Kryesore

Nikolla: Sistemi arsimor, fokusim tek aftësimi për punësim

Ministria e Arsimit tha dje se reforma e arsimit të lartë është një hap i domosdoshëm për të mundësuar aftësimin e të rinjve në atë që i pret nesër në tregun e punës

Lindita NikollaNë Shqipëri ka shumë të rinj me diploma universiteti në xhep, që nuk janë të punësuar në fushën për të cilën kanë studiuar. Këtë shqetësim ngriti dje edhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, duke e parë këtë problem si pjesë të reformës së Arsimit të Lartë. Sipas saj, Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri duhet të fokusohen tek aftësimi i të rinjve për tregun e punës. Duke folur në konferencën e parë që organizohet në Shqipëri në kuadër të projektit “Pacinno” në fushën e Inovacionit, zonja Nikolla tha se Institucionet e Arsimit të Lartë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kurrikulave të duhura në mbështetjen dhe inkurajimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e iniciativave sipërmarrëse dhe që nxisin inovacionin. “Gjithashtu, i gjithë sistemi arsimor duhet të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit, si dhe tek krijimi i mundësive me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë arsye, ndërhyrjet në sistemin parauniversitar si dhe gjithë reforma e arsimit të lartë janë një hap i domosdoshëm për të mundësuar aftësimin e të rinjve në atë që i pret nesër në tregun e punës”, deklaroi ajo gjatë fjalës së saj.



Në këtë kuadër, sipas ministres Nikolla “reforma e arsimit të lartë do të mundësojë jo vetëm krijimin e hapësirave të nevojshme, por gjithashtu do të nxisë universitetet që të jenë në vijën e parë të stimulimit të politikëbërjes drejt fushave me rëndësi prioritare në zhvillimin e vendit”. Gjithashtu, numri një i dikasterit të Arsimit tha se universitetet duhet të jenë vendet ku zhvillohet kërkimi shkencor në mënyrë që të aftësohen brezat e ardhshëm. “Është e qartë se universiteti që ne duam, duhet dhe do të jetë epiqendra e zhvillimit ekonomik të vendit, jo vetëm si protagonist në edukimin e brezave nëpërmjet aftësimit, por dhe si epiqendra e inovacionit dhe kërkimit shkencor me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e strategjik të vendit”, – theksoi ajo gjatë fjalës së saj.

Duke marrë shkas nga konferenca e organizuara nga Universiteti i Tiranës për projektin “Pacinno”, ministria e Arsimit tha se kjo konferencë mund  të japë një vështrim të përgjithshëm mbi gjendjen e inovacionit në Shqipëri, përdorimit të teknologjisë nga bizneset, mundësisë së shfrytëzimit të potencialeve, si dhe mbështetjen që mund të japin.

“Nxjerrja në pah e problematikave dhe sfidave me të cilat  përballet vendi ynë në këtë fushë dhe hapat konkretë që po ndërmerren nga institucionet përkatëse janë elementë të rëndësishëm të përmirësimit që mund të bëhet në fushën e Inovacionit. Më vjen mirë që me këtë projekt, Universiteti i Tiranës do të mund të asistojë dhe trajnojë nëpërmjet aktiviteteve që do të organizohen nga grupe të ndryshme interesi si: kërkues, biznese, start-up të rinj etj.” Duke pasur parasysh se “Pacinno” është një projekt i financuar nga Komisioni Europian, ministrja Nikolla tha se është me rëndësi që institucionet akademike të angazhohen në projekte kërkimore për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, për krijimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve me institucione akademike në nivel rajoni dhe më gjerë, si dhe për nxitjen e universiteteve për t’u aktivizuar në më shumë projekte të financuara nga programe të Bashkimit Europian.

“Bashkëpunimi i institucioneve kërkimore, i politikëbërësve dhe i bizneseve, në mënyrë që të zhvillohen ura të reja bashkëpunimi mes sipërmarrjes së lirë dhe veprimtarisë shkencore të institucioneve akademike me referencë të veçantë për nevojat teknologjike të SME-ve është një domosdoshmëri”, theksoi ajo.

Në konferencën “Innovation in Albania / Challenges & Opportunities”, organizuar dje nga Universiteti i Tiranës në kuadër të projektit “Pacinno”, në ‘Hotel Tirana’ u nënvizua roli i inovacionit në zhvillimin ekonomik.  Në konferencën e parë në këtë kuadër, morën pjesë përfaqësues nga 8 vende të Adriatikut, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Nikolin Jaka.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka tha se “duke qenë se Shqipëria ka një popullsi të re, mbetet i domosdoshëm edukimi, në mënyrë që të mund të forcojmë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas