Kronika, Kryesore

Nën mbikëqyrjen e amerikanëve: Si u dënua Shullazi dhe banda e tij

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 14 vjet burg Emiljano Shullazin, 12 vjet Gilmando Danin, nga 10 vjet Endri Qyqen dhe Endri Zelën dhe 9 vite Blerim Shullazin. Avokatët: “Gjykata nuk i shpëtoi presionit”. Procesi ndaj Shullazit u vëzhgua në gjykatë nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane.

Personazhi i shumëpërfolur si i implikuar në veprimtari kriminale të gjobëvënies dhe kërcënimit është dënuar me 14 vite burgim. Në këtë mënyrë duket se ka marrë fund jo vetëm procesi gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por edhe “saga Shullazi”, një personazh i arrestuar disa herë dhe i proceduar për vepra të rënda penale, por ka kryer fare pak burgim. Gjithashtu, treshja gjykuese dënoi me 12 vjet burg Gilmando Danin, nga 10 vite burgim për Endri Qyqen dhe Endri Zelën, ndërsa 9 vite burgim janë caktuar për Blerim Shullazin. Për këtë grup ishin ngritur disa akuza, por gjykata në arsyetimin e vendimit shpalli Emiljano Shullazin dhe grupin e drejtuar prej tij fajtor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako, por shpëtoi nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Gjykata dha gjithashtu një masë shtrënguese, që të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht, ndërsa dënimin do e kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë. Procesi prej kohësh është ndjekur nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe Gjermane në Tiranë, ku gjithashtu edhe ditën e djeshme ishin të pranishëm. E konsideruar si “banda e paprekshme” këtë radhë qoftë edhe nën trysni ndërkombëtare duket se ka detyruar drejtësinë të mendohet gjatë para se të shprehet në vendimin e saj. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat avokati Vladimir Meçe tha se akuzat në fjalë ishin të stisura. Po ashtu, ai nuk kurseu as kritikat për Gjykatësit e kësaj çështjeje, ndërsa tha se ata nuk bëjnë dot dallimin mes të drejtës civile e penale. “Është fatkeqësi. Pati edhe akuza që ranë poshtë nga gjykata. Duhet të binin edhe këto akuza. Vendimi s’u dha i arsyetuar. Fatkeqësi është se kjo gjykatë nuk i shpëton dot presionit. Në fushën që operojnë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, penale dhe administrative. E konsiderojnë një konflikt të pastër civil, si një vepër penale. Akuzat janë të stisura”, -tha Meçe. Gjithashtu, është paralajmëruar apelimi i vendimit.



Akuzat e prokurorisë

Më 2 tetor të këtij viti, tre prokurorët e Krimeve të Rënda kërkuan dënimin me 64 vite burg në total për të gjithë të akuzuarit e bandës Shullazi. Për personazhin kryesor Emiljano Shullazin si kreu i grupit, prokuroria kishte kërkuar në total 17 vite burgim, prej të cilave 5 ishin për shkak të grupit kriminal që ai drejton. Shullazi akuzohej për tetë vepra penale që nga gjobëvënia ndaj dëshmitarit të drejtësisë Ylvi Beqja, gjobëvënia ndaj Jani Zekës, ndaj biznesmenit Kërçuku, dy episode kanosje për shkak të detyrës ndaj profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, shkatërrim prone me eksploziv dhe drejtim i grupit të strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, Shullazi ka përdorur të njëjtin mekanizëm bashkë me anëtarët duke iu vendosur gjoba dhe kërcënim me shpërthimin e lëndëve plasëse në bizneset e personave të ndryshëm. Institucioni i akuzës i ka konsideruar bashkëpunëtorët e Shullazit si pjesë të rëndësishme të grupit të strukturuar kriminal. Për Blerim Shullazin ishin kërkuar 10 vite burg, 15 vjet për Gilmando Danin dhe nga 11 vjet burg për Endrit Qyqen dhe Endrit Zelën. Vendimi i Gjykatës ka qenë në përafërsi me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa ende nuk ka patur reagim nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane në Tiranë të cilët kanë ndjekur thuajse çdo seancë. Jo rastësisht ishin në këtë proces, pasi një vit më parë ish-Ambasadori deklaroi se Katër klane kryesore drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare që dominojnë aktivitetet kriminale. “Katër klane kryesore drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare që dominojnë aktivitetet kriminale. Emiljano Shullazi është një nga këta grupe kriminale”-theksoi Lu, sipas ish-ambasadorit kishte të dhëna se Shullazi po merrej me trafikim narkotikësh duke drejtuar edhe nga burgu. Pikërisht për shkak të “ndjeshmërisë” së procesit Gjykata e Krimeve të Rënda për pak “u shkri” nga dosja e Emiljano Shullazit. Prokurorët të cilët nuk pranuan të ishin pjesë e shortit për këtë çështje u proceduan me masa disiplinore dhe transferime të ndryshme.

Vendimi i PD: Fitore e jona…

Pas vendimit që dha sot Gjykata e Krimeve të Rënda, duke dënuar me 55 vite burg në total bandën ‘Shullazi’ ka reaguar Partia Demokratike. Në një njoftim për mediat, partia opozitare shkruan se nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. “Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emiljano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore e qendrore,” shkruan PD. “Sot gjykata dënoi bandën e Emiljano Shullazit, që u arrestua vetëm falë denoncimit dhe betejës së pandërprerë të PD, si dhe mbështetjes së SHBA. Sipas opozitës, kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme. “Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pafituar plotësisht. Prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja”-mbajti qëndrim PD-ja. Personi i parë që përmendi emrin e Emiljano Shullazit dy ditë para se të arrestohej ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Ai denoncoi se Shullazi dhe banda e drejtuar prej tij kishin kërcënuar dy profesorët Mynyr Koni dhe Dhori Kule që të tërhiqeshin nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës, me qëllim që sipas Berishës të favorizohej kandidatja që vinte nga radhët e Partisë Socialiste. Pa kaluar dy ditë nga ky denoncim Shullazi dhe anëtarët e tjerë të dyshuar të grupit të tij u shoqëruan në polici dhe ndërsa merreshin në pyetje për “sqarim të çështjes”, Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi urdhër-arresti për Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij. Me kalimin e muajve gjatë procesit të hetimit u vetofrua biznesmeni Ylvi Beqja i cili u konsiderua bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u mor në mbrojtje për të dëshmuar kundër Shullazit. Ai renditi disa kërcënime me jetë dhe paraqiti dokumente që sipas tij tregonin se Shullazi dhe personat e tjerë të grupit të drejtuar prej tij i kishin marrë shuma të mëdha parash nëpërmjet shantazhit e kërcënimit me jetë të tij dhe familjarëve. Pikërisht dëshmia e tij dhe e biznesmenit tjetër Jani Zarka janë marrë në konsideratë nga gjykata duke dhënë në total 55 vjet burgim për Shullazin dhe katër personat e tjerë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas