Op Ed

Ngastrat shkatërruese të 7501-shit përballë investitorëve strategjikë!

Nga Ermal Telha

Bregdeti ynë është aseti ndoshta më i keqpërdorur në 27 vite të sistemit kapitalist. Ligji i famshëm 7501 e ka ndarë tokën në ngastra, duke shkaktuar në mënyrë direkte eliminimin e mundësisë për të organizuar aktivitet efikas mbi këtë tokë. Kjo ndarje krijoi shumë posedues me ngastra toke, që nuk të japin mundësi për kapacitete të mëdha. Ky ligj krijoi jo vetëm problem të mosfunksionimit të sektorit bujqësor, por u kthye edhe në shkak konflikti të fqinjësisë mes pronarësh të rinj. Të njëjtin efekt negativ shkaktoi ky ligj edhe me dhënien e ngastrave në bregdet, që në atë mënyrë si u shpërndanë, nuk ofrojnë asnjë mundësi për zhvillim të konsoliduar në të ardhmen. Fakti është kokëfortë tashmë, si zonat me potencial të lartë bujqësor, ashtu edhe ato me potencial të lartë turistik bregdetar, mbetën të pazhvilluara.



Problematikat e ligjit famëkeq 7501 janë të shtrira në gjithë territorin e Shqipërisë, por sikundër po veprohet, diku duhet të nisë veprimi për rregullimin e situatës. Në gjykimin tim, ky veprim edhe pse i vonuar, duhet përshëndetur që erdhi në këtë moment. Turizmi, sidomos ai bregdetar, është identifikues për ne në sytë e ndërkombëtarëve, për natyrën e bukur që na ka falur Zoti, por fatkeqësisht edhe për kapacitetet e ulëta të shërbimit dhe akomodimit. Kjo qasje e re po nis me pezullimin e përkohshëm të dhënies së titujve të pronësisë. Pas saj duhet të kalojë patjetër në një sitë se si është përfituar kjo tokë nga poseduesit aktualë për t’u vendosur e drejta në vend një herë e mirë.

Bregdeti, në jo pak hapësirë është zaptuar nga “të fortët” dhe pandëshkueshmëria i ka lejuar t’i shndërrojnë këto hapësira në katastrofa urbanistike, estetike dhe funksionale. Ky mentalitet duhet të çrrënjoset menjëherë. Turizmi është interes publik për të gjithë shqiptarët, është në të mirën e të gjithëve ne si qytetarë që investitorët strategjikë të trajtohen me përparësi, pasi vetëm në këtë mënyrë ne mund të kemi turizmin që ëndërrojmë, por nuk e kemi; turizmin që e shohim me ëndje përtej kufijve tanë dhe nuk e kemi realizuar dot në vendin tonë; turizmin që mund të na e ofrojnë vetëm emrat e konsoliduar të sektorit, të cilët nuk mund të investojmë nëse nuk jepet garanci institucionale.

Shembull konkret është Mali i Zi. Vetëm në 10 vitet e fundit ka thithur mbi 3 miliardë euro investime në turizëm. Turqia, gjithashtu, i ka trajtuar me status të veçantë investitorët strategjikë, duke i favorizuar jo vetëm me sistemin fiskal, por edhe duke u ofruar tokën pa pagesë në përdorim në funksion të investimit. Investimet strategjike, nëse nuk trajtohen me një status të veçantë, do të katandisen më keq se zonat e lira ekonomike, që edhe sot e kësaj dite kanë dështuar në aplikimin konkret të tyre.

Ligji që favorizon investitorët e huaj daton në Shqipëri që në vitet ‘90, tani thjesht është zgjeruar hapësira e veprimit, duke përfshirë edhe investitorët potencialë vendas, madje në gjykimin tim, investitorët strategjikë vendas duhet të jenë më prioritarët, pasi kështu ndihmojmë ekonominë vendase. Domosdoshmëria e investimeve të kësaj natyre duhet ta gjejë zgjidhjen te garancia shtetërore, ku të njihen dhe të mbrohen investitorët potencialë, pavarësisht se nga vijnë. Performanca ekonomike nuk varet dhe nuk duhet kurrsesi të varet nga përkatësia gjeografike, por nga potenciali financiar.

Kultura e të bërit biznes, sidomos në fushën e turizmit në Shqipëri, është e pakët ose mungon totalisht në shumë raste. Ne i kemi të gjitha mundësitë të shndërrohemi në zgjedhje të parë për turizmin elitar, pa diskutim edhe të përmirësohemi shumë në atë mesatar e familjar.

Nuk jemi të parët, por ndoshta jemi ndër të fundit që po favorizojmë ardhjen e emrave të njohur të hotelerisë botërore, kontributi i të cilëve do na bëjë më shpejt të njohur në sytë e një grupi turistësh, të cilët nuk i thithim dot me kushtet aktuale. Mali i Zi, Kroacia dhe Greqia janë shumë vite para nesh në këtë drejtim dhe sot i njeh gjithë bota edhe për këtë standard. Të gjithë jemi dëshmitarë që, shumë shqiptarë në gjendje ekonomike të favorshme shfrytëzojnë resortet e panumërta të vendeve të mësipërm e sidomos të Turqisë, e cila është kthyer në magnet turistësh nga e gjithë bota, jo për shkak se e ka detin apo pozitën gjeografike më të mirë se ne, por për shkak të investimeve që janë kryer.

Në aspektin ekonomik, përfitimet janë të gjithanshme, duke filluar nga qarkullimi financiar, punësimi i shtuar si gjatë periudhës së investimit, ashtu edhe gjatë funksionimit, thithja e turistëve elitarë që deri tani ose kanë qenë sporadikë, ose s’kanë qenë të pranishëm fare. Kështu, mundësitë e thithjes së investimeve për porte jahtesh, infrastrukturë të shtuar në funksion të zhvillimit turistik apo marketim në hapësirën ndërkombëtare, shtohen në favorin tonë.

Jemi të vonuar, por jam shpresëplotë që kjo nisje e mirë, shumë shpejt do ndryshojë faqen e historisë së turizmit shqiptar.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas