Aktualitet

Nga 11 janari, gjobat e reja për drejtuesit e automjeteve

Duke nisur nga java e ardhshme, drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen më të kujdesshëm në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Nga data 11 janar fillon zbatimi i Kodit të ri Rrugor, i miratuar konsensualisht në Kuvend pak javë më parë. Në Kodin e ri parashikohet një ashpërsim i penalizimeve për ata që shkelin rregullat e qarkullimit.  Sipas ndryshimeve në Kodin Rrugor, në rast se një drejtues automjeti tejkalon shpejtësinë e parashikuar me 10 kilometra në orë, atëherë ai do të detyrohet të paguajë një gjobë që varion nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë. Në rast se tejkalimi i shpejtësisë do të jetë nga 10 kilometra deri në 20 kilometra, atëherë gjoba parashikohet të jetë në vlerën nga 2 deri në 6 mijë lekë. Kur tejkalimi i shpejtësisë është mbi 20 kilometra, atëherë gjoba parashikohet të jetë në një vlerë që varion nga 5 mijë deri në 15 mijë apo edhe pezullim të lejes së drejtimit të automjetit. Po ashtu penalizimi është ashpërsuar edhe për ata zotërues automjetesh, të cilët ia japin automjetin për drejtim një personi pa leje drejtimi. Për raste të tilla parashikohet penalizim në një vlerë që varion nga 25 mijë deri në 100 000 lekë, apo edhe pezullim të patentës për 1 vit. Me ndryshimet e reja ligjore, drejtuesit e automjeteve do të duhet të mendohen dy herë para se të ngasin automjetin kur kanë konsumuar alkool. Kodi parashikon që, për ata që do të rezultojnë si përdorues alkooli gjatë kontrolleve nga forcat e qarkullimit, atëherë penalizimi varion nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë gjobë dhe që përshkallëzohet deri në pezullimin e lejes së drejtimit për një vit. Ndryshimet e reja parashikojnë gjoba nga 1 deri në 3 mijë lekë për ata drejtues automjetesh që nuk respektojnë sinjalet e policisë, bëjnë parakalim të gabuar apo japin sinjale të gabuara në momentin kur drejtojnë automjetin. Ndërsa për ata të cilët drejtojnë automjetin pa mbajtur rripin e sigurimit, penalizimi varion nga 500 deri në 1500 lekë. Po ashtu, Kodi i ri Rrugor parashikon edhe një ndryshim që pritet të diktojë një ngjarje më të kujdesshme të automjetit. Pas 18 muajsh, lejet e drejtimit do të jenë me sistem pikësh. Çdo drejtues automjeti do të zotërojë në lejen e tij të drejtimit 20 pikë, mbajtja e të cilave varet nga zbatueshmëria e rregullave të qarkullimit rrugor.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas