zgjedhjen e tij.

UDHËZIMI PËR APLIKIMIN

Për t’iu ardhur në ndihmë maturantëve, Ministria e Arsimit ka hartuar një manual shpjegues me hapat teknikë të aplikimit. Në faqen kryesore të U-Albania janë tetë ikona, prej të cilave kandidatët për në universitete duhet të ndalen tek e para “Aplikimi A2/A3”. Procedura vijon me logimin në sistem ku gjithsecili plotëson ID e maturës dhe numrin personal për t’u futur në hapësirën personale nga ku i shfaqen: seksioni i informacioneve personale, seksioni i faturës dhe ai i aplikimit.

E para ka rëndësi për memorizimin e numrit personal, ndërsa në të dytën mund të shkarkojnë faturën, pa të cilën nuk mund të vijojnë aplikimin. Nëse statusi është aktiv, çka nënkupton se pagesa është kryer, kandidati vazhdon procedurën duke klikuar mbi butonin e “Statusit”, pas të cilit shfaqen mundësitë e aplikimit bazuar mbi mesataren që ai zotëron. Për të nisur përzgjedhjen e dhjetë degëve, kandidati duhet të klikojë mbi butonin jeshil “Shto preferencë të re”, nga ku përzgjedh më parë universitetin e më pas programin e studimit deri në përmbushjen e dhjetë ose më pak degëve.

Në rast se nuk listohen në këtë moment në formularin A2, kandidati nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e atij universiteti, qoftë publik apo privat. Renditja e degëve nuk ka rëndësi. Në fund të procesit, pasi të jenë bindur për zgjedhjen që kanë bërë, klikimi mbi butonin “Ruaj preferencat”. Gjatë kësaj kohe, kandidatët kanë mundësi të ndryshojnë preferencat. Vetëm konfirmimi i kodit unik të faturës së aplikimit (të bërë që në krye të herës) mundëson përfundimin e procesit të aplikimit.

“Aplikimi A2 përfundoi me sukses!”, fjalia e jeshiltë në krye të dhjetë degëve të poshtërenditura shenjon hapin e parë të garës për të zënë një vend në universitet. Ndërkaq, ekziston mundësia e shkarkimit dhe printimit për ata që dëshirojnë të kenë një kopje të aplikimit. Për hapat e mëtejshëm të pranimeve, gazeta ka renditur disa data të rëndësishme bazuar në udhëzimin e Ministrisë për aplikimin dhe regjistrimet në universitete, për të tria raundet.

APLIKIMI SIPAS KRITERIT TË MESATARES:

• Për mesatare nën 6 –aplikim vetëm për programet 2-vjeçare

• Për mesatare mbi 6 dhe nën 7 – aplikimi në të gjitha programet e studimit me përjashtim të degëve të mësuesisë dhe programeve të Universitetit të Mjekësisë

• Për mesatare mbi 7 dhe nën 7.5 – aplikimi në të gjithë programet e studimit me përjashtim të programeve të Universitetit të Mjekësisë

• Për mesatare mbi 7.5 dhe nën 8.5 – aplikimi në të gjithë programet e studimit me përjashtim të programeve të Fakultetit të Mjekësisë

• Për mesatare mbi 8.5 – aplikimi në të gjitha programet e studimit

RAUNDI I PARE

30 korrik-04 gusht – aplikimi në U-Albania

Brenda datës 28 gusht dalin listat e fituesve

30 gusht-12 shtator 7 faza 48 orëshe dhe regjistrimi në sekretarinë e fakultetit fitues

13 shtator – e vetmja datë çregjistrimi

RAUNDI I DYTE

15 shtator-20 shtator aplikimi në portalin U-Albania

Brenda datës 25 shtator universitetet shpallin listat e fituesve

27 shtator-6 tetor bëhet regjistrimi në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës

07 tetor-datë çregjistrimi

RAUNDI I TRETE

09 tetor-13 tetor aplikimi për raundin e tretë në U-Albania

15 tetor-18 tetor aplikimi për maturantët jofitues

19 tetor-20 tetor regjistrim në sekretari.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas