Kryesore, Mapo Letrare

Nis nesër Panairi i Librit/ Bardhyli: UET-Press me tituj të rinj e më shumë letërsi shqipe

Stenda e UET PRESS me një sërë botimesh të reja në edicionin e 21 të Panairit të Librit. Mustafa Nano, Prec Zogaj, Vera Bekteshi, Mimoza Ahmeti, Alfred Peza, Ylli Pango, Kim Mehmeti, Maks Velo, Virgjil Muçi, etj janë autorët që do të jenë për autografe në stendë

Bisedoi: Gëzim Cako



Panairi i 21 i Librit shqip hap siparin nesër në orën 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Përgjatë katër ditëve pritet që qindra lexues të vizitojnë hapësirat ku ekspozohet libri shqip. UET PRESS do të ketë stendën e saj në këtë panair, e cila këtë vit vjen më e pasur në tituj e autorë. Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET PRESS na tregon më tepër më poshtë mbi të rejat e këtij panairi.

Nesër hap siparin edicioni i 21 i Panairit të Librit. Cilat janë sipas jush të rejat e këtij panairi?

Panairi i Librit është një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme të vitit, për vetë rëndësinë që libri ka në zhvillimin e shoqërisë, sidomos në etapat e sotme shoqërore. Me një traditë tashmë prej më shumë se dy dekadash, Panairi vjen si një hapësirë kulturore më e thelluar. Pas shifrave të ulëta të shitjeve me të cilët botuesit u përballën në Panairin e një viti më parë, duke treguar për herë të parë në historinë e këtij Panairi një situatë “shqetësuese” të librit, ky vit vjen me angazhimin e botuesve për të patur sa më shumë dashamirës të librit nëpër stenda, duke punuar për të pasur botime dhe autorë që do të tërheqin lexues. Motoja e këtij panairi përmbledh dhe shqetësimin prej vitesh me të cilën është përballur bota e librit, rënien e lexueshmërisë. Ndaj dhe organizatorët kanë vënë në fokus të këtij panairi lexueshmërinë, duke krijuar një sërë tryezash diskutimi që do të mbahen përgjatë 4 ditëve të këtij Panairi, që kanë lidhje me sfidën e leximit. Edukimi dhe krijimi i lexuesit të ri është një angazhim që ka përfshirë jo vetëm institucionet kulturore por dhe vetë botuesit. UET PRESS ditën e dytë të këtij Panairi do të organizojë tryezën e debatit me temë “Shkrimtari shqiptar, tregu-leximi-komunikimi” ku do të marrin pjesë personalitete të botës letrare në vend.

“Shkrimtari shqiptar, tregu-leximi-komunikimi”, çfarë do jetë në fokus të kësaj konference?

Në fokus të kësaj konference e cila do të përfshirë në debate kritikë, shkrimtarë, botues, përkthyes, personazhe nga bota e librit do të jetë figura e shkrimtarit shqiptar. Përgjatë këtyre viteve ne kemi folur për botime, rënie të lexuesit, përkthimet por nuk e kemi trajtuar autorin. Në historinë tonë mungon një model sesi duhet të jetë zhvillimi në etapa i autorit. Autorët shqiptarë kanë qenë këto vite në një raport gati konfliktual me botuesit. Duke u parë gjithnjë si parësor për vetë aksesin që kanë në treg autorët e huaj, autori shqiptar ka qenë pothuajse shumë pak në vëmendjen e botuesit, për të marrë gjithë vëmendjen që duhet të kishte në këtë raport. Vite më parë pjesa më e madhe e autorëve vuanin mungesën e kontratave apo shifra të ulëta tirazhesh për vetë mos vëmendjen që kanë dhe nga lexuesi. Edhe sot tirazhet e librave shqip shumë rrallë i kalojnë 500 kopje. Ka ardhur koha ti rikthejmë statusin e duhur autorit shqiptar, për ta futur atë në tregun e botimeve përmes formave që do ta bënin atë më tërheqës e të dashur për lexuesin. Mungesa e agjentëve letrar që do ta komunikonin këtë autor tek publiku, është një tjetër problem me të cilën haset letërsia shqipe. Në kohët bashkëkohore libri më shumë komunikohet, dhe pikërisht komunikimi është ajo çfarë i mungon kulturës sonë të botimeve. Shprehja që “libri i mirë e gjen vetë rrugën në treg”, i përket një filozofie të kaluar, sot libri i mirë duhet të komunikohet. UET PRESS, përmes kolanës së saj MapoEdion që ka në thelb mbështetjen e letërsisë shqipe, pasi është një kolanë që boton vetëm letërsi shqipe, prej vitesh ka nisur të japë një model të ri komunikimi përsa i përket autorëve shqiptarë. Duke vendosur autorin në qendër të një komunikimi intensiv me median, provokuar debate publike, apo biseda letrare, intervista apo analiza mbi librat në Suplementin Letrar Mapo ne kemi synuar ta bëjmë letërsinë shqipe protagoniste në qytet dhe të nxisim lexuesin drejt librit shqip.

Çfarë mund të na thoni për rëndësinë e librit gjatë viteve të fundit? A vazhdon publiku ta dojë atë?

Duhet pranuar që përballja me teknologjinë këto dekadat e fundit e ka “goditur” në një farë mënyre botën e librit. Megjithatë kjo betejë  nuk ka mundur të zbehë rëndësinë e librit në zhvillimin e njerëzimit. Ashtu si Umberto Eco thotë “libri do të jetë gjithmonë në modë, qoftë në letër apo dixhital”, dhe unë e besoj këtë duke parë dhe zhvillimet e reja që ndodhin në industrinë e botimeve në botë. Kriza e librit për të cilën është folur aq shumë në këto vite që nga shpikja e librit, vjen dhe si pasojë e një krize qytetërimesh apo identitetesh me të cilat bota vazhdon të përballet. Fakti që industria e librit po përsoset drejt zhvillimeve të reja tregon se e ardhmja nuk do të mund të na largojë nga botimi i librit në letër. Përsa i përket publikut ai vazhdon të jetë nën “tundimin” e përkohshëm të teknologjisë.

Cilat janë risitë dhe librat më interesant nga UET PRESS në këtë Panair?

Stenda e botimeve UET PRESS është një ndër stendat më të pasura , ku një lexues mund të gjejë gjithë gamën e librave që kërkon që nga botimet shkencore, historike, publicistike e deri tek letërsia e mirë. Kemi një rikthim në skenën letrare në këtë Panair të poetes Mimoza Ahmeti, por tashmë si shkrimtare me romanin “Tutori”. Një libër apolitik mbi raportin e individit me sistemin dhe kërkimin e përhershëm të dashurisë. Ahmeti na mëson si të mos heqim dorë nga iluzioni por në të njëjtën kohë mos ta kemi tutor. Në stendën tonë do të jetë dhe romani i parë i autores së re Eir Plasari “Bërthama”, (vajza e Ahmetit). Një prezantim i dy brezave që të kujton rastin e shkrimtares indiane Anita Desai dhe vajzës së saj fituese të Man Booker, Kiran Desai. Është interesante debutimi i parë në prozë i Plasarit e cila duket premtuese në këtë rrugëtim.

Në kuadër të kolanës së cilave që ne kemi për kujtesën sjellim në këtë Panair romanin autobiografik të Vera Bekteshit “Vila me tre porta”. Vajza e ish gjeneralit Sadik Bekteshi sjell me stil kujtimet e një kohe që nuk duhet harruar. Ish fizikante e një nga femrat më të bukura të Tiranës së atyre viteve, Bekteshi tregon sagën e trishtueshme të familjes Bekteshi pas dënimit të të atit, internimin dhe rikthimin në jetë pas viteve 90-të.

“Psikologji shqiptare” me autor Ylli Pangon është një tjetër botim i ri që ne sjellim në këtë panair. Pango autoritet në këtë fushë sjell për herë të parë një analizë të laboratorit psikiko-social të zhvillimeve të karakterit tonë si popull, duke nisur nga diktatura e deri tek tranzicioni i vonë.

Mustafa Nano rivjen me një libër të ri në këtë panair. “Provokatour” quhet libri i cili është një autointervistë e Nanos me vetëveten, duke prekur temat më të nxehta të historisë sonë.

Ne sjellim në këtë panair kolanën e plotë të publicistikës politike të Prec Zogajt, një kolanë që sjell vëzhgimin prej një dekade të ngjarjeve më të rëndësishme politike. Po kështu libri poetik “101 poezi dashurie” me autor Zogajn rivjen në këtë panair nën një botim më cilësor pas suksesit në panairin e vitit të kaluar. Botimi i dosjes së përndjekjes së Maks Velos në librin me titull “Jeta paralele” është një tjetër libër që s’duhet humbur në stendën tonë. Është hera e parë në historinë e vendeve që jetuan komunizmin që botohet dosja e plotë e përndjekjes së një artisti nga Sigurimi i Shtetit. “Zëra nga errësira” i gazetares Eni Vasili është një tjetër libër tronditës me intervista me protagonistë të kampeve komuniste, që do ta gjeni në stendën tonë.

Ndër librat e rinj të botuar përgjatë këtij viti janë romani “Pusi” me autor Kim Mehmetin, “Piramida e shpirtrave” Virgjil Muçi,

Por duke menduar gjithnjë se një libër i mirë nuk ka kohë do doja të risjellja në vëmendjen e lexuesve dhe libra të tjerë të mirë që janë në stendën tonë si romanet e Ben Blushit, romani “Sarah” i Alfred Pezës, biografitë “Enver Hoxha” dhe “Ahmet Zogu” të Blendi Fevziut, librat e Ilir Ikonomit,  “Kadare dhe regjimi komunist” me autor Dashnor Kalocin, “Autonomia e krizës financiare” Adrian Civici, etj.

UET PRESS është një ndër botuesit më aktivë. Çdo të premte ju prezantoni një libër të ri për lexuesin?

UET PRESS është një ndër botuesit më me ndikim në jetën publike në vend, duke e bërë librin si një instrument të rëndësishëm të zhvillimit të jetës kulturore, sociale apo politike në vend. Botimet tona në çdo fushë, janë bërë shpesh pjesë e debateve publike, çka është dhe qëllimi i një botimi, të përçohet tek lexuesi ose publiku. Stafi ynë dhe bashkëpunëtorët që na janë bashkuar në këtë mision bëjnë një punë titanike dhe tepër serioze për të ndërtuar çdo të premte një ngjarje kulturore. Duke e parë libri si një komunikim, përmes hapësirës ku e promovojmë ne e shohim komunikimin e tij si tepër të rëndësishëm për një shoqëri në zhvillim si e jona.

Në këto 10 vite UET PRESS ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në botimin e librit shkencor duke krijuar tashmë një bibliotekë të denjë universitare, e në të njëjtën kohë duke mbështetur autorët shqiptarë, pasi pjesa më e madhe e botimeve tona janë të autorëve shqiptarë.

Cili është një nga librat që do të jetë pjesëmarrës në Panair që jua sugjeroni publikut?

“Kur grinden titanët” nga Ismail Kadare është një nga librat që s’duhen humbur në këtë Panair. Rikthimi i Kadaresë me një vepër ku analizon raportin delikat që kanë pasur shkrimtarët me sunduesit siç është rasti i Pastërnakut me Stalinin është një ngjarje jo vetëm për kulturën tonë por edhe për atë botërore.

Në këtë Panair ka një rikthim të disa emrave të njohur të letrave shqipe dhe kjo është diçka pozitive për zhvillimet letrare në vend. Shkrimtarja Diana Culi vjen me një roman të ri “Vrasje në kryeministri”, Mehmet Kraja, Mira Meksi, Flutura Açka, Agron Tufa, Vrion Graci, Azem Deliu, Zija Çela, Besnik Mustafaj etj. do të kenë libër të ri në këtë panair e janë rekomandime për lexim.

Do sugjeroja të blinin sa më shumë autorët shqiptarë.

Ndonjë këshillë e juaja për gjithë lexuesit e rinj?

Asnjë pasion tjetër nuk do to të ketë më shumë ndikim në jetën tuaj sesa leximi i librave. Përmirësoheni jetën tuaj duke e bërë tuajën këtë pasion.

Cilat mendoni se janë 5 librat më të mirë të vitit që po lëmë pas?

Do veçoja 5 libra nga UET PRESS e cila përgjatë këtij viti ka sjellë libra që do të mbeten gjatë në historinë tonë letrare, e bindur se ky vit ka sjellë botime cilësore dhe nga entet e tjera botuese. Do ta nisja me përmbledhjen me tregime “Përkthyesi” me autor Maks Velon, romanin “Sarah” nga Alfred Peza, “Piramida e shpirtrave” me autor Virgjil Muçin fitues i çmimit Kadare 2018, “Libri i lumturisë”, përmbledhje me poezi nga Mimoza Ahmeti dhe “In Love” përmbledhja me 101 poezi dashurie nga Prec Zogaj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas