Kryesore

Nga erotizmi tek abuzimi seksual, Ornela Vorpsi në një rrëfim ndryshe për jetën personale

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” i Ornela Vorpsit (Dalkey Archive 2009) është një nga romanet më të mira postkomuniste. Romani, i cili u botua fillimisht në italisht në vitin 2003, hulumton traumat e autoritarizmit, patriarkatit tej seksualizues dhe dhunës në shumë forma, duke ofruar një pamje të gjallë dhe poetike në kujtesën individuale dhe kolektive, migracionin/mërgimin dhe kuptimin e artit dhe letërsisë. Vorpsi, e lindur në Tiranë, në Shqipëri më 1968, emigroi në Itali kur ishte 22 vjeçe.

Jetoi në Milano për gjashtë vjet përpara se të vendosej në Paris, ku banon aktualisht. Që nga debutimi i saj i mrekullueshëm me “Vendi ku nuk vdiset kurrë”, ajo ka botuar libra të shumtë në italisht dhe frëngjisht, përfshirë “La mano che non mordi” (2007) dhe “Tu convoiteras” (2014). Përveç shkrimit, Vorpsi punon si artiste pamore, kryesisht si piktore dhe fotografe. Jam mirënjohës që kam pasur rastin të rishqyrtoj “Vendin ku nuk vdiset kurrë” me Vorpsin, pas 15 vjetësh që nga publikimi i tij i parë.



Duke pasur parasysh rritjen së fundi të politikës autoritare dhe joliberale – dhe kulturën që e mbështet atë – rëndësia e romanit në jetën bashkëkohore veçse është rritur.

Do kisha dashur të dëgjoja mbi procesin e shkrimit të “Vendi ku nuk vdiset kurrë”. Ai mund të lexohet edhe si roman, por edhe si përmbledhje pjesësh të shkurtra në prozë. Është botuar fillimisht në italisht, por rrënjët e tij janë thellë në ndjeshmërinë shqiptare. Është një libër i drejtpërdrejtë, i treguar me një distancë satirike ose ironike. Si do ta përshkruanit mënyrën se si u ngjiz ky libër?

Isha vendosur në Francë kur nisa të shkruaj këtë libër. I shkruari erdhi tek unë. Isha duke u endur pa qëllime dhe në trazirë në lidhje me artin bashkëkohor, sepse doja të pikturoja, por pikërisht në atë kohë piktura konsiderohej si jashtë mode. Dhe isha pikërisht në këtë gjendje të vrerosur, kur një ditë u ula në një bar dhe shkrova një tregim të shkurtër. Gjuha dukej qartë-italiane. Kapem pas këtyre fragmenteve që po shkruaja, pa e ditur se çfarë do të bëja. Unë kurrë nuk kisha ëndërruar të bëhesha një shkrimtare, ndërsa doja të bëhesha piktore.

Pra, u mbërtheva pas tyre, me këmbëngulje dhe dëshpërim, sikur justifikoja ekzistencën time, edhe pse ekzistenca nuk ka nevojë të justifikohet; ajo është e mjaftueshme në vetvete. Por humnerat brenda meje më nxitën të “prodhoja”. Kështu u krijua ky libër. Në një gjendje të përhumbur, duke gjetur rrugën time. Sigurisht, Shqipëria ishte e pranishme. Por më digjte shpirtin aq shumë, sa u detyrova, pa vetëdije, të shprehesha në një gjuhë të huaj, një gjuhë të çliruar nga fëmijëria.

Ky libër erdhi si në gjuhën e fragmenteve të pikturës. Kam marrë një kënaqësi të veçantë në lidhjen e fragmenteve si një lloj libri në copëza (puzzle), që mund ta lexosh si një roman, por gjithashtu si novela të mëvetësishme. Mendoj se ky shpirt lojcak dhe jo kronologjik vjen nga shkollimi im në artet e bukura.

Sjelljet e trupit përvijohen në “Vendin ku nuk vdiset kurrë”, sidomos sjelljet e trupit femëror, përfshirë edhe zbukurimin e tij. Një sjellje e ngjashme seksuale është parë edhe në veprat e shkrimtarëve të tjerë postkomunistë, si Herta Müller.

Si ju duket kjo sjellje në krahasim me atë në Europën Perëndimore – në Itali dhe Francë, për shembull? A mendoni se ka mënyra të të menduarit mbi seksualitetin dhe pushtetin, të përshkruara në veprën tuaj, që ju si femër vazhdoni t’i përballni, ngacmime dhe abuzime seksuale tashmë të përhapura dhe gjithnjë e më tepër të bëra publike?

Janë vende shumë të ndryshme dhe periudha shumë të ndryshme. Është e vështirë të përmbledhësh këto pyetje të mëdha “siç duhet”. Në Itali gjeta ngjashmëri me erotizmin shqiptar. Do ta vë atë në ato pozita. Këta janë dy popuj mesdhetarë, jo shumë larg gjeografikisht dhe dy popuj me një prirje patriarkale. Kjo është me përjashtim të Italisë jugore, ku figura e gruas si nënë, (por si një nënë e moshuar dhe jo një grua), e bën atë një shenjtore; atje ju gjeni veten në një fushë pothuajse matriarkale.

Unë mendoj se një bërthamë, diçka e ngjashme me atë që quhet në anglisht “abuzimi seksual dhe ngacmimi” është gjetur kudo në botë; siç thonë italianët në mënyrë të përshtatshme: Tutto il mondo è paese (E gjithë bota është një fshat). Ka nuanca të ndryshme, varësisht nga zakonet dhe historia që kanë formuar vendet. Por unë kam parë dhe dëgjuar tregime të pabesueshme dhe mizore në të tre vendet ku kam jetuar. Është një subjekt i madh.ornela-vorpsi3

Në një kapitull të romanit, rrëfimtari dëshiron të bëhet piktor, një artist, mbi varrin e një dervishi mistik. Cili është formimi juaj në artet pamore në Shqipëri, në Itali? Cili ishte edukimi që keni marrë në Shqipëri? Më pëlqen ky moment te varri. A mund të na tregoni më shumë mbi këtë skenë?

Ishte shumë e vështirë të hyje në shkollën e Artit në Tiranë. Konkursi i hyrjes ishte shumë i vështirë. Të rinjtë vinin nga e gjithë Shqipëria dhe kishte vetëm rreth njëzet vende për ata që do të fitonin. Për njëzet të përzgjedhur, ka pasur disiplina të ndryshme: dizajn, tekstil, skulpturë dhe pikturë. Metodat e mësimdhënies ishin importuar nga Bashkimi Sovjetik. Ne u përgatitëm në pikturë figurative për të prodhuar “realizmin socialist”. Arti varej nga ideologjia në pushtet.

Njohuritë tona për zhvillimet jashtë vendit u ndalën para impresionistëve. Në krijimtarinë tonë artistike duhej t’i këndonim lavde jetës sonë të lumtur, heronjve tanë, atdheut dhe komandantit Enver Hoxha. Ne u shastisëm nga ky art që synonte dhe ishte e detyruar të na edukonte. Sa i takon momentit në varr: Isha në një stërvitje ushtarake, e cila ishte një pjesë e detyrueshme e edukimit tonë; ne duhej të ishim të përgatitur në rast se vendi pushtohej.

Nuk e di se si, por kishim “dezertuar”, për të shkuar udhë e pa udhë. Ne donim vetëm të ishim të lirë për disa orë ndoshta. Kështu ngecëm një varrezë fshati, një varrezë me të vërtetë e vogël. Gruaja që po pastronte në varreza na tregoi për varrin e dervishit. Jo më shumë për besimin, por për të mos humbur një mundësi – për çfarë di unë për misterin që krijon jetën! – si një agnostik i mirë me një edukim ateist, hasa misterin që e krijon botën dhe putha varrin e dervishit, duke kërkuar të pranohem në Akademi në Tiranë. Ai i pranoi dëshirat e mia! Por ndjeva një terror të tillë kur u përballa me fytyrën e tij të butë dhe buzëqeshjen enigmatike!

Si mendoni se formimi në artet pamore ndikon në shkrimtarinë tuaj? Dhe si marrëdhënia mes letërsisë dhe artit vizual është zhvendosur në praktikë me kalimin e kohës? Për shembull, në roman dhe në shumë nga veprat tuaja (foto, piktura) ju jeni të përqendruar te trupi – por me sa duket në mënyra të ndryshme. A mund të reflektoni pak për këtë aspekt?

Mendoj se jam formuar nga edukimi që piktura më ofroi. Këtu vjen dashuria ime për fragmentaren. Piktura është një përbërje që thyen kohën për të qëndruar thjesht në të tashmen. Rrëfehem se kam probleme me kronologjinë – rrjedhën e kohës – një proces që kërkon rrëfimi. Më pëlqen të shpërbëj kohët e foljeve (e kaluara – e ardhmja) dhe kohët që përdor në rrëfimet e mia janë shpesh emocionale që nuk janë të shkruara në logjikën e kohës që përgjithësisht respektojmë – kohët e mia janë të pasakta. Kjo i ka ngatërruar disi botuesit e mi, të cilët përpiqen të vënë librin në një mënyrë logjike të zakonshme. Ndonjëherë duhet t’u bindem dëshirave të tyre, sepse, mesa duket, përdor kohë që janë kaq subjektive saqë i ngatërrojnë njerëzit e tjerë.

Në “Vendi ku nuk vdiset kurrë”, zëri i rrëfimtarit ndryshon nga historia në histori, ashtu si dhe emri i personazhit kryesor. Mund të thoni diçka në lidhje me zhvillimin dhe/ ose krijimin e identitetit duke bërë këtë? A mund të reflektoni pak mbi mënyrën se si identiteti u formua gjatë periudhës komuniste dhe pastaj se si u reformua apo riformulua në vitet që pasuan?

Dëshiroja që historia shqiptare, që do të rrëfeja, t’u përkiste personazheve të ndryshëm. Si një lloj ndershmërie që i detyrohem përvojës së përjetuar, përmes së cilës kemi kaluar. Nuk ishte e mjaftueshme për mua që ta rrëfeja historinë e vetëm një figure femërore, sepse unë po tregoj histori që një popull i tërë i ka jetuar. Pastaj ishte edhe kënaqësia e ngatërrimit të gjurmëve. Janë disa personazhe femra që mund t’i bënin njerëzit të besonin se ishte një figurë e vetme që ndryshonte emrin e saj. Mendoj se ky kompozim gjithmonë ka të bëjë diçka me formimin tim si piktore.

Do të isha shumë i interesuar të dija pak më shumë mbi rrugën tuaj nga Tirana në Paris. Çfarë do të identifikonit si disa momente kyçe në këtë zhvendosje, veçanërisht kur lidhet me praktikën tuaj artistike dhe letrare?

Sa i takon momenteve kyçe, do të përmendja përballjen me artin bashkëkohor në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano; Takimin me nocionin e pronës private, i cili ishte një takim shumë i dhunshëm, sepse ishte një nocion i panjohur para se të largohesha nga vendi im; Përballja me kapitalizmin në përgjithësi; Gjuhë të reja të huaja, të cilat më ofruan strehë; Përballja me lirinë në një formë tjetër, në një formë edhe më të tmerrshme sesa ajo që kisha njohur më parë. Në Shqipëri, lëvizje brenda kornizave të ndërtuara nga shteti. Në Itali, në Francë dhe gjetkë, një shqiptar që kishte ikur nga vendi i tij ishte jashtë kësaj kornize. Duhej ta zbuste këtë liri që nuk e njihte. Këto ishin takime që shkaktuan tërmete brenda meje. Duhej të “rindërtoja” veten mbi këto përmasa të tjera të jetës që sapo kisha hasur. Nuk dola e paprekur. Por, a mund të dalë ndokush ndonjëherë i paprekur nga jeta?

Në roman, nënat dhe baballarët përvijohen gjerësisht. Si është e mundur të rindërtohet familja (apo ideja e familjes), duke përjetuar ose dëshmuar një lëkundje të tillë të lidhjeve familjare – apo edhe kriza tërësore e bashkimit familjar? Apo është një rindërtim i domosdoshëm apo edhe i dëshirueshëm?

Marrëdhënia midis nënës dhe vajzës është veçanërisht goditëse në roman. A mund të tregoni më shumë mbi mënyrën se si kjo marrëdhënie qendrore ose thelbësore ndikon në punën tuaj si shkrimtare dhe artiste?

Unë rrëfej historinë e një nëne dhe të fëmijës së influencuar nga “edukimi” i Nënës Parti që është në pushtet. Kjo Nënë Parti i ka burgosur bashkëshortin kësaj gruaje, i cili është gjithashtu babai i vajzës së vogël – personazh në libër. Jeta e tyre ndryshon plotësisht. Ato e gjejnë veten në margjinat e shoqërisë shqiptare, të dënuara nga ana tjetër, sepse janë të afërme të një të burgosuri politik. Marrëdhënia nënë-bijë i nënshtrohet kësaj drame. Nëna nuk është më në gjendje të jetë një nënë ajo është në prag të çmendurisë. Nëse është e dëshirueshme ose e nevojshme për të rindërtuar veten – unë mendoj se përgjigja është shumë subjektive. Figura e nënës është shumë e pranishme në shkrimet e mia. Shpesh pyes veten: A mund të jetë çdo grua një nënë? Një nënë ka fuqi të jashtëzakonshme mbi një fëmijë. Ndërsa ajo e do, ajo gjithashtu mund ta vrasë atë.

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” evokon rëndësinë dhe dashurinë për letërsinë. Vajza e historive lexon shumë, zhyt veten në libra dhe në një histori shkëmben edhe sendet me vlerë të nënës së saj me libra të vjedhur nga një mësues.

A e pasqyron kjo nevojë për letërsi përvojën tuaj personale me librat? Nëse po, cilat ishin disa nga përvojat kryesore të leximit që keni pasur në fëmijëri, rini, apo e rritur?

Ndoshta po, kjo nevojë për letërsi pasqyron mendimin tim dhe nevojat e mia në një masë të madhe, por duhet të theksoj se librat ishin pothuajse e vetmja rrugë arratisjeje nga izolimi ynë. Unë me siguri mund të them se jeta ime shqiptare ushqehej nga klasikët, kryesisht klasikët rusë dhe francezë. Letërsia u censurua, por kishte ende libra të mrekullueshëm për të lexuar: Turgeniev, Çehov, Tolstoi, Majakovski, Gi de Mopasan, Stendal, Balzak. Kur isha 16 vjeç jam prekur nga Didëroi dhe Pirandelo po ashtu. Amerikanë? Mbaj mend vetëm Teodor Drajzer.

Në kontekstin çek ose polak, për shembull, një lloj miti heroik i kulturës disidente u shfaq për t’i dhënë formë kujtesës kolektive të epokës komuniste. Si mendojnë shqiptarët në lidhje me të kaluarën komuniste në këtë pikë? A ka heronj? Batakçinj? Me fjalë të tjera, a u shfaq një kujtesë kolektive, edhe nëse (thellësisht) problematike dhe/ose imagjinare?

Shqiptarët, sipas mendimit tim modest, nuk mendojnë se janë heronj apo horra. Ky është një popull që ka ruajtur vetëdijen e ashpërsisë dhe absurditetin e periudhës komuniste. Sot, ata po përpiqen të rimarrin veten në çdo aspekt. I gjeta të enden dhe të punonin. Shumë të pasur dhe shumë të varfër, nuk ka klasë të mesme, ende nuk është krijuar. Ka shumë pak artistë, shkrimtarë dhe regjisorë shqiptarë që kanë punuar mbi këtë përvojë të jetuar gjatë këtij regjimi çnjerëzor.

Cilat janë projektet tuaja më të afërta dhe planifikoni të botoni vepra të tjera letrare në gjuhën angleze?

Nuk mund ta parashikoj kursin që mund të marrë puna ime. Që nga momenti që lë shtëpinë, jeta ka rrjedhën e vet dhe është e pakontrollueshme. Sa për botimin në anglisht, mendoj se botuesit sot janë më të ndërgjegjshëm se kurrë për shifrat e shitjeve. Edhe përkthimet e mëtejshme në gjuhën angleze varen nga kjo. Këtë herë kam shkruar një libër në frëngjisht, “Tu convoiteras”. Është një libër shqetësues, përçarës, sepse ngre shumë pyetje që përpiqemi t’i shmangemi. Nuk është një libër që të bën të ëndërrosh apo ju frenon në rrugën e drejtë. Prandaj është e vështirë të shitet dhe do të shtoja se është një libër që është politikisht jo korrekt për një vend si SHBA, i cili ka një imazh ndonjëherë edhe puritan. Sot përpiqem të punoj me ndjenjën se po bëj vrimë në ujë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas